Intervista/ Murataj: Titullin e fiton Partizani, të ardhmen e vendos me Demin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 9:23

Intervista/ Murataj: Titullin e fiton Partizani, të ardhmen e vendos me Demin

Valentino Muratajt në këtë sezon i është dashur të luajë në disa pozicione për shkak të mungesave dhe falë aftësive e grintës së tij, ia ka dalë shumë mirë duke bërë edhe që të mos ndihet edhe mungesa e një lojtari si Andi Hadroj.

murataj

Të njëjtën gjë bëri edhe në sfidën e fundit, madje dhuroi klas me atë finte për Buxhelajn, i cili më pas asistoi për Mensah. Në një prononcim për “Panorama Sport” 27 vjeçari pranon se kalendari është një favor për të arritur dy vendet e para, teksa shton se të ardhmen e tij do ta vendosë një takim kokë më kokë me presidentin Demi.

Valentino, e humbi pak shijen fitorja kundër Skënderbeut për faktin se Vllaznia shënoi në minutat e fundit dhe jeni sërish në vendin e tretë?

Jo, nuk mund ta them këtë. Jam shumë i lumtur për tri pikët, çdo ndeshje është e rëndësishme për të vazhduar përpara dhe për të krijuar vazhdimësi. Pas dy fitoreve, kemi arritur të marrim triumfin e tretë dhe të vazhdojmë kështu deri në fund.

Tashmë keni shanset tuaja edhe për vendin e parë. E shihni të arritshme?

Ndeshjet aty janë, kalendari tani na favorizon ne. Shpresoj që t’i fitojmë dy ndeshjet tona dhe më pas të bëjmë llogaritë në fund.

Shokët kishin disa raste të pastra për të shënuar, por pamë të shpërdoroheshin. Mos ekipi ka ende nevojë për qetësi?

E rëndësishme është të krijojmë raste sa më shumë. Sigurisht, duhen shndërruar në gola, por ndonjëherë edhe nuk ndodh kështu, fati nuk është me ty. Shumë mirë që arritëm të shënonim një gol dhe mjaftoi për të marrë tri pikët.

Skënderbeu ishte bërë si një mace e zezë për ju në këtë sezon. Sa ju ndihmon psikologjikisht kjo fitore kundër tyre?

Skënderbeu kishte arritur të krijonte një ecuri të mirë përballe nesh në këtë sezon me dy fitore dhe një barazim. Ne e kishim përgatitur shumë mirë këtë ndeshje për të mos ulur përqendrimin, aq më shumë në një moment të mirë për ne, që vinim pas fitoreve në derbi. Ia dolëm, e fituam. Mendoj se është thjesht një ndeshje, që do të na ndihmojë për vazhdimësinë.

Sa i kënaqur jeni me atë çka keni bërë personalisht në këtë sezon dhe a është ky Murataj më i mirë se i vjetshmi?

Jo, nuk mund të them më i mirë sesa vjet. Mendoj se për mua deri më tani ka qenë njësoj, një sezon mjaft i mirë. Vjet e kemi mbyllur si kampionë, shpresoj të dalim edhe këtë vit në vend të parë dhe të ngremë titullin sërish në fund.

Dhatë pasimin e fundit me finte për Buxhelajn në momentin e golit. U morët vesh me fjalë, apo ndodhi instinktivisht?

Buxhelajn unë e kam shok dhome dhe më kupton shumë mirë. I kam thënë që kur ta ketë topin, veç të ma pasojë dhe qesh. Është djalë shumë i talentuar dhe në të ardhmen do të bëhet akoma më i rëndësishëm.

Siguruat pjesëmarrjen në “Final 4”. Është kjo një arritje për t’u festuar?

Jo, nuk mund të them se është një arritje për t’u festuar nga ana jonë. Është thjesht një hap i rëndësishëm drejt titullit kampion, por jo diçka e madhe. Shpresoj që në “Final 4” të tregojmë forcën tonë, sepse aty vendoset gjithçka.

Luani me dy skuadra të rëna nga Kategoria Superiore. Si i prisni këto dy sfida kundër Kukësit dhe Erzenit?

Siç e thashë, ne vinim pas dy derbeve të fituara dhe nuk duhej ulur përqendrimi as me Skënderbeun, që është ekip shumë i mirë, ashtu siç është edhe Kukësi. Fatkeqësisht Kukësi ka rënë nga kategoria, por është në finalen e Kupës. Janë një skuadër cilësore, me një trajner shumë të aftë si profesor Devolli, që po bën punë të mirë. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e luftuar në Kukës.

Cila do të jetë e ardhmja juaj?

Do të vazhdoni me Partizanin, apo do të lëvizni në verë? E ardhmja deri më tani është te Partizani. Pasi të mbyllet ky vit futbollistik, unë do të ulem për një bisedë me presidentin dhe aty do të vendoset gjithçka. Kam raporte shumë të mirë me Partizanin dhe nuk besoj se do të ketë probleme, si në rastin që vazhdoj këtu ose në rastin e një mundësie më të mirë jashtë vendit.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"