Vllaznia ra, apo e rrëzuan ?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2018 | 20:14

Vllaznia ra, apo e rrëzuan ?

ADRIATIK DOSTI

adriatik dosti

Futbolli në Shkodër është FE dhe Shkodra padyshim është Djepi i futbollit shqiptar dhe nuk ma do mendja se dikush mund të guxojë t’i vërë dot në dyshim pohimet e mësipërme, apo qoftë edhe të guxojë e të më kontestojë dot për ç’ka pohoj më sipër.

E para skuadër e futbollit shqiptar tashmë do të duhet ta festojë për turpin e traditës e historisë së saj brilante e për Krye – turpin e atyre që e drejtuan këtë sezon dhe të atyre që mbajtën veshur fanellën mitike të saj gjatë këtij edicioni. 100 vjetorin e themelimit të vetne rënien për herë të parë në historinë e saj në kategorine inferiore e larg më të mirave të futbollit shqiptar…

Shkodra, fabrika që me Miellin (lojtarët) e prodhuar ka dekada të tana që furnizon Shqipërinë me Buke, tash ka mbetun pa Bukë për vedi… pa lojtarë e pa ekip, ndaj Shkodra e Xan Rragamit, P.Ndojes, Bizit, Zhegës, të paktën e këtyre Krye-mjeshtrave të futbollit shqiptar e të sa e sa Mjeshtrave të tjerë të mëdhenj ndër vite që dikur shpalleshin Kampionë e Fitues të Kupës së Shqipërisë ka të drejtë morale, njerëzore e sportive të jetë në ZI e përtej zisë…

vllaznia

Mos kërkoni t’ja vini fajin të tjerëve. Jo po pse nuk ua la ndeshjen Partizani juve, apo pse Skënderbeu ia la Teutës, a do ta mundi Laçi Kamzën për favorin tuaj, e dokrra të tjera kësisoj…

Në Shkodër i kishit edhe Partizanin, edhe Kamzën edhe Teuten edhe Laçin e këdo tjetër. Pse nuk i mundët e t’i linit pas vetes pa pritur ndere e shpërblime prej të tjerëve siç bënë Teuta e Kamza që nuk falën askënd në fushat e tyre e nuk pritën e llogaritën sa po dilnit ju gjithkund?

E rrëzuan apo ra…?

Dikush punoi e kontribuoi që ajo të rrëzohej. Shumë të tjerë s’u lodhën duke bërë ç’kishin në dorë që ajo të binte në këtë farë humnere turpi që askush nuk kish guxuar ta çonte ndër mend e jo më tash ta ketë realitet tejet të hidhun e mandej jo vetëm për Shkodrën, por për të tërë historinë e futbollit shqiptar në tërësi.

Prej disa vitesh në këtë gjendje e në këtë situatë… herë ekip i Bashkisë e herë ekip i askujt. Herë ‘hë se po biem sivjet’ e herë ‘ishalla po shpëtojmë edhe vitin që vjen…’.

Vllaznia u shndërrua për fatin e keq të saj si puna e asaj parullës së djeshme të komunizmit që thoshte se “Pasuria socialiste është pronë e përbashkët…”, dhe në fakt të gjithë e dinim fort mirë se qe e ASKUJT… dhe asnjërit prej nesh.

Dhe sigurisht si peng i politikës, por edhe i Bashkisë për vite me radhë Vllaznia as që mendohej të kish fat tjetër veç këtij që askush nuk e dëshironte kurresesi.

Dhe çdo gjë e ka një limit..e ai ja tek mbërrini..

Duan apo nuk duan ta besojnë në Shkodër e në tan Shqipnin …ajo Vllaznia e dashtun e krenaria e tyre tashmë është e rrëzume prej ma t’mirave të futbollit shqiptar… të paktën logjikisht.

Vetëm ndonjë lloj shpikje e re dhe “model FSHF” mund t’i baj derman kësaj Vllaznie të sotme për mos me e turpnu fare e marrisht… siç bënë një vit më parë me Tiranën… legjendën e krenarinë tjetër të madhe të historisë së futbollit shqiptar.

