Çela: Ju tregoj bisedën e Bejkushit me ish-ministrin Kiço Mustaqin para “finales” në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2021 | 22:14

Çela: Ju tregoj bisedën e Bejkushit me ish-ministrin Kiço Mustaqin para “finales” në Shkodër

NGA UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Është njeriu që e ka ndjekur hap pas hapi dinamikën, situatën dhe incidentin e krijuar: “Duke qenë dy pikë përpara, ishim të favorizuar për titullin.

Cela Mustaqi

Besnik Çela dhe ish-ministri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi (lart)

Të mërkurën u nisëm në Durrës në konvaleshencë. Gjithë ditën e premte Bejkush Birçe kishte qëndruar në klub, duke i pritur të vinin lojtarët nga Irlanda, u kishte vënë një makinë të klubit në dispozicion. Në mbrëmje erdhi në konvaleshencë dhe në fytyrën e tij dukej qartë dëshpërimi.

‘Mos i llogarit në lojë ata’, më tha. Bëri një mbledhje me skuadrën, ua komunikoi se ata futbollistë që nuk kanë ardhur nuk do të aktivizohen dhe nuk janë në gatishmëri.

I pyeti ‘Çfarë mendimi keni ju?’ U ngritën disa lojtarë dhe i dhanë garanci që ‘e nxjerrim lojën edhe pa ata’. ‘Kam besim’, tha Birçe dhe pasi mbaruam mbledhjen ai foli me ministrinë. Mua vetëm më tregoi bisedën me Kiço Mustaqin, ish-ministrin e Mbrojtjes, i cili e kishte këshilluar t’i falte. ‘Megjithatë, vepro si ta mendosh dhe si ta gjykosh ti’, i kishte thënë ai.

Problem ishte porta, sepse Lekbello kishte një moment jo të mirë. ‘Musta duhet të luajë për të tjerët vendos vetë’, i sugjerova unë. Të nesërmen paradite, erdhën të gjithë e në mesditë, u nisëm për në Shkodër. Atë natë pa gjumë, duhan, bashkë me komisarin e klubit, Mehdi Shkodrën, i jemi lutur Birçes, por ishte e pamundur ta bindnim.

Për shpirt do t’i kishte falur, por sipas tij, do të tingëllonte jo mirë në skuadër. Paraditen e së dielës, edhe pse kishte mëdyshje, mblodhi skuadrën, lexoi formacionin, duke i lënë jashtë ata të tre, ndonëse pati tentativa, ndërhyrje edhe nga Tirana apo nga disa ushtarakë që shoqëronin skuadrën, që erdhën atë mëngjes. Shkodranët nuk dinin gjë lidhur me situatën tonë, kur para fillimit të lojës, vjen gazetari Ymer Stërniqi dhe më kërkoi formacionin.

Kur ia them, ndali, u kthye, ngriti kokën e më thotë: ‘A për nji men e ke?’ Nuk e besoi, një frazë që edhe sot nuk e harroj. Pastaj, kur skuadrat dolën për nxehmje dhe tifozët panë Lekbellon të fundit, e jo Mustën, nga një heshtje varri, stadiumi shpërtheu sikur të ishte shënuar gol. Doli edhe Eksarko. ‘Ta provoj’, tha por nuk mundi. Partizani në atë takim ka luajtur pa shtatë titullarë: Musta, Ahmetaj, Eksarko, Hysi, Lame, Skuro, Tomorri e Lika, këta të dy fundit ishin dënuar nga FSHF.

Vukatana ka shënuar një gol të bukur nga 30 metra, pas të cilit Lekbello bën me shenjë për zëvendësim. Pjesa e parë u mbyll 3-1 për Vllazninë. Gjatë asaj kohe, kisha parë Mustën të ulur në një vend, pas stolit tonë e ndiqte takimin. Kur u futëm në dhomat e zhveshjes, Lekbello kishte rënë moralisht, i demoralizuar, nuk ishte në gjendje të luante.

‘Të më falni ju mora në qafë’, bërtiste. Dal, e pa i thënë njeriu i drejtohem Mustës: ‘Zhvishu se do luash’. Më refuzonte, nuk më besonte, debatuam, nuk kishte as uniformë. E ngacmonte egoja, inati dhe krenaria, por u bind në fund dhe pranoi. Kur e pa Birçja duke u përgatitur, u shtang, por unë i parapriva: ‘E mora unë’. Birçja nuk foli dhe Musta luajti pjesën e dytë”.

PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

GJATË DITËVE NË VIJIM DO TË LEXONI:

– Perlat Musta: Iu lutëm Bejkushit të na hiqte rrogën, por nuk pranoi.

– Ilir Lame: trajneri i zbut, por e tërboi telefonata e ministrit.

GJITHASHTU MUND TË LEXONI EDHE: 

Flet ish-trajneri Birçe: Po të ndodhte sot, do t’i falja “të pabindurit”

Kur Partizani humbiste titullin për një… kapriço

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"