Kur Partizani humbiste titullin për një… kapriço

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2021 | 21:47

Kur Partizani humbiste titullin për një… kapriço

Nga UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Ai ka qenë dhe do të mbetet një titull i humbur nga Partizani! Gjithçka nisi pas një ndeshjeje të Kombëtares në Irlandën e Veriut, kthimit nga Belfasti dhe mosparaqitjen e tre futbollistëve titullarë në konvaleshencë, ku ishte grumbulluar skuadra. Vendim i trajnerit Bejkush Birçe për t’i lënë jashtë formacionit, në sfidën direkte dhe vendimtare VllazniaPartizani, java e 23-të e sezonit 1982-‘83.

Një fitore e merituar e thellë e shkodranëve, që e dominojnë takimin me lojë e gola, por ai 90-minutësh, “underground” mbart një histori unike për skuadrën, klubin, të kuqtë, në veçanti për Birçen, Mustën, Lamen, e Ahmetajn (fatkeqësisht nuk jeton). Të gjithë nën “akuzë”, për një “kapriço” apo mungesë “korrektësie”… Pas katër dekadash për lexuesit e saj, “Panorama Sport” e rikthen atë ngjarje të paharruar, atë “proces ndëshkues sportiv”, me rrëfime nga vetë protagonistët. Nga rivaliteti midis tri skuadrave, humbja shkatërruese e të kuqve në “Vojo Kushi”, barazimi dramë në Kavajë dhe trofeu i marrë me golavarazh nga Vllaznia në frymën e fundit.

Partizani 82-83 logo

PARTIZANI I SEZONIT 1982-1983 Sipër majtas: P.Musta, K. Hysi, Sh. Duro, H. Lika, I. Lame. Poshtë majtas: A. Ahmetaj, A. Lazameta, G. Tomorri, S. Starova, A. Ferko, T. Eksarko

Nga Belfasti në “Vojo Kushi”, ndeshja që tronditi mjedisin partizanas Për Partizanin, kampionati dhe gjithçka tjetër u vendos thuajse në tri javë: 17 prill, java 22, Beslidhja17 Nëndori 0-0, Skënderbeu-Vllaznia 2-0, PartizaniTomori 1-0 në “Qemal Stafa” (Tomorri 87’), një takim i polemizuar, kontestohet arbitrimi, ka grindje në fushë dhe FSHF pezullon dy lojtarë të Partizanit, Genc Tomorri e Hasan Lika, që humbasin edhe Kombëtaren për ndeshjen e Irlandës pas disa ditësh. Në renditje, Partizani 29, Vllaznia, 17 Nëndori me 27 pikë. 27 prill 1983, e mërkurë në Belfast për EKE, Irlanda V.-Shqipëri 1- 0.

Nga Partizani janë në formacion: Musta, Ahmetaj, Lame dhe Eksarko që dëmtohet e zëvendësohet nga S. Mema dhe K. Hysi rezervë. Ndërsa Partizani është grumbulluar në Durrës, lojtarët e Kombëtares pas mbërritjes në Tiranë, nuk paraqiten në mbrëmjen e së premtes në konvaleshencë, duke preferuar vajtjen në shtëpi.

Ka reagim të ashpër nga trajneri Birçe, që deklaron përjashtimin e tyre nga skuadra për ndeshjen me Vllazninë në Shkodër, një takim vendimtar. Në mjedisin partizanas, krijohet tension. Ministria dhe ushtarakë të lartë urdhërojnë rikthimin në formacion të treshes, por Birçe nuk hap rrugë, nuk pranon, këmbëngul në të tijën.

E DIEL, 1 MAJ, JAVA 23:

Vllaznia-Partizani 4-1 (3-1)

VLLAZNIA: Sukaj (Kushe), Zmijani, Rragami, Pali, Dedja, Borshi, Hafazi, Jera, Vukatana, Fakja, Gruda. TRAJNER: R.Rragami.

PARTIZANI: Lekbello (Musta) Starova, Meçe, Beliu (Zhupa), Ocelli, Ferko, Haxhiu, Lazametaj, Duro, Gëzdari, Mançe. TRAJNER: Bejkush Birçe.

SHËNUES: Jera 15’, I. Haxhiu (P) 21’, Vukatana 31’, 36’, Gruda 81’.

ARBITRA: Dh. Prifti, R. Abegu, S. Kosti.

Në takimin tjetër, Naftëtari-17 Nëndori 0-1 dhe me 30 pikë në krye janë Vllaznia (34-17+17), Partizani (25-16 +9), 17 Nëndori (32-22 +10).

Java 24: Partizani-Labinoti 4-0; Besëlidhja-Vllaznia 0-1, 17 Nëndori-Tomori 2-0. Te Partizani janë rikthyer në formacion Musta, Ahmetaj e Lame.

Java 24: Partizani-Labinoti 4-0; Besëlidhja-Vllaznia 0-1; 17 Nëndori-Tomori 2-0 e në renditja me 32 pikë sërish të treja. Java e 25: Besa-Partizani 1-1, Vllaznia-17Nëndori 2-2. Sërish bashkë, pa u ndarë, por me diferencë golash të parët janë shkodranët: Vllaznia +18; Partizani +13; 17 Nëndori +11.

Java 26, e fundit, 29 maj ‘83: Tomori-Vllaznia 0-2; 17 Nëndori-Labinoti 1- 2, Partizani-Dinamo 2-1. Renditja përfundimtare: Vllaznia 34 pikë (12.10.4/ Gol.39-19); Partizani 34 pikë (13.8.5/ Gol 32-17); 17 Nëndori 32 pikë.

Kampion shpallet Vllaznia me golavarazh. Bajaziti i Besës me 16 gola, Koçi i Naftëtarit me 12, Marko i Dinamos me 11, janë tre shënuesit më të mirë të sezonit. Në atë kampionat te Partizani aktivizohen Musta, Lekbello, Eksarko, Starova, Hysi, Ahmetaj, Duro, Ferko, Ocelli, Lazametaj, Tomorri, Lika, Lame, Mançe, Haxhiu, Zhupa, Gëzdari, Beliu, V. Skuro.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

/////////////////////////////////////////////////////////////

Dossier/ Përplasja e Birçes me Mustën dhe tre lojtarë, si e humbi Partizani titullin më 1983

GJATË DITËVE NË VIJIM DO TË LEXONI:

Çfarë thotë Birçe për ngjarjen?

– Intervistë me zëvendësin e tij, Besnik Çelën dhe detajet e telefonatës së trajnerit me ish-ministrin Kiço Mustaqi…

– Perlat Musta: Iu lutëm Bejkushit të na hiqte rrogën, por nuk pranoi.

– Ilir Lame: trajneri i zbut, por e tërboi telefonata e ministrit.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"