Pikantet Kukësi-Teuta/ Gallatë me fanellën e Zenës: Talento i thërrasin dhe këtij!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 23:20

Pikantet Kukësi-Teuta/ Gallatë me fanellën e Zenës: Talento i thërrasin dhe këtij!

Ishin disa momente pikante gjatë ndeshjes mes Kukësit dhe Teutës, ku veçohet batuta e zv.trajnerit të vendësve, Kërnaja.

WhatsApp Image 2024-04-28 at 16.34.35 (1)

*Edhe pse ishte një kohë mjaft e mirë dhe ditë e diel, interesimi i tifozëve ka qenë shumë i vakët. Me një Kukës të rënë nga kategoria, është mëse e kuptueshme që tifozët janë të zhgënjyer. Të pranishëm ishin edhe një pjesë e vogël e ultrasve nga qyteti i Durrësit.

*Me shiritin në krah, ndeshja e Redon Dragoshit zgjat vetëm 8 minuta, për shkak të një dëmtimi. I pafat mbrojtësi, pasi prej kohësh vuante nga një dëmtim i gjatë dhe vetëm kohët e fundit u rikthye në fushë.

*Për një top që po dilte tej vijave kufizuese dhe i dyshimtë, është zv/trajneri i Kukësit, Oltion Kërnaja, që bën me dije se topi nuk ka dalë 100% që të konsiderohet si jashtë perimetrit të fushës.

*Devolli i kërkon gjyqtarit të 4-t të ndërhyjë për aksionet që janë afër tij, për të sinjalizuar gjyqtarin. “Po e ke një metër afër more, thuaji që ishte faull”, ia behu tekniku i bluve për një ndërhyrje që nuk u dha në favor të lojtarëve të tij.

*Kotobelli ndërhyn ashpër ndaj Solodovnikov, që mbetet i dëmtuar. Pak minuta më pas sulmuesi që gjen momentin dhe i kthen “reston” po me një ndërhyrje të ashpër, duke marrë “hak” shumë shpejt.

*Marius Zena u detyrua të luante me fanellën e një shoku të skuadrës, atë me numrin 7. Emri mbi shpinë ishte i mbuluar, sepse kjo fanellë i përkiste Talentos, i cili është larguar nga Kukësi. Një moment i ikën ngjitësja dhe detyrohet të dalë jashtë fushe për ta mbuluar emrin, me Kërnajën që lëshon batutën ndaj gjyqtarit të katërt. “Talento i thërrasin edhe këtij”.

*Devollin e lëshojnë nervat një moment, pasi sheh që lojtarët e tij nuk u përgjigjen në fushë udhëzimeve. Ai kthehet nga stoli dhe bërtet: “A bëjnë me ne stërvitje këta mo”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"