Përballja Besa-Tomori/ Tafili drejt rinovimit, por “merak” ka vetëm merkaton; Rrotacion në 11-she, Sinella: Koha për pushim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2021 | 14:12

Përballja Besa-Tomori/ Tafili drejt rinovimit, por “merak” ka vetëm merkaton; Rrotacion në 11-she, Sinella: Koha për pushim

Besa pret sot Tomorin në stadiumin e Luzit, në një ndeshje që luhet vetëm për “qejf”. Kavajasit nuk kanë asnjë pretendim, ndërsa beratasit e kanë blinduar vendin e dytë. Verdhezinjtë mbyllin një kampionat të dështuar. E nisën me synime të mëdha, por maksimumi që arritën ishte sigurimi i mbijetesës. Zhgënjyes e quan edhe Alsid Tafili, por një analizë më të detajuar e lë për një moment të dytë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani flet edhe për të ardhmen e tij, teksa thotë:

Tafili Bes

“Kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin, thuajse pas çdo ndeshje. Kemi diskutuar mbi arsyet e humbjeve, por edhe probleme të tjera. Ditët e fundit kemi folur edhe për rinovimin e kontratës sime, e cila skadon këtë muaj. Nuk e fsheh faktin se më pëlqen shumë ambienti dhe do dëshiroja të mbetesha pjesë e Besës. Pra, në parim nuk kam asgjë kundër”. Duket se “meraku” i vetëm i mesfushorit mbetet ndërtimi i grupit për sezonin tjetër.

“Mendoj se po kaloj një formë mjaft të mitë fizike, po lë mënjanë përvojën. Ekipi duhet të ketë ambicie të qarta dhe mbi të gjitha grup me futbollistë me të cilët merresh vesh në fushë. Përtej dakordësisë në parim, do të pres edhe 1 apo 2 muaj për të parë se çfarë lojtarësh do të afrojë Nexhat Bizhdili. Bazën e kemi, por na duhen më shumë se dy sulmues, që të mos mbetemi të varur vetëm nga Peqini e Kaina. Nevojë kemi edhe në prapavijë e mesfushë. Veçse nuk duhen më djem të rinj, pasi të tillë kemi plot, por ekspertë”, përfundoi 33-vjeçari. FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

Tomori udhëton sot në Luz sa për statistikë. Vendin e dytë e kanë blinduar tashmë, ndaj është koha për rrotacion. Stafi teknik ka menduar që disa titullarë t’i kursejë dhe t’u japë minuta atyre që nuk kanë pasur shumë hapësirë. Këtë e ka pohuar për “Panorama Sport” vetë trajneri Bledar Sinella, i cili edhe sot do të jetë në tribunë prej dënimit që ka marrë nga Disiplina. “Kemi vendosur që ndaj Besës të lëmë pushim pjesën dërrmuese të titullarëve.

Sinella

Kjo do të na mundësojë t’i ruajmë sa më të freskët për ndeshjen e parë kualifikuese, që do të luhet javën e ardhshme. Pastaj është koha të marrin minuta edhe ata që nuk kanë pasur hapësirë, pasi te Tomori të gjithë lojtarët janë të vlefshëm. Për të kaluar Burrelin ose Korabin, do të na duhet kontributi i të gjithëve, ndaj dhe synojmë që nëpërmjet Besës të projektojmë edhe kontingjentin e ndeshjes së parë shtesë”, ka shpjeguar numri një i pankinës së beratasve. EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"