Flet ish-trajneri Birçe: Po të ndodhte sot, do t’i falja “të pabindurit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2021 | 19:05

Flet ish-trajneri Birçe: Po të ndodhte sot, do t’i falja “të pabindurit”

 Nga UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

I mirënjohuri Bejkush Birçe, trajner i Partizanit në atë periudhë, nuk heziton të tregojë me detaje atë ngjarje të pazakontë për të, skuadrën, lojtarët, tifozët dhe klubin e kuq. “Një titull i humbur për fajin tim”, thotë sot 85-vjeçari Birçe.

Bejkush Birce

Ai ndien përgjegjësi sportive kur pezulloi, para ndeshjes me Vllazninë, tre lojtarët e Kombëtares, e si pasojë Partizani humbi 1-4 në Shkodër. Cila ishte situata e krijuar, presioni nga ministria, si vijoi kampionati kur kishin mbetur edhe tri javë?

Me një kujtesë ta jashtëzakonshme, Birçe i rikthehet takimit për “Panorama Sport”. “Ai veprim është pjesë e karakterit tim”, thotë ish-trajneri i shquar.

Z. Birçe, nga do ta nisim bisedën për atë ngjarje?

Ha diskutim pozitiv dhe negativ. Një vendim i logjikshëm apo jo, kjo varet sipas kohës, gjykoj unë…. Dikush me të drejtë do të thoshte: “Si ka mundësi të humbasësh djersën e një viti? Si ka mundësi që trajneri të humbasë kampionatin që i kishte ardhur te dera, një ëndërr për të tjerët…?”

Atëherë, pse e morët atë vendim aq të ashpër për lojtarët tuaj?

Unë kam besuar te lojtarët e sinqertë edhe nëse e kishin gabim. Vetëm ai që nuk luan, nuk gabon. Pra, gabojnë, rinovojnë, përmirësojnë, rregullojnë. Je lojtar i Kombëtares? Kush të çoi? Skuadra, klubi, djersa jote. Dhe unë të vlerësoj si një sportist dinjitoz, ndërsa ti kur nuk respekton rregullat, nuk je i tillë.

Pse hezituat, mund edhe t’i aktivizonit apo jo?

Kur unë bëra mbledhjen në mbrëmje për t’u komunikuar vendimin tim, askush nga lojtarët nuk më tha t’i falim, ta mbyllim këtë kapitull. Po të ma kishte kërkuar skuadra sigurisht që po. Nuk doja të më dilnin probleme që karakteri im nuk i lejonte.

A patët presion edhe nga ministria që Musta, Lame dhe Ahmetaj të luanin?

Nuk ndryshova mendje, ndonëse ndërhynë zyrtarë të lartë të ministrisë dhe ata mund të kishin të drejtë, por edhe unë nuk kisha faj.

Pse mendoni kështu?

E dija se mund të humbisja gëzimin, frytin e punës 1- vjeçare, por rruga me urdhra nuk del në asnjë rrugë e nuk doja ta bëja rrugë. Unë isha edukuar që në sport, futbolli nuk është një mekanizëm që bëhet me urdhra. Pranoj gjithçka, por jo të më urdhërojë njeri.

Cila ishte atmosfera në skuadër kur shkuat në Shkodër?

Më vinte keq. Ishin rezervat që do të luanin dhe u trembën mos diskreditoheshin. E ndieja që lojtarët donin të futeshin të tre ose të paktën Musta, sepse Musta ishte Musta… Shikoja dëshpërim tek ata. Prisja që ekipi të vinte të më thoshte të shprehte mendimin, kërkesën, që unë t’i fusja.

Z. Birçe, një edicion i humbur nga situata e krijuar. A mendoni se kishte fajtorë apo cilat ishin shkaqet?

Në veçanti lojtarët kanë të drejtë të ankohen për një kampionat të humbur nga Birçe. Vetë Birçja do të thoshte sot se sigurisht që më vjen keq për atë situatë. Nuk i shërbeu punës dhe qëllimit final. Mund të justifikohem por jo, ishte një titull i humbur nga unë, por siç e thashë edhe fajtor plotësisht nuk jam. Një neglizhencë e futbollistëve së pari, pastaj trajneri.

Në një shkrim “Vërejtje”, ka një kritikë për mosaktivizimin e lojtarëve të Kombëtares. “Pse vepruan kështu trajnerë dhe pse klubet pajtohen me qëndrime të tilla bëhet pyetja nga ‘Sporti’…?”

Bëhet fjalë për mosaktivizimin e tre lojtarëve të Partizanit, por edhe për Targajn e Luarasin të Dinamos apo ndonjë tjetër që nuk luajtën atë javë në ekipet e tyre. Ishte një vërejtje e përgjithshme dhe ishte mendimi i tyre. Parimisht kishin të drejtë. Askush nuk i dinte problemet, vetëm kur skuadra u paraqit në fushë, e panë që nuk ishin ata, dhe si lojtarë të Kombëtares, sigurisht që kishte një interesim më shumë. Ishin edhe në formë.

Si do të vepronte Birçe sot, nëse do të ndodhej para një rasti analog?

Kam mendimin, edhe në respekt të të gjithëve, sigurisht sot do t’i kisha aktivizuar, por jo me urdhër, sepse karakteri nuk ndryshon. Do t’i fusja edhe që të mos më thoshte njeri që Partizani humbi kampionatin nga trajneri.

Partizani

Stoli i Partizanit gjatë ndeshjes në Shkodër

Kanë gabuar shumë trajnerë, por shpesh ata i kanë riparuar gabimet në kohë. Dhe, sinqerisht, më vjen keq që nuk luajtën sepse mbahet mend për gjithë jetën. Nëse fiton nuk të kujton njeri, ndryshe kur humbet, ajo kujtohet pafundësisht.

Më folët për Kërçiçin, Gurmën, të preferuarit tuaj, por pa mundur t’i merrnit te Partizani. Pse?

Po, është e vërtetë. Kërçiçi ishte një lojtar i talentuar, luante me Skënderbeun dhe unë u kërkoja drejtuesve të klubit ta merrnin te Partizani. Fatkeqësisht, ai sot nuk jeton. E dini çfarë justifikime më nxirrnin?

Çfarë?

Ka mbiemër të huaj, ka dy nënshtetësi, mund të na krijojë probleme… Edhe Milto Gurma ka qenë një ndër lojtarët që e kam dashur gjithmonë te Partizani, një futbollist i shkëlqyer. Kam luftuar deri në mundësinë e fundit, duke e grumbulluar edhe ndaj Sëlltikut. Por, edhe sot nuk e di pse Gjirokastra apo Saranda në atë kohë kur ai luante aty, këmbëngulnin pa asnjë motiv. Dikush fshihej pas tyre, që merrte hak, nxirrte inatin duke e penguar të vinte te Partizani.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

///////////////////////////////////////////////////////

GJATË DITËVE NË VIJIM DO TË LEXONI:

– Intervistë me zëvendësin e tij, Besnik Çelën dhe detajet e telefonatës së trajnerit me ish-ministrin Kiço Mustaqi…

– Perlat Musta: Iu lutëm Bejkushit të na hiqte rrogën, por nuk pranoi.

– Ilir Lame: trajneri i zbut, por e tërboi telefonata e ministrit.

LEXO EDHE: 

Kur Partizani humbiste titullin për një… kapriço

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"