Pesë penalltitë në derbi, Arsen Hoxha: Kur Ramiz Alia ishte kundër Mehmet Shehut (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 20:30

Pesë penalltitë në derbi, Arsen Hoxha: Kur Ramiz Alia ishte kundër Mehmet Shehut (E PLOTË)

ARSEN HOXHA

Të dilje nga rreshti në monizëm ishte gjithnjë e rrezikshme, edhe kur bëhej fjalë për arbitra futbolli. Arsen Hoxha ishte një ndër ata që vendosi të kishte si orientim vetëm rregulloret dhe rrjedhimisht, të merrte edhe vendime që ngjallnin debate. I tillë ishte edhe rasti i pesë penalltive që ish-gjyqtari i shquar akordoi në një derbi, të cilat jo vetëm bënë bujë për kohën, por sollën edhe reagime të drejtuesve të vendit. Siç e përshkruan edhe vetë Arsen Hoxha në artikullin ekskluziv për “Panorama Sport”, akordimi i 5 penalltive në derbin mes 17 Nëntorit dhe Dinamos (4-5) la të pakënaqur Ramiz Alinë, që në sezonin 1979-1980 ishte ende njeriu që merrej me sportin dhe Kulturën, por që më pas u bë i pari i vendit. Ndërkohë, ish-kryeministri Mehmet Shehu, që sipas ish-arbitrit e kishte parë nga televizori, kishte mbetur i kënaqur nga gjykimi, ndonëse me një risi jashtëzakonisht të madhe për kohën. Madje për këtë, ai kishte debatuar edhe me djalin e madh, Vladimirin. Në artikullin që i ka dërguar gazetës, Arsen Hoxha, sqaron edhe se si ish-kryetari i FSHF-së, Zyber Konçi, e pat mbrojtur me vendosmëri arbitrimin e Hoxhës, duke e konsideruar të drejtë dhe revolucionar për kohën. Më poshtë shkrimi i Arsen Hoxhës…  

5b6dd6d6-426d-4463-833b-55661a973a99

Në shkrimin e bërë para disa ditësh në gazetën “Panorama Sport”, miku im Uvil Zajmi sjell në kujtesën e sportdashësve një prej ndeshjeve më të veçanta të luajtura në ish-stadiumin “Qemal Stafa”.

Takimi 17 Nëntori–Dinamo si dhe takimet e Partizanit me këto dy ekipe, kanë qenë pjesa më e bukur e historisë së futbollit tonë kombëtar, për pasojë interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm. E veçanta e këtij takimi është se, ajo ndoshta do të mbahet mend si nga më të bukurat që krijoi emocione të papërsëritura. U luajt një ndeshje tepër sulmuese ku u shënuan gjithsej 9 gola prej të cilëve 5 me penallti.

Deri në 6 minutat e fundit, çdo gjë ishte normale dhe e pëlqyeshme për të gjitha palët. Ishin të shumtë specialistët, futbollistët, drejtuesit dhe sportdashësit që në ditët pas ndeshjes më thanë: “Sikur ta kishe lënë barazim, do të ishte një kryevepër”. Në fakt, edhe unë e dëshiroja atë rezultat, por në një aksion, Shyqyri Ballgjini, i ndodhur rreth 6 metra larg nga vija e portës, shtyhet me dorë nga një mbrojtës tiranas, duke e spostuar atë nga goditja e topit. Nga të 5 penalltitë, kjo ishte më evidentja dhe do të ishte gabim i rëndë profesional që për hir të ekuilibrave psikologjikë, të mos ndëshkohej. Lojtarët e të dyja ekipeve, që mbajtën një qëndrim model, dua t’i falënderoj edhe njëherë pas kaq vitesh. Por në rastin e penalltisë së pestë, futbollistët e Tiranës e shoqëruan atë me një protestë modeste brenda kuadrit sportiv.
Capture
Arsen Hoxha (m)

Por çfarë ndodhi pas kësaj ndeshjeje jo të zakontë?

