Olsi Rama: Duam titullin e vitit 2016, ja çfarë më tha vëllai kur u bëra drejtor i Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2017 | 10:24

Olsi Rama: Duam titullin e vitit 2016, ja çfarë më tha vëllai kur u bëra drejtor i Partizanit

Olsi Rama ka premtuar goditje të mëdha në merkato për Partizanin. I ftuar në “Procesin Sportiv”, vëllai i kryeministrit, i cili tashmë është emëruar Drejtori i Përgjithshëm i klubit të kuq, ka thënë ndër të tjera edhe se ka mbetur i zhgënjyer nga futbolli shqiptar në fillim. “Drejtor i Përgjithshëm në klub, do të thotë të merrem me të gjithë aspektet, në anën administrative dhe sportive. Sapo e kam nisur si punë, por të merr shumë kohë”, deklaroi ai.

olsi rama

Dhuna

“E lidh me nivelin e sportit në Shqipëri, i cili nuk është në stadin e duhur, kryesisht nga infrastruktura. Ndryshe të shkosh në stadiumin e Shkodrës dhe ndryshe në Përmet, ku vetë infrastruktura nuk ka lidhje. E dënoj faktin kur shkoj në stadium e dëgjoj të shara.

Stadiumi duhet të jetë arenë feste, për vetë pasionin që kanë të pranishmit. Duhet të kishte sa më shumë femra, vajza e fëmijë për të kaluar momente festive. Kjo nuk ndodh, madje edhe unë si prind nuk do kisha guxim t’i merrja fëmijë me vete, pasi agresiviteti është ekstrem në stadium.

Ideja vetëgjyqësisë në futboll do të thotë që besimi ka humbur që në rrënjë”.

Pragndeshja me Teutën

“Nuk ndikova unë te lejimi i hyrjes së tifozëve në stadium. Kam përshtypjen se situata para ndeshjes me Teutën me tifozët ndodhi si rrjedhojë e ngjarjes së  një nate më parë në “Asllan Rusi”. Mos marrëveshja mes dy grupime, pasi kishin një pakt mes tyre  për të mos shkuar në ndeshje respektive dhe tifozët e Tiranës kishin tentuar të shkonin. Diçka jashtë normave, pasi dyert duhet të jenë të hapura për të gjithë.

Kërkesa për kartë identiteti nuk ishte bërë e ditur një ditë më parë, ndaj kjo e prishi spektaklin. Shqiptarët nuk e kanë për zakon ta mbajnë me vete kartën çdo ditë, ndonëse në Amerikë e mbajnë të gjithë me vete mjetin e identifikimit”.

olsirama

Oficeri i sigurisë…

“Situata nuk është aq e zezë. Te Partizani gjeta struktura më të mira se sa i mendoja më parë. Është me detyrim për klubet që duan të marrin pjesë në Kupat e Europës të kenë oficerin e sigurisë, gjë që do kërkohet për sezonin pasardhës. Pra, klubi do të ketë njeriun që të merret me tifozerinë që të merret me problematikën e tyre. Kjo është e domosdoshme. Rregullat janë të rendësishme, plus marrëdhëniet mes palëve. Tifozi është i klubit, jo klubi i tifozit”.

Si e gjeta futbollin…

“Pas kthimit nga Amerika u zhgënjeva nga niveli i strukturave, lojës dhe kompeticionit. Ishin disa ndeshje që vetë tifozët qeshnin me ato që ndodhnin në fushë. Tani nuk ndodhin këto situata, por tregu nuk është aty ku duhet të jetë. Ka akoma shumë amatorizëm në bërjen e gjërave, mungon programimi. Duhet të funksionojë sistemi zinxhir, pasi akademia është e ardhmja.

Që Partizani të bëhet ekip i madh duhet të krijojë një akademi funksionale dhe të nisë programimin si klub. Pashë një ndeshje të U-19. Kishte disa lojtarë premtues, por jo të një nivelit për ekipin e parë. Duhet të jemi më shumë krijues talentesh, tu hapim dyert talenteve. Si basketbollist i përkas një brezi ku kishte një rregull që në ekip duhet të kishte me detyrim lojtarë me moshë 18-vjeçare”.

GJYQTARËT…

“Më kujtohet një thënie e një arbitri të njohur në NBA: ‘Arbitri më i mirë është ai që nuk duket në fushë’. Tendencat janë në futbollin tonë, kjo është ajo që i bënë ata protagonistë. Nuk dua të merrem me gabimet e tyre, por me gabimet që bëjnë lojtarët tanë në zonën e pesëmetërshit”.

AFRIMI I NJË BOMBERI…

Pyetjes se pas sistemit të drejtorëve, a do të gjejë Partizani një bomber të përgjithshëm, Olsi Rama iu përgjigj: “Do të gjejmë më shumë se një bomber”.

