U shkarkua pas përplasjes me disa “pesha të rënda”, Ançeloti kthehet në tokën e komplotistëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 22:22

U shkarkua pas përplasjes me disa “pesha të rënda”, Ançeloti kthehet në tokën e komplotistëve

Karlo Ançeloti do të rikthehet sot në Mynih dhe në “Allianz Arena”. Trajneri italian i Realit të Madridit rikthehet në atë që ishte shtëpia e tij mes verës së vitit 2016 dhe fundit të shtatorit 2017. Në Gjermani, siç ka bërë në çdo Ligë që ka kaluar, Karleto ishte kampion.

anceloti bayern

Nën drejtimin e tij Bajerni fitonte në vitin 2016 Bundesligën me 15 pikë avantazh kundër Lajpcigut. Megjithatë, për të nuk ishte një sezon i lehtë. Ançeloti mbërriti në Mynih për të “trashëguar” punën e bërë nga Pep Guardiola, me gjithçka që nënkuptonte si në nivelin e lojës ashtu edhe në organizim. Sezoni, i cili do të ishte i jashtëzakonshëm, u prish jo pak në muajin prill 2016.

Në datën 18, pavarësisht se e shtyu Madridin në kufijtë e tij në “Bernabéu” pas fitores së spanjollëve 1-2 në “Allianz Arena”, Reali eliminoi Bajernin e Ançelotit në kohën shtesë për të arritur në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve. Më 26, në shtëpinë e Bajernit, Borusia Dortmund arriti në finalen e Kupës, pasi kapërceu një deficit 2-1 me golin e Dembelesë. Bundesliga, e siguruar javë më parë, konsiderohej pak. Erdhi vera dhe dy zëra autoritarë u larguan nga Bajerni (Lahm dhe Ksabi Alonso) dhe Ançeloti kërkonte të ndryshonte gjërat. Dhe kjo në një klub si Bajerni nuk është një gjë e thjeshtë.

Veteranët e skuadrës bavareze e kuptuan se këto lëvizje nuk përshtateshin me mënyrën e tyre për të kuptuar se çfarë duhet të ishte Bajerni. Dhe Ançeloti nuk zgjati thuajse fare në sezonin e ri. Një humbje 3-0 në shtëpinë e PSG-së (Dani Alvesh, Kavani dhe Nemar) shënoi fundin e epokës së italianit te Bajerni. Në Mynih nuk pati mëshirë. Sanjol e zëvendësoi për një ndeshje dhe më pas u emërua Hajnkes, trajneri që fitoi tripletën në vitin 2013. Formacioni titullar në Paris u kuptua si një provokim. Sepse Ançeloti la në stol lojtarë kalibri si Roben, Riberi dhe Humels. Prej tyre hyri si zëvendësues vetëm holandezi, në minutën e 69-të, me rezultatin e fiksuar 3-0 për Parisin. Gjithashtu nga stoli erdhi dhe… Myler. Noier, i dëmtuar, nuk udhëtoi. Ishte e lehtë për shumë të identifikonin pesë personat për të cilët fliste Hënesi.

ROBEN TALLËS – Ançeloti nuk foli kurrë keq për Bajernin dhe atë që përjetoi në 15 muajt që ishte në krye të ekipit gjerman. Nuk ndodhi e njëjta gjë nga bavarezët. Hënes tha se kishte pesë veteranë kundër tij. Myler deklaronte se që nga largimi i Guardiolës, skuadra dukej si Perëndimi i Egër. Çdo gjë mund të ndodhte. Roben shkoi më tej: “Djali im stërvitet më shumë sesa ne me Ançelotin”. Ishte e qartë se diçka ishte thyer. Gjithashtu kodet nuk respektoheshin gjithmonë. Tani, Myler me shokë do të kryqëzohen sërish me Karlo Ançelotin.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"