Shumë gjëra ndodhën. Policia, për të evituar ndonjë ngjarje të rëndë me tifozët, sepse neve na duhej të shkonim te Stacioni i Trenit për t’u rikthyer në Fier, na pyeti nëse do të ishim dakord që të shoqëroheshim prej tyre deri në Durrës. Ne pranuam, por nuk fjetëm në Durrës siç thotë z. Zajmi, sepse pas dy orësh vinte treni nga Tirana dhe shkonte në Fier. Kur ishim duke pirë nga një kafe në një klub pranë Stacionit të Trenit, në tavolinë na u afruan dy djem durrsakë dhe njeri prej tyre, i pakënaqur nga arbitri që gjykoi në Durrës një javë më parë, na tha:

“Aman ore, hajdeni njëherë në Durrës, se vdiqëm për të parë një penallti”. Plasi e qeshura, por koleget e mi K. Pogaçe dhe T. Kastrati u rikthyen menjëherë te serioziteti i mëparshëm. E vetmja fjalë që herë pas here thoshin, më shumë me veten e tyre, ishte: “Pesë penallti ë…”! Ishte fillimi i karrierës së tyre, sidomos në këto ndeshje të rëndësishme. E pashë të udhës t’u riktheja pak besimin dhe humorin e u thashë: “Mos kini merak. Ato teknikisht janë të pesta penallti. Mund të ndodhë, që për hir të çudisë të na dënojnë apo pezullojnë për disa javë sa çështja të zbutet, por ju duhet të jeni të gëzuar për atë që ndodhi, sepse kur ne të plakemi dhe të lëvizim në rrugë, sportdashësit do të thonë se ata pleqtë me shkop në dorë që po kalojnë atje, kanë dhënë pesë penallti në një ndeshje.

Në fakt, ashtu po ndodh. Pas dyzet vitesh, ne po kujtohemi pikërisht për shkak të atyre pesë penalltive. Ngjarjet pas penalltive nuk u zhvilluan aq të thjeshta sa i paraqet z. Zajmi, ndoshta për mungesë informacioni. Ato shkuan në rangje tepër të larta dhe u analizuan me një seriozitet të paparë. Sinjali i parë ishte pozitiv. Ngjitur me shtëpinë time banonte Kujtim Shehu, me profesion inxhinier. “Hajde këtu se do të tregoj diçka interesante, – më tha ai.

– Dje isha në Tiranë dhe ndeshjen e pashë te shtëpia e xhaxhait (Mehmet Shehut). Ai debatoi gjatë me djalin e tij të madh, që nuk ishte dakord me dhënien e aq penalltive. Xhaxhai i vendosur në bindjen e tij, i thotë atij se “ti e njeh mirë anglishten dhe e di se ç’do të thotë penallti. Më thuaj, në cilën prej tyre nuk kishte ndërhyrje të gabuar dhe që nuk duhej ndëshkuar”? Fjala këtu është se xhaxhai i komshiut tim ishte Kryeministri i vendit Mehmet Shehu. Njeriu i dytë më i fuqishëm i një shteti monist. Të kishe mbështetjen e tij, kjo nuk ishte pak. Por ky gëzim nuk zgjati shumë….

Pak më vonë më lajmëruan se të nesërmen në orën 10:00, duhej të paraqitesha në FSHF. Sapo hyra brenda, kryetari Zyber Konçi ngrihet nga karrigia dhe me dashamirësi më jep dorën, duke më thënë: “Bravo të qoftë për guximin. Penalltitë ishin plotësisht të drejta. Në orën 11:00, një komision do të shikojë në Televizionin Shqiptar dhe do të japë mendimin përfundimtar rreth tyre. Ti do të presësh këtu në Federatë”. Në kohën që z. Konçi, anëtarët e Komisionit Tekniko Arbitrar dhe specialistë të tjerë shkuan në studion televizive, një prej nëpunësve të FSHF-së më tha se situata nuk është shumë e përshtatshme. Ai më tregoi se ditën e hënë në mëngjes kishte ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme.

