EKSKLUZIVE/ “Tirana më mirë që mbeti jashtë katërshes”, Ledio Pano: Ora e së vërtetës, Partizani për kampion (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2024 | 23:57

EKSKLUZIVE/ “Tirana më mirë që mbeti jashtë katërshes”, Ledio Pano: Ora e së vërtetës, Partizani për kampion (E PLOTË)

Kemi hyrë në fazën më vendimtare të sezonit, ku Partizani sfidon nesër Skënderbeun në gjysmëfinalen e parë të “Final 4”.

Ledio Pano, ish-kapiten i Partizanit

Ledio Pano, ish-kapiten i Partizanit

Ledio Pano, ish-mesfushor i shquar i të kuqve, i bën një analizë të hollësishme të kuqve, të cilët i sheh kampionë në fund të sezonit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri shprehet se kundër korçarëve nuk e sheh të lehtë, por pret që “demat” të japin përgjigjet e duhura dhe të prekin finalen e madhe.

Ledio, a shkuan skuadrat më të mira në “Final 4”?

Surpriza ishte kualifikimi i Skënderbeut, sepse për tri skuadrat e tjerë kishte javë që flitej dhe ishin më të sigurta për “Final 4”. Befasia u bë javën e fundit, ku Skënderbeu mori gjithë vëmendjen. Unë besoj se e meritoi, sepse ka bërë ndeshje të mira. Gjatë gjithë kampionatit ka treguar nivel të kënaqshëm, me lojëra të bukura, dëshirë për të fituar dhe besoj se e ka merituar.

Por pati polemika për ndeshjet e zhvilluara në Rrogozhinë dhe në Shkodër në javën e fundit…

Dy ndeshjet në Rrogozhinë dhe në Shkodër treguan nivelin e dobët të futbollit shqiptar në vetë karakterin e kësaj loje, me lënie ndeshjesh dhe miqësi. Ndoshta mund ta lehtësojë pak Egnatian fakti se kishte një finale për të luajtur kundër Kukësit dhe vëmendja ishte atje. Kushdo të ishte në pozicionin e Egnatias, vëmendjen do ta s’postonte te ndeshja e pas tri ditëve dhe i lejoheshin ndryshimet. Por ajo që ndodhi në Shkodër ishte e turpshme, sepse një ekip si Vllaznia, me një histori të madhe, nuk duhet të bëjë të tilla gjëra. Për mua është turp i atyre që e menduan këtë, pavarësisht rrethanave që mbaroi ndeshja dhe çfarë llogaritej para saj. Aktivizimi i 19-vjeçarëve për mua ishte jonormale.

Ju bind për titullin kampion Partizani i këtyre 36 javëve?

Partizani ka pasur luhatjet e veta. Ka pasur mungesa, dëmtime të shumta. Nuk ka qenë Partizani që dëshirojmë të jetë, por unë them se i ka të gjitha mundësitë. Është ora e së vërtetës dhe besoj se do të japë maksimumin në këto dy ndeshje të fundit.

Të premten përballen me Skënderbeun. Si e prisni?

Ndeshja me Skënderbeun është një ndeshje shumë e vështirë nga ana psikologjike, jo nga aspekti i cilësisë. Sepse ka një ekip me cilësi më të mëdha se Skënderbeu. Korçarët janë më të lirshëm, pasi tashmë i kanë plotësuar objektivat e tyre dhe nuk kanë presion. Partizani e ka më të domosdoshme për të kaluar në finale. Kjo mund të ndikojë pak, por në fund pres që Partizani të shkojë në finale. I ka të gjitha mundësitë për tu shpallur kampion.

Egnatia luajti para dy ditësh në Kupë, trofe që e fitoi për herë të dytë radhazi. Si ju dukën rrogozhinasit?

E pashë ndeshjen me Kukësin, por pavarësisht se arriti të fitonte, për mua nuk ishte Egnatia që jemi mësuar ta shihnim në fillim të kampionatit me ritmin dhe lojën e bukur. Hasi vështirësi kundër një Kukësi, që ishte i rënë nga Kategoria Superiore, por dha maksimumin dhe e vuri në vështirësi shumë herë Egnatian. Kështu që besoj se Partizani ka nivelin dhe mundësitë për tu shpallur sërish kampion.

Të kuqtë shkojnë pas 5 fitoreve radhazi në “Final 4”. Ju duket sikur skuadra po i përgjigjet më në fund si duhet trajnerit?

Padiskutim që edhe rikthimi i lojtarëve të dëmtuar ka rritur potencialin e Partizanit. Trajneri do kohën e vet në një skuadër. E dimë të gjithë se çfarë cilësish ka trajneri Shehi. Vjen momenti vetvetiu i lojtarëve që të shprehin atë çfarë trajneri i kërkon. Edhe pse mua nuk më kanë pëlqyer shumë ndeshjet, e rëndësishme është që kanë fituar dhe kanë treguar se kanë forcën për të qenë mbi të gjithë.

Sa mendoni se do ta ndihmojë Partizanin avantazhi i barazimit kundër Skënderbeut?

Në një ndeshje çdo gjë mund të ndodhë. Padiskutim, është një plus të kesh një rezultat më tepër se kundërshtari. Megjithatë unë mendoj se Partizani do të futet për ta fituar ndeshjen dhe nuk do të presë që të dalë barazim. Do të luajë siç e meriton dhe siç ka cilësinë e lojtarëve.

Ka edhe një avantazh tjetër, pasi luan në “Air Albania”…

Është një përparësi e madhe, me ato tifozë fantastikë që ka Partizani, siç janë “Guerrils”. Ai stadium të jep kënaqësi dhe shtysë të luash futboll, kështu që unë besoj se edhe Skënderbeu luan mirë në fusha cilësore, sepse ka lojtarë të rinj me cilësi dhe që e luajnë topin. Ka një përqindje plus Partizani, por nuk do të jetë determinante.

Skënderbeu është e vetmja skuadër që e ka mposhtur dy herë Partizanin në këtë sezon. Si ndikon ky fakt?

Për mua nuk ndikon fare. Partizani është Partizan dhe ka histori të madhe. Skënderbeu ka ndërtuar gjithashtu historinë e vet në vitet e fundit, por nuk është skuadra e atyre viteve. Mu bë qejfi që Korça është në “Final 4”, por besoj se deri aty mund të shkojë, duke parë edhe cilësitë e ekipeve të tjera

Po nga ana tjetër, a ju vjen keq që s’e kemi një derbi në “Final 4”?

Në momentin që ishte Tirana, mu bë qejfi që nuk është. Derbet kanë momentin e tyre dhe duan ekipe të forta. Në momentin aktual Tirana nuk ishte një skuadër për “Final 4” dhe në të gjithë kampionatin ka pasur luhatje të mëdha, derisa mbërriti në këtë pikë. Askush nuk e mendonte se Tirana do t’i mungonte “Final 4”, por ja që ndodhi.

A ka një lojtar të Partizanit që ka cilësinë dhe ftohtësinë të zgjidhë ndeshjet e mëdha?

Ka lojtarë cilësorë. Nuk ka lojtarë, që bien më së shumti në sy, por ka grup të mirë. Duhet të jenë më grup me njëri-tjetrin. Rikthimi i Carës dhe Hadrojt nga problemet fizike është shumë pozitive për të qenë sa më konkurrues dhe që Partizani të jetë sa më i plotë. Ka lojtarë që me cilësinë e tyre dalin herë pas here në pah.

DENIS LALA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"