EKSKLUZIVE/ Braziliani ka ofertë nga jashtë, tek Dinamo kanë dilema për Denison! Blutë priten me një sulm të ri sezonin e ardhshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2024 | 9:30

EKSKLUZIVE/ Braziliani ka ofertë nga jashtë, tek Dinamo kanë dilema për Denison! Blutë priten me një sulm të ri sezonin e ardhshëm

Mes lojtarëve që për fundojnë kontratën me Dinamon në fund të këtij muaji është edhe braziliani Denison. Pak kohë më parë klubi bëri me dije se kishte një akord verbal me këtë futbollist për të vazhduar më tej bashkëpunimin, por së fundi situata duket se ka ndryshuar.

dinamo

Qëndrimi i 26- vjeçarit, prej dy vitesh e gjysmë pjesë e bluve, nuk është më i sigurt. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi përfundimtar në lidhje me këtë lojtar, që kohët e fundit kishte ngjallur edhe interesin e Partizanit. Pikërisht në atë kohë u tha se nëse do të qëndronte në Shqipëri, braziliani do të vazhdonte me Dinamon. Pas mbylljes së kampionatit, që solli jo pak zhgënjim në kampin blu, pasi dy javë para fundit skuadra ishte në vend të 4-t dhe pastaj përfundoi në vend të 7-të, klubi nuk është i bindur për të vazhduar me sulmuesin anësor.

Denison ka shënuar 8 gola këtë kampionat, ku ka luajtur në të 36 ndeshjet e tij. Më së shumti ai ka luajtur në pozicionin e numrit 10, duke qenë se Dinamo nuk e ka një të tillë. Ai ka bërë ndeshje të mira, por edhe ka shpërdoruar shumë raste dhe kjo duket se është arsyeja që i ka bërë drejtuesit e Dinamos ta mendojnë edhe një herë rinovimin me brazilianin. Në fakt, me asnjë nga lojtarët në fund kontrate nuk ka pasur negociata për rinovim nga kryeqytetasit dhe këtu bëjnë pjesë emra si, Behiratçe, Marku, Bardhi Smaçi, Danaj dhe Allmuça.

KAZAKISTANI – Për Denisonin duket se ka edhe një pistë jashtë Shqipërisë për të ardhmen. Gazeta mëson se për këtë lojtar ka një ofertë nga një klub nga Kazakistani, emri i të cilit s’bëhet i ditur. Gjasat janë reale për një transferim të mundshëm të Denisonit në Kazakistan, ndërsa Dinamo nuk do të fitonte asgjë në këtë rast, sepse 26-vjeçfari është në fund kontrate. Ditët në vazhdim do të tregojnë më shumë për këtë çështje.

SULMI – Është e sigurt që sulmi i Dinamos sezonin e ardhshëm do të ndryshojë. Patjetër do të ketë zhvillime konkrete në merkato, ku do të kërkohet së pari një qendërsulmues, por edhe sulmues krahu. Klubi blu po sheh disa profile sulmuesish për të gjetur atë që do të ishte goleadori i bluve. Për momentin i sigurt nga sulmuesit duket vetëm Baton Zabërgja që luan në krahun e djathtë. Lorenco Vila dhe Veton Tusha janë më larg se sa afër Dinamos, ndërsa situata me Luis Kaçorrin dhe Ardit Tahirin është e hapur. Përveç tyre, Dinamo ka në organikën e saj dhe të riun Leo Ballhysa. Klubi ka kohën e nevojshme për të marrë vendime të matura. Deri në fund të muajit skuadra do të jetë në stërvitje dhe deri atëherë drejtuesit do të kenë dalë në konkluzione për çdo lojtar.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"