“Partizani nuk na rrezikoi, Skënderbeu mposht këdo”, Vangjeli: Treguam forcën, por kujdes me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2024 | 20:24

“Partizani nuk na rrezikoi, Skënderbeu mposht këdo”, Vangjeli: Treguam forcën, por kujdes me…

Fitorja me Partizanin ishte maksimumi që korçarët mund të merrnin përballë një kundërshtari të këtij niveli. Fitore, që erdhi si një arritje e rëndësishme e kuqebluve, që pas humbjes me Dinamon, ditën të reagojnë më së miri duke treguar formën e tyre të mirë.

VANGJELI KOSTA

Për anësorin Kosta Vangjeli kjo fitore i jep më shumë besim skuadrës për vazhdimësinë dhe mbi të gjitha tregon faktin se Skënderbeu është një ekip, që nuk duhet nënvlerësuar, pasi luan si i barabartë ndaj të gjithëve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, korçari tregon momentin e mirë që po kalon dhe rikthimin si titullar në skuadrën e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç.

Vangjeli, një fitore e madhe kundër Partizanit. Si ja dolët të merrnit tri pikë ndaj të kuqve?

Ishte me të vërtetë një fitore e madhe dhe e rëndësishme për momentin në të cilin ndodhet kampionati. Kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë dhe më pas kemi administruar avantazhin duke i bërë ballë sulmeve të kundërshtarit. Mund të them se nuk kemi rrezikuar shumë të pësojmë, pasi kemi qenë të gjithë të përqendruar. Jam i bindur se ky ekip kur luan me këtë përqendrim dhe si grup, ia del të marrë më të mirën.

Mendoni se kjo fitore tregoi se Skënderbeu nuk duhet nënvlerësuar nga asnjë ekip i Superiores, qoftë edhe kampioni në fuqi?

Padyshim, kjo ka qenë gjithmonë e qartë, por nuk e di se si na kanë parë kundërshtarët deri më tani. Nuk mendoj se dikush na ka nënvlerësuar, pasi është në dëmin e tyre. Mund të them se kjo fitore tregon se Skënderbeu nuk ka asgjë më pak sesa ekipet që kryesojnë kampionatin dhe mund të luajë i barabartë me këdo.

Kur thoni kështu keni parasysh faktin që Partizanin e keni mundur dy herë dhe keni barazuar në ndeshjen tjetër?

Jo vetëm këtë. Kemi marrë 7 pikë në tre ndeshjet ndaj Partizanit dhe kjo tregon forcën tonë. Por edhe me ekipet e tjera, Tirana apo Egnatia kemi arritur të marrim rezultate të mira. Ajo që ne na ka munduar duket qartazi që është rezultati me ekipet e tjera që janë poshtë nesh në renditje. Këtu duhet që të bëjmë korrigjime në javët e mbetura.

KOSTA VANGJELI

Përse ndodh kjo ecuri me ekipet më poshtë në renditje?

Ndoshta hasim vështirësi kur ekipi qëndron pas dhe na pret në gjysmëfushën e tij. Kjo sepse jemi ekip i ri dhe nuk e kemi eksperiencën e duhur për të përballuar presionin e minutave që kalojnë dhe golit që nuk po vjen.

Keni fituar pozicionin e titullarit. Ndiheni i kënaqur me atë që po bëni?

Po, padyshim që jam i kënaqur. Të luash titullar në një ndeshje ndaj Partizanit është diçka shumë e mirë. Unë punoj çdo ditë fort dhe mundohem të jap më të mirën time. Më pas e di trajneri.

Në dy ndeshjet e fundit keni qenë një nga më të mirët në fushë…

Ndoshta kjo vjen edhe prej faktit se po luaj në pozicionin tim natyral, si mbrojtës krahu. Jam i kënaqur që vlerësohem, pasi gjithmonë mundohem të jap më të mirën time. Mundohem të luaj atje ku do trajneri, por jo gjithmonë mund të japësh më të mirën.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"