“Nuk më keni parë ende në formë”, flet zbulimi i Kukësit: I kemi shanset për “Top-4”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2023 | 21:19

“Nuk më keni parë ende në formë”, flet zbulimi i Kukësit: I kemi shanset për “Top-4”

Mustafa Gbolahan, që të gjithë në Kukës e thërrasin Kango, duket se është një nga zbulimet e këtij sezoni në futbollin shqiptar. Nigeriani luan si një sulmues krahu te blutë dhe ka rënë në sy me shpërthimet e tij, madje duke shënuar edhe dy gola, respektivisht ndaj Partizanit dhe Dinamo Sitit.

SALAMI

Duket se i ka “qejf” ekipet e kryeqytetit për të shënuar, por në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” përpara sfidës me Tiranën, pranon se detyra e tij më së shumti është të krijojë raste për gol. Ai ka besim se Kukësi mund të shkojë edhe te katër skuadrat më të mira, ndërsa në aspektin personal mendon se mund të japë edhe më shumë.

Si po shkon aventura juaj në Kukës?

Mund të them që po kaloj mirë këtu për aq kohë sa kam. Shpresoj që Kukësi të ketë mundësinë për të hyrë në “Top4” me kalibrin e lojtarëve që ka. Ne e kemi potencialin për këtë gjë.

Jeni të kënaqur me paraqitjet që keni bërë?

Nuk jam 100% mirë dhe ashtu siç pretendoj unë. Dua ende të bëj më shumë dhe të bie në sy, sepse mendoj se mund të bëj më mirë.

Dy golat e shënuar nga ju erdhën ndaj Partizanit dhe Dinamos (dy skuadra nga kryeqyteti). A prisni të shënoni kundër Tiranës?

Unë jam një lojtar që nuk pres të shënoj gol në ndeshje, thjesht kam bërë punën dhe përkushtimin tim. Nëse golat vijnë, mirë. Por, mund të krijoj shumë raste që mund të na dërgojnë te goli.

Si ju duket futbolli shqiptar?

Futbolli shqiptar është pak a shumë njësoj si disa vende të tjera, intensiteti ishte shumë i lartë. Mendoj se është një eksperiencë e mirë për mua të filloj nga këtu.

SALAMI KUKESI

Deri ku mund të shkojë Kukësi këtë edicion, cilat janë objektivat?

Sinqerisht nuk na mungon asgjë, kemi ende shumë punë për të bërë në lojë. Unë besoj se do të arrijmë në pikën për të realizuar objektivat.

Tani që kemi luajtur me të gjithë kundërshtarët, i njohim më mirë dhe dimë çdo hap që duhet të ndërmarrim dhe bëjmë në lojë. Por, të shpresojmë se do të përfundojmë mirë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"