“Një telefonatë ndryshoi gjithçka”, Ilir Lame: Ish-shefi i degës ushtarake zbuti Birçen, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2021 | 0:21

“Një telefonatë ndryshoi gjithçka”, Ilir Lame: Ish-shefi i degës ushtarake zbuti Birçen, por…

Ilir Lame, mesfushori potent i të kuqve në ato vite, e kujton mjaft mirë ngjarjen dhe cilat ishin arsyet.

Ilir Lame

Ai tregon për “Panorama Sport” se përse trajneri nuk i aktivizoi “tre mosketierët” partizanas e të përfaqësueses në ndeshjen “e jetës”.  “Birçja me të drejtë na pezulloi për mosparaqitje”, pohon Lame.

Ilir, rivalitet i madh midis tri skuadrave në atë sezon, apo jo?

Po, dhe i tillë vazhdoi deri në fund. Në fazën e parë në Tiranë, Vllaznia fitoi 2-0 me gola të Luçit e Bushatit. Në javën e 22-të, ne ishim dy pikë përpara dyshes Vllaznia-17 Nëndori dhe një barazim apo fitore në Shkodër na konsolidonte, pasi në tri javët e mbetura kishim dy ndeshje në Tiranë.

Pas humbjes me Vllazninë, barazuam në të tri të tjerat. Ato vite janë karakterizuar nga një rivalitet edhe për trofetë. E kujtoj se Partizani me Birçen kishte fituar dy tituj dhe ai që humbëm do të ishte i treti. Po kështu, Vllaznia dy kampionate. Në atë pesëvjeçar edhe Kupat ishin ndarë midis Partizanit, Vllaznisë, Dinamos e 17 Nëndorit.

Lame, realisht çfarë ndodhi që nuk u paraqitët në konvaleshencë, aty ku Partizani ishte grumbulluar?

Ne ktheheshim nga Titogradi, pas ndeshjes me përfaqësuesen në Irlandën e Veriut dhe mbërritëm në Tiranë rreth orës 19:00. Kujtoj që autobusi i Kombëtares na la në klub. Bashkërisht vendosëm që atë natë të shkonim në shtëpi dhe të takonim familjet. Mua më kishte ardhur nusja e qëndronte te një kushëri. E lamë të takoheshim të nesërmen në mëngjes e të niseshim.

Ndërkohë, natën vonë, vjen Kastrioti, një punonjës i klubit, i bie derës e më thotë që një makinë na pret të shkonim në konvaleshencë. “Jo, – i them, – e kemi lënë të gjithë bashkë për nesër”. Ai kishte qenë edhe te të tjerët.

Të shtunën paradite jeni në konvaleshencë. E prisnit vendimin e Birçes?

Jo, aspak. Birçja kishte bërë një mbledhje me skuadrën dhe disa nga lojtarët i kishin kërkuar trajnerit që duhet të kishte besim tek ne, e nxirrnim ndeshjen.

Ilir Lame2

 

Ilir Lame dhe Artur Lekbello gjatë një dueli në derbin Partizani – 17 Nëntor

Të dielën, në një dhomë të hotelit në Turizëm, kur po niste analiza, isha pranë me Avdyl Dukën, ish-shefin e degës ushtarake, përgjegjës ekipi dhe mik i Birçes. Trajneri ia dëgjonte fjalën, prandaj edhe e kishin sjellë. U ulëm, e kisha ngjitur, më kapi te kofsha e më tha: “Do luani, mezi e kam bindur”.

Dhe çfarë ndodhi që më pas nuk luajtët?

Në momentin që Birçe sa do të thoshte: “Në portë do të luajë…”, bie dera dhe një person i thotë se e kërkojnë në telefon nga ministria. Shkoi e kur u kthye, i nervozuar, vijoi: “Në portë Lekbello e me radhë të tjerët”, duke mos aktivizuar asnjërin nga ne. Siç morëm vesh më vonë, në telefon, Simon Ballabani i kishte thënë se është urdhër i ministrit t’i aktivizonte ata të tre. “Këtu ministër jam unë”, i ishte përgjigjur Birçja.

Dhe ju largoheni për në stacionin e trenit… Një vendim pak i çuditshëm për një profesionist, apo jo?

Nga mërzitja vendosa të kthehesha i vetëm në Tiranë me trenin që sapo kishte mbërritur ku, në fakt, ishin edhe tifozët e Partizanit. Kur më panë, u habitën dhe nisën të më pyesnin: “Pse? Ku po ikën? Pse nuk do luash” etj.

Po ju, si u përgjigjët?

“Jo, – u thashë, – nuk na futi Birçe!” As në shtëpi nuk dinin gjë se përse nuk luajta. Ishin duke dëgjuar ndeshjen në radio, vetëm kur më panë te dera.

Një takim i humbur thellë, një titull që nuk u fitua, i mbetur në memorie…

E megjithëse u luajt me lojtarët rezervë, nuk duhet të humbnim aq thellë. Sidoqoftë, kishim ende shanse, kur mundësia na u dha në javën e parafundit. Ndërsa në Shkodër Vllaznia barazoi 2-2 me 17 Nëndorin, ne ishim 1-0 në Kavajë, një takim ku minutat e fundit të lojës kanë qenë një dramë e vërtetë. Ishim në avantazh gjithë lojën dhe një fitore na jepte titullin.

Barazoi Bajaziti në fund të ndeshjes nga një goditje dënimi. Pastaj në javën e fundit ne mundëm Dinamon, Vllaznia fitoi lehtë në Berat dhe ndonëse me pikë të barabarta, shkodranët morën titullin me golavarazh. Atë kampionat edhe sot e kam peng. A ka fajtorë apo jo, koha është gjykatësi më i mirë. Por ç’rëndësi ka, në fund të fundit, ishte një titull i humbur, nga vetë ne!

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

LEXO EDHE: 

Flet ish-trajneri Birçe: Po të ndodhte sot, do t’i falja “të pabindurit”

Kur Partizani humbiste titullin për një… kapriço

Çela: Ju tregoj bisedën e Bejkushit me ish-ministrin Kiço Mustaqin para “finales” në Shkodër

Titulli i humbur i Partizanit në 1983, Perlat Musta: Iu lutëm të na hiqte rrogën, por Birçe s’pranoi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"