ram2-905x395

Menjëherë pas ndeshjes, Ramiz Alia, personi që mbulonte kulturën dhe sportin dhe që së bashku me 6-7 anëtarë të Byrosë Politike qe ishin në stadium, ishte nervozuar shumë me vendimet e mia, veçanërisht me penalltinë e pestë që humbi edhe ekuilibrat e ndeshjes. Ai kishte telefonuar ministren Tefta Cami, dhe i kishte kërkuar që të urdhëronte drejtuesit e FSHF-së që, ndaj arbitrit Arsen Hoxha të mbahet qëndrim. Ajo, të hënën në mëngjes sapo hyri në zyrën e FSHF-së, me zë të lartë pyet z. Konçi se kush është ky Arsen Hoxha që vjen nga Fieri dhe në mes të stadiumit “Qemal Stafa” jep pesë penallti, që historia e futbollit nuk i ka parë asnjëherë?! – Mos ta shoh më atë që të arbitrojë”. – “Unë e kam vlerësuar me notën maksimale gjykimin e Arsen Hoxhës, – i përgjigjet z Konçi.

– Ai ka gjykuar profesionalisht dhe nuk ka bërë asnjë gabim. Ministrja Cami, e nervozuar, i thotë z. Konçi se, së bashku me Arsenin paskeni luajtur edhe ju të tjerët. Vendimi i Komisionit të Posaçëm ishte se, të pesë penalltitë ishin të drejta, por mund të jepej edhe një e gjashtë. Në fakt, në rastin e pretenduar se duhej ndëshkuar, kishim të bënim vetëm me një zënie rruge nga mbrojtësi Ibërshimi. Këto akte ndëshkohen me goditje indirekte. Megjithatë, unë tregova kujdes të veçantë që lojtarët dinamovitë të ruanin distancën 9.15 metër, gjë që lehtësoi së tepërmi S. Memën për të shënuar atë gol shumë të bukur. Pra, ky rast nuk ndikoi aspak në rezultatin e lojës. Nuk ka pasur asnjë lloj dënimi ndaj meje. Mosaktivizimi për disa javë në Kategorinë e Parë (Superioren e sotme) ishte një praktikë që aplikohet edhe sot e kësaj dite nga Komisionet e Caktimit të Arbitrave.

Në javën e parë të sezonit 2010-2011 të Kategorisë Superiore, kur unë isha disenjatori i arbitrave të asaj kategorie, arbitri Albano Janku kaloi një situatë afërsisht të përafërt me atë timen. Në minutat e fundit të ndeshjes midis Besës dhe Skënderbeut, ai akordoi një penallti në favor të Skënderbeut. Reagimi i tifozëve në tribunën përballë doli jashtë kontrollit. Arbitri Janku pas shumë tentativash të dështuara për rifillimin e lojës, vendosi që ta ndërpriste përfundimisht atë. Reagimi nga tifozët kavajas dhe një pjese të medias ishte shume agresiv.

Unë e falënderova arbitrin Janku për vendimin e guximshëm dhe profesional që mori, por e sqarova se javën e ardhshme, ai nuk do të gjykonte se kjo do të ishte më e mira edhe për atë vetë, derisa gjërat të qetësoheshin. Unë gjeta mirëkuptimin e tij. Ky qëndrim psikologjiko-taktik nuk kishte asgjë të përbashkët me dënimin. Qëndrimi konsekuent dhe tepër profesional i z. Zyber Konçi dhe komisionit që përcaktoi vërtetësinë e vendimeve që u morën në atë ndeshje, nuk ishte aq i thjeshtë sa mund ta mendojë z. Zajmi apo dikush tjetër.