Me një buxhet prej gati 1 miliard e 200 milion lekesh ne sezon ..e gati me mbi 1 miliard lekë të tjera borxhe të mbartura nga e djeshmja, të gjitha këto para të taksa-paguesve shkodranë, këtë Vllazni të sotme e vret Zoti po të qahet për para, shpenzime, harxhime, kushte, stadium, tifozë, etj etj.

Fazat përgatitore, ashtu si ekipet më të mira të vendit i ka bërë brenda e jashtë Shqipërisë, ku ka dashur e si ka dashur.

Rrogat i ka të niveleve të larta ani edhe pse niveli i atyre që firmosin për to, lojtarë, trajnerë e drejtues, është ndër nivelet më të ulëta të Superiores. Rezultatet flasin vete ndaj “no coment…”.

Keq-menaxhim klubi si askund tjetër. Abuzime e shpërdorime pa fund tek mendon dështimet e merkatove të prag fillim sezonit e po ashtu edhe asaj të dimrit. Tek gjykon që yje të futbollit shkodran luajnë sot për Kukësin, Laçin, Teutën, Flamurtarin, Partizanin, etj etj dhe askush nuk mban përgjegjësi pse dhe si u larguan ata prej Vllaznisë. Çfarë fitoi klubi prej tyre e çfarë humbi, për të mos përmendur të larguarit nga Shqipëria që një zot e di si e pse kanë ikur, ku janë e çfarë bëjnë. Sa janë shitur dhe si janë shitur? Çfarë kontratash ka Vllaznia me klubet e tyre e me ta etj etj…

Ku janë, ku shkojnë e kush i menaxhon talentet pa fund që dalin nga Akademia e Vllaznise? Çfarë roli e çfarë përgjegjësie ka në rastet në fjalë Aksioneria kryesore dhe e vetme e saj sot për sot… Bashkia e Qytetit…?

E pra Shkodra e Shqipëria kurrë nuk kanë parë më parë një Vllazni të tillë të dorëzuar prej vitesh. Pa sedër, pa shpirt, pa grintë, pa karakter, pa dinjitet e pa personalitet, duke e bërë pis e më pis nja ‘t fanellë lavdie e legjende ndër dekada…

Askush nuk mban përgjegjësi, por të gjithë ia hedhin fajin gjithkujt e larg vetes së tyre e mandej faji bëhet Qyrk e Qyrkun askush nuk pranon me e vesh kësisoj me peshën e ngjyrën e Turpit…

Pse nuk privatizohet Vllaznia? Sepse e mban peng politika… e mandej kjo farë politike e ndyt luan me të si ping-pong dhe fundi po dihet… ky që është sot e kurrë më ndryshe. Më mirë nuk mund të ishte dot kurresesi e më keq se kaq nuk ka ku të shkojë më.

Krahasojeni Vllazninë e dikurshme të të ndjerit Myftar Çela që të impononte respekt jo vetëm për mënyrën se si funksiononte klubi, për trofetë e fituar e për anën e qëndrueshme e fitimprurese financiare… dhe menaxhimin bashkëkohor. Krahasojeni pra me këtë Vllazni të ktyre 4-5 viteve të fundit që vetëm Vllazni e Shkodrës nuk mund të quhet dot kurresesi. Asnjëherë JO…

Trajnerë që vetëm qahen e ankohen e madje të marrë nga ku të munden… lojtarë mediokër e pa ngjyrë që s’dalin kurrë prej formacioni dhe lojtarë të rinj, të talentuar e plot të ardhme që ngrohin stolin se kështu i do qejfi një trajneri për të nxjerrë kunj me dikë …

Stadiumin më të mirë në vend, tifozët më sportdashësit, më të mrekullueshmit e më objektivët saqë rrallëkush e bën atë që bëjnë shkodranët tek edhe pse në hallin e madh që janë, sërish duartrokasin kundërshtarin kur ai është më i mirë se ta e i mund me meritë e madje edhe brenda në Shkodër…

Në shkurt të vitit që vjen do duhet me kremtu 100 vjet “KF Vllaznia”… 100 e kusur vite futboll në Shkodër, por kujt po i ban zemra me e festu kët përvjetor legjendar? Kush po duhet me festu kur gjithkujt do t’i duhet me mbajt lotët prej zorit për turpin që këta që veshin sot këtë fanellë as që po duan ta njohin e jo më ta ndjejnë sadopak rëndësinë e peshën e saj?

