“Shpresoj të rikthehen të dëmtuarit për ‘play off’-in”. Flamurtari, Memushi: Të gjithë bashkë për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 20:17

“Shpresoj të rikthehen të dëmtuarit për ‘play off’-in”. Flamurtari, Memushi: Të gjithë bashkë për Superioren

Trajnerin Eqerem Me mushin e kënaqi skuadra në ndeshjen me Luzin. Pavarësisht mungesave të shumta për shkak të dëmtimeve, lojtarët e rinj e kanë “ngrohur” trajnerin. Një këshillë e ka edhe për ata, ta shfrytëzojnë momentin dhe të luajnë me iniciativë, të kenë personalitet dhe besim te vetja.

memushi

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Memushi thekson se brenda dy javëve do të luhen pesë ndeshje, ndaj i bën thirrje skuadrës të bëjë kujdes. Shpreson te rikthimi i dëmtimeve për ndeshjet e “play off”- it dhe thekson, se janë të gjitha mundësitë për t’i kaluar me sukses.

Memushi, a jeni i kënaqur me reagimin e skuadrës në ndeshjen me Luzin?

Duke parë që objektivi është “play off”-i menduam që të aktivizonim djemtë e rinj. Keqardhje për Luzin, por futbollin duhet ta pranojmë siç është. Ne jemi një skuadër serioze. Kemi luajtur denjësisht gjithmonë dhe kështu do të vazhdojmë të luajmë ndershëm dhe pastër.

Morët mesazh pozitiv nga të rinjtë që aktivizuat në këtë takim?

Mua më bëhet qejfi që pjesa e të rinjve, siç është Paulo Pjeshka, Podrimcaku apo Leshi, ndihmuan edhe të tjerët që u futën. Luajtën 7 lojtarë të akademisë. Ju uroj suksese për vazhdimësinë, them ta vlerësojnë këtë moment që kanë veshur për herë të parë fanellën dhe luajnë një ndeshje zyrtare me Flamurtarin. Ky është një vlerësim i madh që u bën atyre klubi, presidenca, por edhe ne si staf teknik.

A është gati skuadra për ndeshjet e “play off”-it?

Edhe në fillim të kësaj ndeshje, Flamurtari demonstroi që ishte superior edhe nga mënyra e të luajturit. Kemi pak rezerva se edhe eksperienca ka të bëjë shumë te lojtarët tanë të rinj. Duhet që t’i futen më me iniciativë lojës një për një, t’i shkojnë portës më me rrezikshmëri e besim. Duhet të kenë personalitet e besim te vetja. Në fund, futbolli ky është. Nëse ti luan një për një dhe fiton një duel, krijon besim, ritëm dhe epërsi territoriale. Kjo i krijon skuadrës një mundësi më të madhe të rrezikojë portën kundërshtare.

Të bind ky ekip për t’i kaluar me sukses ndeshjet finale?

Pavarësisht dëmtimeve që na penalizojnë, po ta shikosh skuadrën është e impenjuar maksimalisht për objektivin që kemi.

Prisni rikthime nga të dëmtuarit për takimet e “play off”-it?

Shpresojmë që të rikthehen. Kalendari është i ngjeshur, ku brenda dy javëve ne luajmë pesë ndeshje. Bashkë me ndeshjen që kemi për kampionatin dhe që e luajmë me Besën të mërkurën, kemi edhe dy ndeshje të “play off”-it. Duhet të kemi shumë kujdes në mënyrën e stërvitjes. Duhet që të jemi të gjithë bashkë, siç kemi qenë dhe jemi bashkë për një qëllim që të gjithë, që nga drejtuesit e klubit dhe skuadra. Falënderoj të gjithë punonjësit e stadiumit që janë në gatishmëri të skuadrës. Janë të gjitha kushtet për t’i kaluar me sukses këto ndeshje.

Janë rikthyer edhe tifozët, që po e mbështesin skuadrën. Si ndiheni?

Është kënaqësia më e madhe kur shikon publikun me ato daullet e bukura. I japin një atmosferë tjetër edhe ndeshjes. I falënderoj shumë nga zemra. I ftoj të jenë gjithmonë pjesëmarrës në stadium dhe në mbështetje të skuadrës.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"