Ai ishte një vendim kurajoz që binte ndesh me një vlerësim subjektiv dhe aspak profesional i njërit prej njerëzve më të fuqishëm të kohës siç ishte Ramiz Alia. Triumfoi profesionalizmi kurajoz sportiv. Nuk ka pasur asnjë dënim ndaj meje. Mosaktivizimi në ndeshjet kryesore për disa javë ishte taktik, sepse një kundërvënie e hapur ndaj udhëheqjes, nuk do të kishte asnjë gjë pozitive. Profesionalizmi triumfoi dhe kjo nuk ishte pak për një federatë futbolli në kushtet e një sistemi monist. Profesor Doktor Zyber Konçi, ishte jo vetëm një specialist shumë i mirë, guximtar dhe me një karakter të fortë.

arsen hoxha

Vëllai i tij, ish-arbitër i FIFA-s, Lulzim Konçi, i ruan shumë mirë në kujtesën e tij ngjarjet e zhvilluara në zyrat e FSHF-së, ku përballë zyrtarëve te lartë, nuk ishte thjesht arbitri Arsen Hoxha, por autoriteti dhe profesionalizmi i vetë FSHF-së. Ja pse unë them se, në njëfarë mënyre, historia e pesë penalltive dhe disa javë më vonë në ndeshjen Partizani-Besëlidhja ku unë akordova tre penallti, është historia ime e arbitrimit. Kryeredaktori i gazetës “Sporti Popullor”, Agim Korbi, duke marrë shkas nga penalltitë e mësipërme, në artikullin e tij shtroi pyetjen:

“Këto penallti të dhëna janë dëshirë e arbitrit, apo objektivitet që duhet ta pranojmë”. Tetë penalltitë e dhëna në dy ndeshje, qëndrimi dinjitoz i lojtarëve, duke mos protestuar ashtu siç e përshkruan z. Edmond Gëzdari dhe vendosmëria e arbitrave të tjerë në vazhdimësi si P. Kothere, Dh. Prifti, L.Konçi, H.Kuka, N.Jareci, A. Canaj, B Kaimi, T. Prela etj., të gjithë arbitra të viteve ’80-’90, hapën një etapë të re të gjykimit modern, krejt ndryshe nga ato të viteve ’60-’70. Edhe pse arbitrimi sot ka avancuar shumë dhe me në krye z. Sokol Jareci po bëhet një punë shumë e madhe për edukimin profesional, për fat të keq, mosakordimi i shumë penalltive fare flagrante, të kujton arbitrat e viteve para shtatëdhjetës.

Unë shpresoj se, në javët e mbetura të kampionatit, arbitrat do të tregojnë se janë të aftë ta kapërcejnë këtë ngërç që po e dëmton rëndë futbollin. Krejt ndryshe nga mjaft arbitra të kolegjiumeve të mëdha, ku jo vetëm format e kualifikimit, por edhe aktivizimi vinte duke kopjuar arbitrat më të mirë të këtyre shoqatave, e për pasojë afërsisht përdornin të njëjtat interpretime dhe taktika, unë hyra në fushën e blertë i ardhur nga një kolegjium pa emër, që nuk kishte asnjë gjyqtar të gjykonte në kategorinë më të lartë. Baza e formimit tim si arbitër, menjëherë pas largimit nga ekipi i të rinjve të Fierit, nuk erdhi mbi kopjim modelesh. Arbitrat fierakë gjykonin vetëm në kategori të ulëta, por në atë kohë nuk kishte televizor apo mjete të tjera radioteknike, që të përcaktoje një model dhe të kopjoje shumë prej tij.

