“Burrelit i duhet gjak matjan”, këshilla e legjendës së portës Fatmir Rama për klubin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 14:21

“Burrelit i duhet gjak matjan”, këshilla e legjendës së portës Fatmir Rama për klubin

Gjatë karrierës 20 vjeçare, Fatmir Rama, ka një kontribut të çmuar në futbollin matjan. Paraqitja e tij në ruajtjen e katërkëndorit të “31 Korrikut”, sot Burreli, është mbresëlënëse. Ai ka “gdhendur” në memorien e sportdashësve matjanë një emër që ende kujtohet me nostalgji.

fatmir rama burreli

Pavarësisht se prej shumë vitesh është larguar nga fusha e blertë, interesi për klubin e tij të zemrës është i njëjtë si dikur, kur ai ishte pjesë e skuadrës së qytetit të tij. “Pavarësisht se jam larg qytetit, skuadrën e ndjek rregullisht. Ecuria e këtij kampionati është shoqëruar me luhatje, pasi matjanët kanë bërë ndeshje të mira, por edhe që kanë lënë për të dëshiruar. Fitoret me skuadrat pretendente si Flamurtari, Bylis e Apolonia, janë për t’u vlerësuar, por humbjet sidomos në fushën tonë si ato me Lushnjën, Luzi 2008 apo së fundi me Besën kanë lënë një shije të hidhur.

Nëse bëjmë skanerin e këtij kampionati, në përgjithësi skuadra prodhon lojë dhe me pak fat duhet të kishte një pozicionim më të mirë në renditje”, tha fillimisht për “Panorama Sport” ish-portieri i njohur, Fatmir Rama. Përfshirja në radhët e skuadrës të elementit vendas, për ish- portierin do t’i jepte më shumë vlera Burrelit. “Përfshirja e 2-3 elementëve vendas nuk mund të jetë e mjaftueshme. Skuadra duhet të ketë më shumë futbollistë autoktonë, në mënyrë që futbolli matjan të përfaqësohet me djemtë e tij. Krijimi i skuadrave zinxhir është një dritë shprese, se në një të ardhme të afërt, skuadra të ketë në gjirin e saj këta elementë”, vijon Rama.

burreli 90

Kampionatit të Kategorisë së Parë po i vjen fundi, skuadra matjane aktualisht është pozicionuar në vendin e dhjetë dhe noton në ujëra të turbullta. Largimi nga zona e ftohtë e renditjes është objektivi final i skuadrës. “Burreli ka edhe tre ndeshje dhe gjithsecila prej tyre është finale më vete. Takimet duhen vlerësuar në maksimum. Një hap tjetër fals do të ishte i pafalshëm për skuadrën. Në eksperiencën time si sportist, gjithmonë mendonim për ndeshjen e radhës. Ndeshja me Lushnjën duhet fituar. Nëse skuadra bën ato paraqitje siç ka bërë me pretendentët, marrja e tri pikëve është e pa diskutueshme”, mbyll prononcimin e tij ish-portieri i njohur matjan, që pak kohë më parë mes familjarëve dhe miqve festoi dhe 70 vjetorin e lindjes.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"