Tekniku nis planifikimin edhe për sezonin e ri, Ksavi para ndeshjes kundër Valencias: Duam vendin e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 12:57

Tekniku nis planifikimin edhe për sezonin e ri, Ksavi para ndeshjes kundër Valencias: Duam vendin e dytë

Suksesi i Gironës kundër Las Palmasit të shtunën në mbrëmje e ka zbritur në vendin e tretë Barcelonën e Ksavit. Kjo do të thotë se katalanasit janë të dënuar të fitojnë sonte në mbrëmje kundër Valencias për t’u kthyer të dytët. Ky është dhe objektivi më minimal i Barçës në këtë sezon. Dhe shumë i rëndësishëm në fakt, sepse vendi i dytë do të garantonte pjesëmarrjen në Superkupën e Spanjës në janar të vitit 2025.

ksavi

Jo më kot, trajneri Ksavi i ka mëshuar fort çështjes së vendit të dytë në konferencën për shtyp para Valencias. “Sinqerisht di të them se jemi mirë fizikisht dhe psikologjikisht. Kemi një objektiv shumë të rëndësishëm që është vendi i dytë. Mendoj se do të arrijmë pa problem në zonën Champions, por ne duam vendin e dytë. Valencia është një rival i rrezikshëm, por ne luajmë para publikut tonë dhe objektivi janë tri pikët”, tha Ksavi.

Duke qëndruar te vendi i dytë, Ksavi është ngacmuar dhe për rivalitetin me Gironën, ku Barça do të duhet të luajë një ndeshje direkte për këtë vend në “Montilivi”. “Nuk kam për se të mendoj tani për Gironën, ndërkohë që përpara kemi një ndeshje mjaft të rëndësishme kundër Valencias. Në radhë të parë duhet të garantojmë vendin tonë në Champions dhe më pas një vend në Superkupën e Spanjës”, tha Ksavi.

Në pritje të fundit të sezonit, trajneri i Barçës ka saktësuar se klubi ka nisur nga puna për planifikimin e sezonit të ri. “Besimi që drejtori Deko dhe presidenti Laporta na kanë dhënë ka krijuar optimizëm. Në sezonin e kaluar nuk bëmë ndonjë planifikim të saktë dhe kjo na kushtoi jo pak. Por shpresojmë ta bëjmë këtë vit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"