Paradoksi, Briken Calja: Akoma s’kam marrë lekët e Europianit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 15:53

Paradoksi, Briken Calja: Akoma s’kam marrë lekët e Europianit

Vetëm 10 ditë më parë, Briken Calja u rendit në vendin e gjashtë në Kampionatin Botëror të peshëngritjes, që u zhvillua në Ashgabat të Turkmenistanit. Sportisti elbasanas, edhe pse i dëmtuar dhe jo në maksimumin e formës së tij fizike, arriti të marrë një rezultat mjaft të mirë në eventin madhor të shtangës, ku me klasifikimin si i 6-ti në botë theu edhe pesë rekorde kombëtare, duke grumbulluar pikë shumë të rëndësishme që do t’i vlejnë për të siguruar kualifikimin për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

calja

EKSPERIENCA NË BOTËROR

Calja, i cili mori pjesë në këtë kampionat mes shumë vështirësive fizike dhe me një mungesë totale mbështetjeje nga ana e shtetit, rrëfen eksperiencën e tij në Turkmenistan: “Kam marrë pjesë në Kampionatin Botëror. ku nuk kam pasur në dispozicion doktor apo fizioterapist dhe më ka dhënë ndihmë fizioterapisti gjeorgjian.

calja

Diçka jonormale pasi unë në këto gara jam kundërshtar i tyre dhe fare mirë ai mund të bënte diçka për të më nxjerrë jashtë gare. Unë kam arritur të marr rezultate falë këtij doktori si në Kampionatin Europian, gjithashtu edhe tani në Botëror, pasi kam qenë i dëmtuar. Ky sukses i përket edhe atij, sepse më ka dhënë ndihmë, ndonëse më ka pasur kundërshtar. Kjo është diçka vërtet alarmuese për një shtet, që të paraqitet në veprimtari të tilla pa stafin e nevojshëm që i duhet një sportisti”.

OBJEKTIVAT

Më pas, 28-vjeçari nga Shtërmeni flet edhe për gjendjen e tij aktuale dhe objektivat që ka për garat e ardhshme: “Jam i 24-ti në listën e sportistëve në Lojërat Olimpike, kur në listë janë mbi 600 sportistë, ku kam lënë pas vetes medalistë botërorë.

briken calja

Tani kam si synim Kampionatin Europian që do të zhvillohet në prill, pasi edhe ky kompeticon është kualifikues për në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’ dhe nëse e ruaj këtë rezultat, do jem me siguri në Olimpiadë. Në këtë event kam si objektiv vetëm zonën e medaljeve dhe jam shumë i bindur që do arrij sërish të fitoj tri të tilla, për ngjyrën nuk mund të flas, por ajo që premtoj është që do të arrij podiumin”.

ÇËSHTJA E SHPËRBLIMIT

Ndërkohë, dy ditë pasi Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që përcakton kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen e “sportistëve elitarë”, sportisti kuqezi rikthehet të flasë për “kalvarin” e çështjes së shpërblimit për shpalljen si kampion i trefishtë në Kampionatin Europian të zhvilluar rreth tetë muaj më parë në Rumani. Ai tregon që ende nuk është shpërblyer plotësisht për këtë rezultat të jashtëzakonshëm, por ka marrë vetëm një të tretën e shumës. “Deri tani më kanë kaluar një pjesë të shumës, bëhet fjalë për rreth 11 milionë lekë të vjetër.

calja

Kjo është diçka e pashpjegueshme, ku vetë Kryeministri ka deklaruar që sportistët duhet të marrin atë që u takon me ligj. Nuk arrij ta kuptoj se pse duhet të çalojë ky problem tek unë, ku të gjithë sportistët e tjerë i kanë marrë shpërblimet e plota, ndërsa mua po më zvarrisin për një kohë kaq të gjatë duke më shpërblyer me këste.

Këto para që më takojnë me ligj, normalisht që do t’i marr, por është anormale të krijohet një situatë e tillë për tetë muaj. Kam pasur kontakte edhe me një deputet për këtë çështje dhe e gjitha kjo është paradoksale, pasi këtë gjë duhet ta zgjidhin institucionet apo Ministria e Sporteve dhe nuk më takon mua si sportist që ta ndjek.

Në vend që Ministria të interesohet për mua si një sportist pretendent për Lojërat Olimpike apo të pyesë se çfarë të ardhurash apo trajtimi kam unë si sportist, jam unë ai që kam mbetur gjithë këto kohë duke ngritur zërin për diçka që më takon me ligj dhe kjo situatë është vërtet e turpshme”, përfundoi prononcimin për “Panorama Sport” peshëngritësi Briken Calja.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"