Përballja me Laçin, Cungu tregon “armët” e Vllaznisë: Kuqeblutë kanë ‘zot shtëpie’, fitorja u hap rrugën drejt titullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2021 | 22:36

Përballja me Laçin, Cungu tregon “armët” e Vllaznisë: Kuqeblutë kanë ‘zot shtëpie’, fitorja u hap rrugën drejt titullit

Ish-lojtari dhe trajneri i ekipit të Vllaznisë, i cili ka drejtuar edhe Laçin, Armando Cungu, e vlerëson pozitivisht situatën në të cilën gjendet skuadra shkodrane. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” ai vë theksin te grupi që ka Vllaznia, por edhe cilësitë individuale të lojtarëve të Laçit. Megjithatë, në prag të përballjes së nesërme mes dy skuadrave në “Loro Boriçi”, Cungu shikon si favoritë të besuarit e trajnerit Tomas Brdariç. Një trepikësh për Vllazninë në këtë përballje do të thoshte një shkëputje nga ndjekësit, por edhe nga Laçi që për Cungun është një nga skuadrat pretendente për titull.

armando cungu1

Si e shikoni Armando Cungu situatën te Vllaznia?

Fakti që Vllaznia ndodhet me meritë në vendin e parë, madje e shkëputur me nëntë pikë nga ndjekësit, tregon për një situatë të qetë dhe komode për skuadrën shkodrane.

Nëntë pikë larg ekipit të vendit të dytë, a është një garanci më shumë për vazhdimësinë e Vllaznisë?

Është herët për të folur për garanci, por kjo shkëputje të jep qetësinë dhe atmosferën e duhur për vazhdimësinë.

Çfarë po funksionon më mirë te kjo skuadër?

Pas disa vitesh Vllaznia vendosi të administrohet nga privati dhe ardhja e një sponsori që po kryen rolin e një presidenti, për të cilin kemi ulëritur prej kohësh. Kjo po tregon se është gjëja e vetme për të ndryshuar gjërat për mirë. Pra, duke pasur një njeri mbi kokë që kujdeset për shtëpinë e tij, atëherë gjërat janë në rrugën e duhur. Duke vazhduar me zgjedhjen e stafit të duhur që do të drejtojnë klubin, suksesi është i garantuar.

Drejtuesit janë me “këmbë në tokë” për fjalën titull. A ka ardhur koha që duhet besuar edhe për kampion?

Jam dakord me logjikën e drejtuesve të klubit sa i përket titullit, pasi nuk kërkojnë të fusin presion tek ekipi, por mbjellin qetësi. Është pikërisht qetësia ajo që ka mbizotëruar të Vllaznia dhe që po jep frytet e saj. Mendoj që duke qenë në këto pozita Vllaznia tani duhet ta mendojnë seriozisht fitimin e titullit, mbasi Shkodra pret prej vitesh me shumë gëzim një titull, për shumë arsye ka momentin e artë këtë sezon.

cungu

Ku e shikoni forcën e kësaj Vllaznie?

Forcën e kësaj Vllaznie e shikoj te grupi. Ka harmoni, entuziazëm e cila vërehet dhe në lojë. Meritat shkojnë për trajnerin që ka arritur të krijojnë një grup të bashkuar. Vllazninë nesër e pret sërish një përballje e vështirë, sfida ndaj Laçit. Sa i rëndësishëm është ky takim për shkodranët? Ndeshja me Laçin mendoj se ka rëndësi të veçantë për Vllazninë, pasi me një rezultat pozitiv, që do të thotë fitore, mban distancën apo e thellon atë me ndjekësit, si dhe largon një pretendent të fortë për titull. Për të mos folur që edhe javët në vazhdim i japin mundësinë dhe komoditetin Vllaznisë për të vazhduar e qetë rrugën drejt titullit.

I njihni mirë të dyja klubet, ku ndryshojnë dhe në çfarë pikash bashkohen skuadrat?

Nëse më sipër theksova grupin, si tiparin dallues te Vllaznia, për Laçin mund të them që ka individë cilësor që duhen pasur në konsideratë. Këto janë diferencat mes skuadrave.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"