Partizani e nis nga Gjeorgjia aventurën europiane, trajneri Mehmeti: Saburtalo ishte rivali që duhej shmangur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2022 | 20:36

Partizani e nis nga Gjeorgjia aventurën europiane, trajneri Mehmeti: Saburtalo ishte rivali që duhej shmangur

Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, nuk e konsideron një short të lehtë atë të Ligës së Konferencës. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai shprehet se Saburtalo ishte rivali që do të donte ta shmangte për shkak se është në aktivitet dhe ndodhet shumë larg gjeografikisht.

Dritan Mehmeti

Profesor, kishit ndonjë preferencë për shortin? Cilin rival të mundshëm donit të shmangnit?

Besoj se nga të pestë rivalët e mundshëm që kishim në short, Saburtalo ishte skuadra më e fortë. Janë ekipi që do të doja ta kishim shmangur për vetë faktin se ata janë një skuadër me grup të formuar, janë në aktivitet në kampionatin e tyre, si dhe na pret një udhëtim shumë i gjatë e i lodhshëm, pasi distanca mes shteteve është e madhe.

Mund të themi se Saburtalo është një rival i kalueshëm në letër?

Në futboll asgjë nuk është e sigurt, sepse luhet në fushë dhe jo në letër. Mendoj se nuk mund të përcaktohet qartë nëse Partizanit i ka rënë një short i lehtë apo i vështirë në letër. Do ta studiojmë kundërshtarin dhe do të bëjmë maksimumin për ta vlerësuar dhe për të marrë më të mirën.

Sa ju pengon fakti se sezoni në Shqipëri ka mbaruar dhe ju duhet të ndërtoni nga e para një pjesë të ekipit?

Përgatitja e një skuadre për Kupat e Europës pas përfundimit të sezonit ka vështirësitë e saj, për vetë faktin që jemi përballur me shumë largime të rëndësishme dhe vështirësia në momentin që jemi në merkato është zëvendësimi i tyre me lojtarë të tjerë cilësorë, që arrijnë të bëjnë diferencën.

Po bëjmë maksimumin, i gjithë klubi, bashkë me drejtorin për të bërë përzgjedhjet e duhura, për të afruar lojtarët sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim sinkronizimin e shpejtë me skuadrën dhe përshtatjen me filozofinë e Partizanit.

Si është gjendja fizike e skuadrës pas pushimeve dyjavore?

Mund të them se pjesërisht jam i kënaqur nga gjendja fizike e elementeve, që janë pjesë e skuadrës dhe gjatë kohës që do të jemi në Slloveni, do të mundohemi të rrisim parametrat e aspektit fizik në gjendjen e tyre optimale dhe shpresoj që të vijnë sa më shpejt edhe pjesa tjetër, që presim në merkato.

Mesfushën e keni plotësuar, por në mbrojtje ju duhet një anësor i majtë, do ta ketë Partizani një lojtar të tillë deri në korrik apo Sota mund ta mbulojë mirë atë pozicion?

Ne jemi në bisedime dhe po punojmë fort për të sjellë lojtarë me personalitet dhe karakter për të përfaqësuar sa më denjësisht Partizanin. Për sa u përket emrave, po flasim me lojtarët, në momentin që klubi do t’i zyrtarizojë, shpresoj që skuadra të marrë formën e saj. Sota është një lojtar, i cili pozicionin e vet e ka në qendër, por prej shumë situatave është vendosur edhe si mbrojtës anësor.

Mund të themi se mesfusha e Partizanit është e mbipopulluar me ardhjen e Telushit, si dhe Romeros në ditët në vazhdim? Do të ketë më afrime në këtë repart?

Do të kemi afrime edhe në mesfushë, por edhe në reparte të tjera në skuadër, sepse kampionati është i gjatë dhe duhet të rritet konkurrenca. Pres gjithashtu një sulmues tjetër, pasi reparti ofensiv nuk është i plotësuar.

Cili është objektivi i Partizanit në këtë Ligë të Konferencës?

Objektivi i Partizanit në Ligën e Konferencës është i përqendruar vetëm te kundërshtari gjeorgjian.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"