Pikantet e ndeshjes/ Erzeni shënoi kur iku Reja, Krasniqi fali penalltinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2022 | 20:29

Pikantet e ndeshjes/ Erzeni shënoi kur iku Reja, Krasniqi fali penalltinë

Rreth 1500 tifozë të pranishëm në stadiumin “Niko Dovana” kanë përjetuar emocione të mëdha gjatë ndeshjes Erzeni-Laçi, që u luajt të shtunën dhe u mbyll me fitoren 1-0 të shijakasve në fundin e lojës. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e sfidës në Durrës, e cila u ndërpre për 6 minuta pas problemeve në sistemin e ndriçimit.

erzeni laci

* Shikuesi special ka qenë trajneri i Kombëtares, Edi Reja, i cili qëndroi në tribunën VIP, i shoqëruar nga ndihmësit e tij, Hamdi Salihi dhe Ervin Bulku, si dhe menaxheri Dritan Babamusta. Pas anulimit me VAR të golit që shënoi Laçi në minutën e 17-të, Reja diskuton me stafin e tij, duke e rishikuar në telefon. Fillimisht italiani pretendonte se arbitrat kishin gabuar, por më pas u bind që goli erdhi nga një pozicion jashtë loje. Trajneri kuqezi u largua disa minuta para fundit të ndeshjes, duke mos e ndjekur momentin e penalltisë.

reja

* Duke qenë se Erzeni i luan ndeshjet ne Durrës, disa futbollistë të Teutës u panë në tribuna për të ndjekur takimin, pikërisht Emiliano Vila dhe Blerim Kotobelli të Teutës, por edhe Ergys Peposhi i Kukësit. Ky i fundi kishte në fushë për shijakasit vëllanë, Arditin.

* Me shumë emocione e ka ndjekur nga tribuna ndeshjen e Erzenit edhe sulmuesi durrsak, Dejvid Kapllani, i cili është djali i trajnerit të shijakasve. Një përkrahje të ngrohtë familjare pati jo vetëm për Xhevahirin në stol, por edhe për disa lojtarë të tjerë.

* Gjyqtari i kërkoi trajnerit Kapllani të veshë një jelek, pasi ngjyra e bluzës së tij ishte e ngjashme me uniformën e Laçit. Edhe portierët u shfaqën me fanella të cilët kishin të njëjtat ngjyra.

* Erzeni pretendoi për dy penallti të padhëna në pjesën e parë, por e mori herën e tretë, pikërisht në frymën e fundit. Tifozët nxituan të ironizonin Metën: “Epo këtë herë nuk kishte nga të shkonte..!”

* Teksa kishte përfunduar pjesa e parë dhe ekipet ndodheshin në dhomat e zhveshjes për të bërë 15 minuta pushim, dritat e stadiumit u fikën. Tifozët menduan se kjo ndodhi mbase për të kursyer energji. Mirëpo, sistemi i ndriçimit në “Niko Dovana” pati probleme edhe në minutën e 75-të. Në këtë moment dritat u fikën dhe loja u ndërpre për gjashtë minuta, derisa u rregullua problemi. Tifozët e Erzenit ndezën blicet e celularëve të tyre, duke krijuar një atmosferë të bukur.

* Erzeni luajti për të pestën herë me fanellën e bardhë dhe kjo po i sjell tashmë fat skuadrës, pasi nuk ka pësuar ende asnjë gol.

* Festa e shijakasve pas ndeshjes ishte e çmendur jo vetëm në shkallët e stadiumit, por edhe në dhomat e zhveshjes. Stafi kishte menduar edhe një gjetje origjinale, duke ironizuar me atë që ndodhi në fushë.

Një prej zyrtarëve të klubit u fut në dhomat e zhveshjes me bilbil dhe imitoi sistemin VAR, që ka penalizuar Erzenin në ndeshjen ndaj Teutës, ndërsa këtë herë me Laçin e ndihmoi, duke korrigjuar gabimin që bëri anësori, teksa anuloi golin e shënuar nga Spahiu i kurbinasve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"