Burreli fiton duelin e mbijetesës me Lushnjën. Hima: Sukses i madh. Magani: Qëndrojmë dhe e mbyllim të shtatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 12:47

Burreli fiton duelin e mbijetesës me Lushnjën. Hima: Sukses i madh. Magani: Qëndrojmë dhe e mbyllim të shtatët

Burreli mori një fitore të rëndësishme në përballjen me Lushnjën teksa ka fituar me rezultatin 2-0, duke u kthyer te fitorja pas katër humbjeve. Një finale mbijetese, që në fund mund të vlejë dyfish për matjanët. Loja ka filluar e shpejtë ku vendasit ushtrojnë presion të vazhdueshëm dhe arrijnë ta zhbllokojnë rezultatin në minutën e 6-të.

burreli lushnja

Pas një aksioni të bukur me protagonist Farukun, ai pason te Zani, i cili brenda zonës pason për Fetaj, që dërgoi topin në rrjetë dhe 1-0 për Burrelit. Tifozëria e shumtë matjane në “Liri Ballabani” kalon në delir dhe në kor mbështesin e ekipit të tyre. Në minutën e 11-të ka një zëvendësim të detyruara për Lushnjën, ku u dëmtua portieri Alimuçaj, të cilit iu dha ndihma e parë, por stafet mjekësore të dy ekipeve e dërguan në spitalin e qytetit për ti dhënë një ndihmë më të specializuar. Më pas, në fillim të pjesës së dytë, ai u rikthye në stadium pa problem shëndetësore, që është duartrokitur gjatë nga tifozëria e shumtë matjane.

Lushnjarët pas pësimit të golit zbresin hera-herës rrezikshëm, por mbrojtja matjane me në krye Dedgjonajn bëhet barrikadë e pakalueshme. Janë sërish vendasit që ushtrojnë presion duke e detyruar Lushnjën që të tërhiqet. Në fund të pjesës së parë, Zani kalibron një top brenda zonës mike, por mbrojtësi Kasmollari i Lushnjës, në tentativë për ta larguar “sferën” mbi traversë e ka zhytur atë në rrjetë dhe 2-0 për Burrelin.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Pjesa e dytë fillon me epërsi të vendasve, ndërkohë që miqtë zbresin hera-herës rrezikshëm në zonë, por mbrojtja matjane është në lartësinë e duhur. Zëvendësimet e kryera nuk dhanë ndonjë rezultat te Lushnja, që në fund të pjesës së dytë pati një rast ideal për të ngushtuar rezultatin. Gjyqtari Grimci akordoi penallti për lushnjarët, por Preknicaj gaboi nga pika e bardhë, pasi gjuajtjen e tij e priti portieri Dani. Gjithçka u mbyll në shifrat 2-0.

 

Hima: Sukses i madh ndaj një rivali direkt për mbijetesën

 

Burreli më në fund ka arsye që të buzëqeshë, pasi skuadra matjane reagoi atëherë kur duhej me çdo kusht. Burreli fitoi ndaj një rivali direkt për mbijetesë, Lushnjën, të cilën e mposhti në shifrat 2-0 dhe tashmë të dy ekipet ndodhën në të njëjtën kuotë pikësh 34. Gjithsesi kur kanë mbetur edhe dy ndeshje, rreziku mbetet prezent.

Trajneri i Burrelit, Klevis Hima, pas fitores për “Panorama Sport” deklaroi: “Ishte një fitore e madhe e arritur përballë një rivali direkt. Jam i kënaqur nga loja e djemve, të cilët zbatuan me përpikmëri detyrat e ngarkuara. Gëzimi i kësaj fitoreje përfundon këtu, pasi menjëherë fillojmë përgatitjet për ndeshjen tjetër mjaft të rëndësishme me Korabin e Peshkopisë. Një ndeshje derbi, për të cilën do të përgatitemi për të dhënë më të mirën”.

 

Garancia e Maganit: Qëndrojmë dhe mbyllim sezonin në vend të shtatë

Lushnja u largua “duarbosh” nga stadiumi “Liri Ballabani” në Burrel, pasi u mundën në shifrat 2-0. Përpos disfatës së pësuar, në kampin lushnjarë nuk ka dramë apo ankth për mbijetesën. Madje trajneri Gugash Magani në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” i shpreh i sigurt që Lushnja nuk e vë në diskutim qëndrimin, madje apo deklaroi se verdhejeshilët e mbyllin sezonin në vend të shtatë në renditje.

“Jam i kënaqur nga loja e çunave, ndonëse pësuam një humbje me golat që shënuam vetë. Ekipi u ngarkua psikologjikisht, saqë përjetoi një shok psikologjik. Pavarësisht nga kjo humbje, Lushnja nuk e vë në diskutim qëndrimin në Kategorinë e parë. Në fund të kampionatit do të jemi në vendin e shtatë”, u shpreh trajneri Gugash Magani pas ndeshjes. Me këtë humbje Lushnja mban vendin e tetë me 34 pikë, po aq sa Burreli që renditet i nënti.

Martin Dedaj- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"