Faji është i shumëkujt, por më së pari i atyre që veshin fanellën dhe e bënë pis, e ndotën si kërkush më parë në këtë histori 100 vjeçare të futbollit shkodran mbushur plot suksese, arritje, trofe, legjenda e emra mjeshtrash të tillë që të bëjnë t’u çohesh në këmbë në çdo çast prej respektit e mirënjohjes.

Vllaznia ra apo e rrezuan? Të dyja bashkë sipas meje. Shumëkush me budallallikun e vet, me dashakeqësinë e tij, me injorancën e padijen e vet, me kokëfortësinë e tangërllikun e tij, kontribuan dashje pa dashje në ramjen dhe rrëzimin e saj.

Stafi teknik, lojtarë, trajnerë, drejtues, pra pjesa profesionale sportive, etj. Padyshim mbajnë përgjegjësinë kryesore përpara Shkodrës e shkodranëve, por edhe para asaj fanelle që djeg goxha, por edhe peshon shume.

Dhe ajo çka ma së pari mendoj se e turpëron më së tepërmi këtë Vllazni dhe që e bën edhe më të turpshëm se sa është turpin e saj, është fakti që këta që mbajtën veshur fanellën hijerëndë të Vllaznisë 100-vjeçare nuk kishin me vete, në shpirt, në zemër, në mendje e në gjak asnjë nga karakteristikat e cilësitë tipike e dalluese ndër dekada teësaj, as shpirtin, as sakrificën, as sedrën, as grintën, as dinjitetin, as personalitetin, as karakterin, as ndjeshmërinë e mbi të gjitha kurrën e kurrës as edhe përgjegjësinë, qoftë individuale e qoftë kolektive. Ndaj ky fund ishte më së tepërmi sa i pritshëm, po aq edhe i pashmangshëm e tepër i lexueshëm, jo sot, por qysh dje e pardje dhe shumë vite më parë…

Jam mëse i sigurt se nga kjo Vllazni e sotme, sikur me i marr të tanë në provim e me i pyet për historinë, sukseset e trofetë e klubit apo edhe me ju thanë me përmendë të paktën nja 10 emra futbollistësh e mjeshtrash të shquar të këtij klubi e të futbollit shkodran, jarebi nja 2-3 mund ta kalojne provimin e askush tjetër… Qofshin këta shkodranë e aq më pak qofshin edhe jabanxhinj.

Ndaj me dhimbjen e një njeriu të hershëm të sportit e të futbollit në veçanti, me dashurinë e respektin e pafund për gjthëçka që Vllaznia i ka dhënë Shkodrës e futbollit shqiptar për vite e vite me radhë, me mirënjohjen, dashamirësinë dhe simpatinë time publike për atë qytet e atë popull fisnik, me konsideratën e veçantë për një mori emrash të nderuar që ditën fort mirë se si ta nderojnë e lartësojnë atë fanellë e atë emër klubi, me plot gojën jam i detyruar të them publikisht se Vllazninë më së shumti e për marren, turpin e fatin e keq të saj, e rrëzuan vetë shkodranët e saj. Po, po shkodranët gjakprishur të saj… Sa nga injoranca, po kaq edhe nga dashakeqësia… Sa nga padija po aq edhe nga ligësia…

“Zot më ruaj nga i imi se nga i huaji po dij vetë si me u rujt”,  thotë një fjalë e mençur e jona që në rastin e Vllaznisë ka kuptim më të plotë se kurrë…

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"