Pikantet e Vllaznia-Kukësi/ Stadiumi i boshatisur, por anësorin e kap… flakadani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2024 | 14:59

Pikantet e Vllaznia-Kukësi/ Stadiumi i boshatisur, por anësorin e kap… flakadani

Fitoret radhazi të Vllaznisë nuk mjaftojnë për të mbushur stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Edhe dje impianti ka qenë i boshatisur, me vetëm rreth 1 mijë tifozë të shpërndarë në disa tribuna.

hg

Mesa duket këtë herë moti i ftohtë ndikoi te prania e paktë. Gjithsesi, nuk mungoi mbështetja e zakonshme që bëjnë grupimi “Vllaznit Ultras”, ndërsa pati edhe disa tifozë që kishin udhëtuar nga Kukësi në përkrahje të skuadrës së zemrës. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes që përkoi me fitoren e katër radhazi të kuqebluve.

* Edhe pse pritëse, Vllaznia luajti dje me fanellën e bardhë dhe jo atë kuqeblu. Kukësi nga ana tjetër ishte i gjithi me ngjyrë të zezë.

* Trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi, e ndoqi ndeshjen nga tribuna e gazetarëve për shkak të dënimit nga Disiplina.

* Gjatë pjesës së parë, drejtori sportiv i Vllaznisë, Tefik Osmani, kapet me mbrojtjen. Në një moment prapavija shkodrane nuk ishte e vendosur si duhet dhe kjo nervozoi jo pak drejtorin e kuqebluve. Kukësi krijoji tri raste të njëpasnjëshme për të shënuar dhe pati reagime të shumta nga stoli. Trajneri kërkonte më shumë përqendrim nga ekipi, ndërsa drejtori orientonte veçanërisht mbrojtësit.

* Të qetë dy trajnerët, Qatip Osmani dhe Stavri Nica, asnjëherë nuk dalin nga karakteri i tyre, duke qenë të qetë thuajse gjithë lojën.

* Portieri i Vllaznisë, Kristi Qarri, detyrohet të bëjë nxehjen gjatë lojës, pasi temperaturat e ulëta ndikojnë jo pak.

* Lojtari 19-vjeçar i Kukësit, Klevis Hilaj, merr duartrokitjet e tifozëve shkodranë, pasi u zëvendësua nga trajneri Nica vetëm 17 minuta nga momenti që ishte futur në fushë.

* Në minutën e 68-të u ndërpre loja, pasi një prej flakadanëve të hedhura nga tribuna përballë, preku në pjesën e këmbës së majtë anësorin Ergys Spahiu. Të dyja stafet mjekësore të skuadrave i erdhën në ndihmë arbitrit anësor, ndërsa loja rifilloi pas dy minutash.

* Në minutën e 79-të Çoba pengohet në zonë, por arbitri nuk akordoi penallti dhe as nuk u sinjalizua nga VAR-i. Kjo solli protesta në stadium.

* Duartrokitje të shumta për sulmuesin Ildi Gruda në momentin kur ky i fundit lë fushën për Delajn teksa luheshin minutat shtesë.

* Pas vetëm 10 sekondash në fushë, Antonio Delaj, u ndëshkua me kartonë të verdhë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"