Nga ëndrra për një klub të madh te Superiorja, Flamur Ruçi zbërthen sezonin e Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 16:14

Nga ëndrra për një klub të madh te Superiorja, Flamur Ruçi zbërthen sezonin e Bylisit

Flamur Ruçi, mesfushori beratas, ka spikatur edhe këtë kampionat te Bylisi. Këtë e tregojnë edhe statistikat, pasi në afro 1900 minuta, ai ka realizuar 6 gola duke shfaqur edhe aftësitë e tij si shënues. Ruçi rikthehet në Superiore, ndërsa ai synon që në elitë të lërë gjurmë. Në vlerësimin e tij, skuadra ka bërë një sezon mjaft të mirë.

flamurr ruci

Për “Panorama Sport”, beratasi ndërsa analizon mbylljen e këtij sezoni, mendon se paraqitja e ballshiotëve ka qenë në kufijtë e perfektes dhe për këtë flasin duelet e fituara me skuadrat rivale. Ndërsa Ruçi shpreson që Bylisi t’i mbyllë me dinjitet edhe në këto 3 sfida që kanë mbetur deri në fund të edicionit 2023-2024. Ekipi tashmë realizoi qëllimin madhor, rikthimin në elitë, ndërsa tani synon të afirmojë dhe t’u japë hapësirë edhe lojtarëve të rinj që janë të shumtë në ekip. Sipas tij, kjo është rruga që klubi ka ndjekur prej vitesh dhe që politikat janë që të afirmojë dhe pse jo të shesë elementët me perspektivë.

“Për mendimin tim po mbyllim një sezon perfekt dhe më vjen mirë që u rikthyem në Superiore. Çdo gjë e arritëm me meritë, falë punës së mirë të klubit dhe angazhimit të lojtarëve. E them me bindje se jemi skuadra më e mirë e kësaj kategorie, madje Bylisin me këtë përbërje e kanë zili edhe disa nga skuadrat e Superiores. Ky grup duhet ruajtur, sepse do të thotë shumë edhe në elitë në sezonin e ardhshëm. Më vjen mirë që klubi ka politika mjaft të mira sa u takon lojtarëve të rinj, që ka filluar t’i aktivizojë. Madje, jam i bindur që në këto sfida që kanë mbetur edhe ata do të spikatin, ashtu siç kanë bërë me U-21 apo dhe U-19 këtë sezon.

Kjo është një strategji dhe politikë që klubi e ndjek prej 10 vitesh. Po të shohësh Bylisin, edhe kur është në Kategorinë e Parë shet lojtarë në Superiore dhe jashtë vendit. Shpresoj që të lë gjurmë në elitë me Bylisin dhe të shpërthej. Tashmë që jam në kulmin e karrierës dëshiroj të kaloj në ndonjë klub të madh brenda vendit, por pse jo edhe jashtë që është dëshira ime, nëse do të gjendet gjuha e përbashkët me klubin, pasi jam nën kontratë këtu. Luajmë me Flamurtarin në fundjavë, do të jetë një sfidë e bukur dhe synimi ynë është që ta fitojmë këtë takim, duke qenë se luajmë në shtëpinë tonë”, përfundoi Ruçi.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"