Paralajmërimi i Nicës: Në Shijak nuk do ta keni të lehtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2020 | 12:42

Paralajmërimi i Nicës: Në Shijak nuk do ta keni të lehtë

Erzeni e ka “arkivuar” humbjen në Burrel dhe është përqendruar i gjithi te Kupa e Shqipërisë. Pikërisht sot, shijakasit do të presin në shtëpi fqinjët nga Durrësi për të luajtur të parën ndeshje për turin e parë. Është një kompeticion që Stavri Nica nuk po e anashkalon, ndonëse e pranon që vëmendja është e gjitha te kampionati. 

stavri nica

Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri paralajmëroi Teutën. E ka të qartë se kundërshtari është një “kockë e fortë”, por u kujton se me skuadrën e tij nuk do ta kenë aspak të lehtë. “Erzeni do ta vlerësojë edhe aktivitetin e Kupës së Shqipërisë, ndonëse për nga rëndësia është pas kampionatit. Kemi qëllimet tona në këtë kompeticion, ndaj do t’i japim rëndësinë që i takon. E dimë që përballë Teutës do të jetë e vështirë, pasi po flasim për një nga ekipet më të mira të Kategorisë Superiore. Por, kjo nuk do të thotë që ata do ta kenë të lehtë takimin e parë në Shijak. Erzeni do të zbresë nesër (sot) në fushë me formacionin e saj më të mirë, sepse dihet që skuadra jonë është në katërshen më të mirë të Grupit A në Kategorinë e Parë. Futbollistët janë të mobilizuar për të dhënë më të mirën e tyre në ndeshjen me fqinjët nga Durrësi dhe pa dyshim do të synojë një rezultat sa më pozitiv”, kështu u shpreh fillimisht tekniku, fill pasi mbylli seancën stërvitore.

Më tej, ai u dha një “SMS” edhe lojtarëve që nuk kanë marrë minuta në kampionat, ndaj pret që ta shfrytëzojnë shansin që do t’u jepet në Kupë për të treguar veten. “Takimet e Kupës janë një shans i mirë për ata lojtarë që duan të tregojnë veten. Meqenëse hapësirat në kampionat i kanë pasur minimale, pres që t’i shoh sot (nesër). Duket qenë se ky raund luhet me sistem vajtje-ardhje, pres që kjo ndeshje e parë të jetë sa më cilësore. Mjafton të prodhojmë futboll, pasi kualifikuesja do të përcaktohet në ‘Niko Dovana'”, përfundoi numri një i pankinës së shijakasve.

Fiqiri Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"