Organizim special për transfertën/ AF Elbasani, për të “pushtuar”… Pogradecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2022 | 11:22

Organizim special për transfertën/ AF Elbasani, për të “pushtuar”… Pogradecin

Elbasani bëhet gati për të “pushtuar” Pogradecin.

AF ELBASANI AF LUFTETARI

Të dielën në 14:00, verdheblutë do të luajnë një transfertë delikate në Pogradec, me një nga skuadrat që konsiderohet si rivale për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.

Motivimi nga lojtarët e Elbasanit do të jetë maksimal, pasi klubi pritet të vendosë në dispozicion një premio speciale në rast fitoreje. Gjithashtu, skuadra do të ketë edhe një motivim ekstra, atë të tifozëve.

Grupimi ultras “Tigrat Verdheblu” ka nisur organizimin për të qenë sa më të shumtë në numër në Pogradec dhe ka konfirmuar mbështetjen në këtë transfertë.

Nga ana tjetër, klubi do të vendosë autobusë falas në dispozicion për të gjithë tifozët që pritet të shkojnë për të parë ndeshjen në stadium.

Edhe pse klubi pogradecar ka vendosur çmime disi të “kripura” për këtë kategori, ku një biletë për në sektorin e elbasanasve do të kushtojë 500 lekë (të reja), sërish ky fakt nuk i ka stepur tifozët që të nisin organizimin.

Në sfidën e parë ndaj Luftëtarit, të luajtur në “Elbasan Arena”, ishin afro 3 mijë të pranishëm, por tashmë suporti nuk do të mungojë as në transferta. Elbasani njihet për nga tifozëritë më të shumta në numër, duke mbushur çdo stadium në kohët e arta kur u shpallej kampion (2005-2006).

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"