Unë si model zgjodha vetëm njohjen dhe interpretimin korrekt e me ndjeshmëri njerëzore të ligjeve, të rregullave të lojës. Kjo metodë krijon individualitetin. Është kjo arsyeja që unë nga fillimi i karrierës sime u etiketova si një arbitër ndryshe. Ajo që unë dallova që në fillim, ishte se shumë prej arbitrave të kohës, më shumë parapëlqenin që të gjenin zgjidhje kompromisi sesa të zbatonin me korrektësi atë që ishte përcaktuar në rregullore. Në njëfarë mënyre asnjëherë nuk merrnin guximin të tejkalonin kompetencën e tyre ligjore tej asaj që nuk i atakonte me sportdashësit, sportistët, drejtuesit e tyre e deri te zyrtarët e lartë. Pra, bënin një gjykim popullor.

pjimage (1)

Unë këtë prag guxova ta kaloja që në ndeshjen e parë të kategorisë së lartë që m’u besua. Në ndeshjen Shkëndija-Vllaznia akordova një penallti, që si e përshkruan vetë z. Zajmi në një artikull tjetër, të çuditshëm për kohën, por që nuk u kundërshtua nga lojtarët. Edhe pse kanë kaluar pesë dekada, në kujtesë më ka ngelur një debat që u bë në një seminar me arbitrat kryesorë, ku në një moment, njohësi më i mirë i rregullave të lojës, ish-arbitri i FIFA-s, z. Sami Kothere, po interpretonte një udhëzim të ri të FIFA-s.

Njëri prej arbitrave më të mirë të kohës e kundërshton mendimin e z. Kothere me justifikimin se, deri tashmë ata e kanë interpretuar ndryshe dhe kështu do të vazhdojnë. Çuditërisht mjaft nga arbitrat titullarë të gardës së vjetër e mbështetën kundërshtuesin e paarsyeshëm dhe thanë:

“Ti interpretoje si të duash. Ne do të vazhdojmë siç kemi vepruar deri më sot”! Ishin këto disa nga arsyet që pothuaj në të gjitha takimet e ekipeve përfaqësuese të të gjitha moshave, apo dhe atyre të klubeve, ne ndëshkoheshim me penallti apo kartonë të verdhë e të kuq. Futbollistët, për faj të arbitrave kishin formuar një stereotip tjetër që nuk përputhej aspak me atë që aplikohej në Europë. Shembulli më i padëshiruar ishte ai i Partizanit, kur ndaj tij UEFA mori masa tepër të rënda. Mjeshtri i madh Panajot Pano e mirëpriti një karton të verdhë që unë i nxora në një ndeshje me 17 Nëntorin për një protestë publike, por tifozët në stadium nuk e kapërcyen dot kollaj, sepse ajo ishte për idhullin e tyre.

Rregullorja për ta nuk kishte vlerë. Miku im, humoristi i mirënjohur Pëllumb Kulla, që ishte jo vetëm një tifoz futbolli, por edhe imi si arbitër, duke parë se në disa raste unë aplikoja vendime të veçanta mbi ato të njohurat publikisht, shpesh më thoshte: “Nga ndeshja në ndeshje ke vendosur të zhbirosh edhe skutat më të thella të rregullores”. Unë tregova disa nga parimet bazë, ku u mbështetën gjykimet e mia. Nuk fola për gabimet që kam bërë, sepse edhe ato janë pjesë e historisë sime futbollistike.

KK i 34-t, java e 10-të, në “Qemal Stafa”

17 NËNTORI-DINAMO 4-5 (2-2)

Golashënues: Çobani 20, Hyseni 27′, 66′, Ballgjini 44’/ Vladi 45′, Mema 57, Zëri 61′, 85′, Bregu 70′

17 Nëntori: Sharra, Baçi, Hyseni, Frashëri, Naçi, Çela, Sengla, Vladi, Mema, Gëzdari, Minga (Metani).

Dinamo: Luarasi, Dautaj, Gega, Targaj, Çoçoli, Bregu, Delia, Marko, Çobani, Zëri, Ballgjni.

Gjyqtarë: Arsen Hoxha kryesor, K. Pogaçe e T. Kastrati anësorë

Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"