“Nuk do qaj, por do fitoj”, Alban Bushi: Jemi shumë të mirë edhe me 7 mungesa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 17:01

“Nuk do qaj, por do fitoj”, Alban Bushi: Jemi shumë të mirë edhe me 7 mungesa

 Trajneri i Kombëtares Shpresa, Alban Bushi, doli ditën e sotme në konferencën për shtyp ku bëri publike listën e lojtarëve të grumbulluar si dhe foli për 2 sfidat e muajit nëntor që kuqezinjtë do të zhvillojnë ndaj Kosovës dhe Anglisë.

Alban Bushi

 

Përballja ndaj Kosovës-  Në radhë të parë dua të flas për ndeshjen e parë, për Kosovën. Ne kemi një ekip me kualitete shumë të mira, por sidomos në repartin e sulmit, por kjo gjë vjen nga reparti i mbrojtjes sepse dalim shumë mirë nga mbrojtja në sulm. Dhe kjo gjë është për t’u pasur në konsideratë tek ekipi ynë dhe për t’i falenderuar se si luajnë këta djem kaq të rinj me një vizion kaq të madh. Ndeshja e Kosovës është si çdo ndeshje tjetër, ndeshja e radhës për ne.

Ne jemi të fokusuar 100% te kjo ndeshje, nuk duam ta humbim në asnjë mënyrë sepse vijmë nga një vazhdimësi shumë e mirë si me Austrinë, ashtu edhe me Andorrën. Do mundohemi të bëjmë maksimumin për ta fituar ndeshjen. Kemi lojtarë më të mirë se ekipi i Kosovës, kemi lojtarë më luftarakë se ekipi i Kosovës dhe do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje.

Brezi i artë dhe mungesat-  Unë mendoj që nga shumica e lojtarëve që vijnë nga moshat U-15, U-17, U-18, U-19 tek U-21 është një brez shumë i mirë, por kjo është një punë shumë vjeçare, pothuajse 10-15 vjeçare e Federatës që ne kemi arritur sot në këtë pikë, që kemi shumë lojtarë. Ne këtu nuk kemi, nga ndeshja e Austrisë mungojnë 7 veta, por kjo nuk do të thotë asgjë, ne do të jemi prapë një ekip shumë i mirë, do të luajmë shumë bukur futboll, kemi shumë lojtarë dhe do të presim shanset tona për të zënë një vend shumë të mirë mbase ndonjëherë nuk e ka zënë.

Prurjet nga ekipi i Laçit- Laçi ka pasur gjithmonë lojtarë të rinj, kjo është një strategji e klubit të tyre që i aktivizon lojtarët e rinj dhe është diçka e mirë dhe ia ka parë hajrin me thënë të drejtën sepse Laçi është një ekip shumë i fortë, shumë simpatik që merr pjesë çdo vit në kupat e Europës dhe ka shitur lojtarë dhe mendoj që duhet besuar te të rinjtë, i duhet dhënë dora të rinjve sepse po e shohim që kur i jepet dora, ata e tregojnë veten e tyre. Unë për vete jam i lumtur, sepse kanë dhënë shumë produkt në ekipet kombëtare, ekipi i Laçit.

Batuta e Rejas?- Jo, ai e ka thënë për batutë, por gjithsesi është një nga ato batutat që i shkon trajnerit Reja. Patjetër që, unë jo se ankohem, pasi është kënaqësi kur lojtarët e U-21 shkojnë tek ekipi i parë, por gjithsesi mendoj që mos të ankohem më. Tani nuk do qaj, por do fitoj.

Lojtarët e U-21 në ekipin A- Ne do kishim dëshirë që të kishim një ekip kompakt. E kemi ekipin kompakt, por të kishim ato lojtarë që kemi luajtur në fillim të edicionit. Por kjo nuk na e jep këtë mundësi, jo sepse Reja do t’i marrë, por ai ka nevojë t’i marrë, për shkak të pandemisë, dëmtimeve dhe normal që sytë hidhen tek U-21. Do të ishte mirë që ta kishim ekipin komplet dhe të luanim 6-7 ndeshje, të luanim me një ekip stabël. Por unë jam i kënaqur edhe me lojtarët e rinj që vijnë sepse ata futen direkt në stilin e lojës tonë. Dhe kjo është gjë shumë e rëndësishme. Janë lojtarë me kualitete shumë të larta, shumë të mira dhe do të jenë pretendentë për ekipin kombëtar A.

Përballja ndaj Anglisë – Unë mendoj që çdo stërvitje është vitrinë, për çdo futbollist që luan futboll. Sot në vitin 2020, nuk ka rëndësi është Anglia, është Kosova, janë stërvitje, unë mendoj që të bëhesh futbollist i madh, që të kesh ambicie të mëdha, duhet të japësh maksimumin në stërvitje, sepse nëse nuk jep maksimumin në stërvitje, nuk ke si jep maksimumin në ndeshje.

Patjetër që ndeshja me Anglinë, do kishte çdokush qejf që të luante dhe e kanë radhën këta për të treguar se çfarë mund të bëjnë. Por gjithsesi ne jemi shumë të fokusuar te ndeshja me Kosovën, sepse Kosova pavarësisht që thamë se ne kemi ekip më kualitativ se ata, por edhe pavarësisht se janë me lojtarë të rinj si puna jonë, por janë lojtarë që kanë  minuta, vijnë nga kampionat që është shumë interesant si kampionati i Kosovës dhe do jetë një ndeshje e luftuar, një ndeshje interesante.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"