Besa mund Apoloninë dhe shmang rënien direkte. Haxhiu: Fitore e madhe. Balla: I lumtur për golin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2024 | 16:41

Besa mund Apoloninë dhe shmang rënien direkte. Haxhiu: Fitore e madhe. Balla: I lumtur për golin

Në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, Besa mori një fitore shumë të rëndësishme, teksa mundi Apoloninë me rezultatin e ngushtë 0-1. I vetmi gol dhe njëkohësisht i triumfit të kavajasve në këtë takim u shënua nga mesfushori Balla në minutën e fundit të pjesës së parë.

apolonia besa

Fierakët pësojnë humbjen e dytë radhazi, mirëpo janë të pa lëvizur nga vendi i pestë në renditje, ndërsa kavajasit fitojnë dhe arrijnë të shmangin rënien direkte në të Dytën.

Ndeshja-  Takimi nisi i qetë, me qarkullim të dendur të topit dhe pa ndonjë rrezikshmëri në zonat respektive. Emocioni i parë i sfidës vjen në minutën e 17-të. Sulmuesi Ba godet me kokë, por Bushi devijon në korne. Apolonia kundërpërgjigjet me Trifonin, por portieri Ahmetaj kontrollon me vështirësi. Në të fundit të pjesës së parë, Besa gjen golin e avantazhit. Gjithçka nis nga krahu i djathtë me Spahiun, i cili driblon këdo që i del përpara dhe depërton në zonë. Në fund, shërben në krahun tjetër për Ballën, i cili me të majtën e dërgon topin në rrjetë. Me fitoren 1-0 të Besës u mbyll pjesa e parë.

Edhe me fillimin e pjesës së dytë, loja vijon të jetë me ritëm të ulët. Pas një ore lojë, ku gjithçka dukej e qetë, pati nerva dhe përplasje në pankinë. U përfshinë mesfushori Balla, sulmuesi Spahiu dhe portieri Bushi. Të tre lëshuan “lumë” ofendimesh drejt njëri-tjetrit, por përplasja fizike u shmang nga stafet dhe lojtarët e tjerë në pankinë. Kryesori Maletaj ndal lojën dhe thërret dy kapitenët, Hebeja dhe Nurja, por nuk ndalet me kaq pasi ndëshkon me karton të kuq Bushin, ndërsa për Ballën vetëm të verdhë. Pas këtij tensioni, loja rivihet në shinat e duhura, por rezultati nuk ndryshon.

 

Haxhiu: Fitore e madhe

Me Dorjan Bubeqin të pezulluar, Fidaim Haxhiu ishte trajneri i Besës në këtë takim, i cili pas fitores tha: “Jam shumë i kënaqur nga loja e djemve, të cilët zbatuan me përpikmëri detyrat e ngarkuara. Ishte një fitore e madhe e arritur përballë një rivali të vështirë, si Apolonia. Shmangëm rënien direkt në të Dytën, por nuk duhet të mjaftohemi me kaq. Përpara kemi beteja të tjera të vështira dhe pa humbur kohë duhet të fillojmë përgatitjet për ndeshjen e radhës”.

Balla: I lumtur për golin

Denis Balla, autori i golit të fitores së Besës, për “Panorama Sport” tha: “Jam i lumtur për golin, por më së shumti më gëzon triumfi i skuadrës dhe trepikëshi në këtë transfertë të vështirë. Me këtë fitore jemi pak më të çliruar dhe do të shpresojmë e besojmë deri në fund për të shmangur edhe “play out”-in, siç shmangëm rënien direkt në të Dytën. Ekipi ka grintën e duhur dhe dëshirën e madhe për të bërë më mirë”.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"