EKSKLUZIVE/ “Pres spektakël në Air Albania”, ish-portieri Kaçi: Presioni te “demat”, Skënderbeu nuk humb gjë (E PLOTË)
I dyzuar dhe me zemrën e ndarë në mes në këtë për ballje mes Skënderbeut dhe Partizanit, ikona e futbollit korçar, Jani Kaçi, e quan një ndeshje spektakli dhe shton se s’do të dalë i humbur, sido që të përfundojë rezultati.
Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-portieri i Kombëtares shprehet se pret një ndeshje të luftuar dhe të bukur për tu parë. Me Partizanin, që do të ketë ambicien dhe objektivin për të marrë maksimumin, por edhe presionin me vete, dhe me Skënderbeun e qetë dhe pa presion, që s’ka asgjë për të humbur. Apeli i Kaçit shkon edhe për tifozët që të shijojnë këtë takim dhe të ngrihen në nivelin e qytetarisë së dy ekipeve që përfaqësojnë.
Profesor, si e parashikoni ndeshjen Skënderbeu-Partizani?
Ka për të qenë një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet dhe do të jetë e tillë deri në fund. Partizani e ka pasur objektiv kryesor titullin kampion që prej nisjes së këtij sezoni. Prandaj edhe për këtë mendoj se do të kërkojë me çdo kusht që të kalojë në finale. Nisur nga kjo, mendoj që i gjithë presioni do të jetë mbi Partizanin në këtë takim. Kjo, për të gjitha që citova më sipër. Megjithatë, unë e njoh mirë ekipin e Partizanit dhe mentalitetin e tij. Kanë lojtarë cilësorë në përbërje, që janë të aftë të menaxhojnë presionin në ndeshje të tilla. Por që ka për të qenë një ndeshje e luftuar.
Pra, ju po thoni së Skënderbeu shkon pa presion në këtë takim?
Skënderbeu i ka arritur objektivat sezonal dhe normalisht që luan pa presion në këtë ndeshje. Nuk ka asgjë për të humbur dhe do të jetë më i qetë në fushë. Shkojnë në këtë ndeshje me besimin që Partizanit i kanë marrë shtatë pikë në katër ndeshjet e luajtura këtë kampionat dhe kjo për aspektin psikologjik do të thotë shumë.
Si Skënderbeu, ashtu edhe Partizani mbështeten shumë te përgatitja e lartë fizike dhe forma e mirë që po gëzojnë lojtarët në këto momente. Prandaj ka për të qenë një ndeshje e fortë në aspektin fizik, me përplasje të shumta në prapavijë dhe me dalje të shpejta në sulm.
Duke ju referuar këtyre që sapo thatë, mendoni se na pret një ndeshje e barabartë?
Ka për të qenë një ndeshje spektakli dhe e paparashikueshme deri në fund të takimit. Kemi për të parë një futboll të bukur dhe të shpejtë, pasi të dyja ekipet janë cilësore në lojën me top. Mendoj se do të triumfojë ekipi që do të gabojë më pak.
Duke ditur se jeni i dyzuar në këtë takim. Si do ta përjetoni ndeshjen?
Nga kjo ndeshje unë s’dal i humbur. Është nga ato takime që nuk do të mërzitem, kushdo që do të fitojë. Skënderbeu më rriti, Partizani më dha lavdi. Të dy presidentët, si Takaj, edhe Demi më respektojnë jashtë mase dhe i kam të dy shumë miq. Kështu që le të jetë një ndeshje e bukur si në fushë, ashtu edhe jashtë fushe, pasi futbolli bashkon, nuk ndan. Të dy tifozëritë le të ngrihen në nivelin e qytetarisë dhe të duartrokasin këdo që të fitojë në këtë ndeshje.
Luhet në stadiumin “Air Albania”. Do të jetë një arsye më shumë për të qenë spektakël?
Patjetër që po. Është një impiant, që të imponon ndeshje të bukura dhe të luftuara, ndaj shpresoj shumë që të shohim spektakël në fushë dhe në tribuna. Le të bëhen zë i rëndësishëm të gjithë së bashku për t’i hapur rrugë mbështetjes së Kombëtares në Europian.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"