FITORJA ME TEUTËN…

“Janë ndeshje të vështira me këto lloj ekipesh, veçanërisht ndaj Teutës, që luan me lojtarë të rinj dhe me agresivitet. Edhe në fazën e parë patëm probleme, fituam me fat, jo me meritë ndaj tyre në Durrës. Në ndeshjen e fundit patëm fat. Fat dhe përgëzoj djemtë për këmbënguljen për të luajtur deri në sekondën e fundit. Këto janë fitore të rëndësishme, pasi handikapi i pikëve që humbëm gjatë fazës së parë na bën që ta shohim më larg objektivin që kishim. Tani po afrohemi”.

RIKTHIMI I STAROVËS…

“Rikthimi i Starovës është një bast i fituar që në nisje. Ai gëzon një integritet tekniko-taktik në ekip, pasi i njeh lojtarët dhe si ata luajnë. Kjo na ndihmoi. Ka bërë edhe eksperimente, por ka fituar lojtarët veteranë. Lojtarët e vet që ka drejtuar edhe më parë u janë përligjur kërkesave të tij”.

MERKATO DHE TITULL…

“Deri sa matematika të mos na dënojë, besojmë. Asani e tha i pari, mbase me dëshirën e të riut, por unë them se për këtë do të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Telushi nuk është zyrtare, por ka shprehur dëshirën që të jetë pjesë e Partizanit, ashtu si në të shkuarën. Kemi gjetur akord të përgjithshëm. Braziliani Lukas nga Pleisteri është një përforcim i mirë për ne, pasi luan në krah, por edhe pas sulmuesit kryesor. Jemi në kërkim dhe kemi shumë dashamirës dhe të gjithë vijnë të trokasin te dera. Do të krijojmë edhe një sektor të skautëve, që të shikojmë akademi të ndryshme, kategoritë inferiore, tregun nga Kosova, por edhe rajonin, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Italinë. Janë disa lojtarë që më kanë pëlqyer gjatë këtyre viteve. Telushi ka qenë një nga ata që më ka pëlqyer, jo sa i përket anës karakteriale, por nga cilësia si lojtar. Djemtë e Gjirokastrës, Abazaj, Bregu, Rroça, Aleksi. Edhe Çyrbja i Teutës është një lojtar simpatik. Po përmend edhe lojtarë të Skënderbeut, Gavazaj dhe Taku. Po flas për simpati personale, jo për merkato”.

olsi rama partizani selman stermasi

MOXHI…

“Moxhi do të ketë rolin që ka pasur, këshilltar i presidentit, për të dhënë eksperiencën e tij. Ai është një profesor i futbollit botëror. Roli i tij është ndryshe këtu, jo si në Itali që ka qenë 24 orë pranë ekipit. Më pëlqen se është shumë instruktiv sa i përket ndërmarrjes së futbollit. Ky është drejtimi që duhet të marrë, pasi futbolli tani është biznes, jo vetëm dëfrim. Më ka bërë përshtypje tek ai ndarja e detyrave. Moxhi thotë: ‘Ndalo, e bëj punën tënde, jo të shefit tënd’. Moxhi tani është më i lidhur me Partizanin dhe e shikon si një sfidë të vetën, ku kërkon të ndihmojë në ndërtimin e një strukture të qëndrueshme që të prodhojë talente dhe të jetë solide financiarisht, dhe jo vetëm për të synuar një kualifikim në Kupat e Europës. Pra, të krijojmë talente dhe të mbushim arkat e klubit”.

PUNA SI DREJTOR…

“Në momentin që merr përgjegjësinë për një detyrë të tillë, heq dorë nga ndjesitë, pasi kërkohet mendje e ftohtë. Nuk duhet të nxitohesh. Detyrohem të heq dorë edhe nga festimi i një goli për të mos kapur ndonjë kamerë (qesh)”.

TITULLI I SEZONIT 2015-2016

“Një nga gjërat e para që kam bërë kur kam mbërritur te Partizani kam folur me juristin e klubit, ku i kërkova atij të hartonte një letër për të kërkuar titullin. Letra është dërguar në FSHF dhe presim përgjigje. Mendoj se e meritojmë atë titull për atë që kemi treguar atë sezon, por kam mësuar se federata pret përgjigjen e Apelit nga UEFA për të vendosur. Unë e bëra kërkesën time. Gjithsesi, ne kemi durim, presim”.

MIRATIMI NGA VËLLAI KRYEMINISTËR…

Pyetjes se a ka diskutuar me vëllanë e tij, kryeministri Edi Rama, për këtë detyrë dhe çfarë i ka thënë ky i fundit, drejtori i të kuqve iu përgjigj: “Po, kam diskutuar dhe e ka pranuar. Edi ka besim tek unë”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"