Titulli i humbur i Partizanit në 1983, Perlat Musta: Iu lutëm të na hiqte rrogën, por Birçe s’pranoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2021 | 17:00

Titulli i humbur i Partizanit në 1983, Perlat Musta: Iu lutëm të na hiqte rrogën, por Birçe s’pranoi

NGA UVIL ZAJMI

Në Tiranë mbërritëm rreth orës 19:00 në mbrëmjen e së premtes. Kishim një muaj në grumbullim, shkova në shtëpi, te familja e gruas”, e nis rrëfimin për “Panorama Sport” ish-portieri i shquar i Partizanit.

pjimage

Si e kujtoni sot pas kaq vitesh kthimin nga Irlanda dhe mungesën në grumbullim te Partizani atë natë?

Kishim udhëtuar Londër-Beograd-Titograd me avion dhe me autobus. Nga Titogradi erdhëm në të errur. Nuk kishte telefon dhe asnjë mjet komunikimi për të njoftuar klubin. Kur mbërritëm në klub, na thotë ushtari i klubit se Birçja na “ka pritur me një mikrobus”, por dikush i kishte thënë se ne kishim mbërritur në drekë dhe ai, duke menduar se ne kishim neglizhuar, ishte mërzitur dhe ishte larguar për në Durrës.

Ishim unë, Lame, Ahmetaj, Eksarko dhe Hysi që vendosëm të shkonim në shtëpi atë natë për të takuar familjet. Kishim një muaj të grumbulluar me kombëtaren. Rreth orës 22:00, vjen një person e më thotë për të shkuar në Durrës, por nuk pranova se e kishim lënë të niseshim të nesërmen.

Takoheni me Birçen, as lutjet tuaja nuk e bindin atë t’ju falë?

Të nesërmen me një “BÇ” të Ministrisë së Mbrojtjes, që ishte vënë në dispozicion enkas për ne, shkuam në Durrës. Birçja ishte në dilemë. Kishte pyetur ekipin: “Si mendoni ju?” Nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Më pas ne e takuam dhe i thamë arsyen. Unë dhe Arjani (Ahmetaj) i ndjerë iu lutëm: “Na hiq rrogën, bëj ç’të duash”, i thoshim. Por, “Jo, e kam dhënë fjalën”, ishte përgjigjja e tij.

Sidoqoftë, ju mori në Shkodër… A kishit shpresa se do të ndryshonte qëndrim dhe do t’ju falte?

Udhëtuam me skuadrën dhe Shkodër, në hotel kam qenë në dhomë me Arjanin. Pritëm të nesërmen, me shpresën se Birçja do të ndryshonte mendje. Në vetvete ishte për të na futur, por priste që ekipi t’i lutej, t’i kërkonte që ne të luanim. Po t’i kishin thënë shokët: “T’i falim”, kur ai u tha: “Këta janë të dënuar sepse nuk erdhën në grumbullim”, ne do të luanim. Ishim 8-9 lojtarë formacioni që mungonim, por të gatshëm isha unë, Iliri dhe Arjani. Mbaj mend që e morën në telefon edhe ata të ministrisë dhe u përpoqën ta bindnin, por nuk ia dolën dot. Në orën 11:00 ne bëmë analizën dhe aty Birçe deklaroi formacionin pa ne të tre…

Ishit në stadium dhe Besnik Çela thotë se ishte ai që ju bindi të luanit në pjesën e dytë. Çfarë mbani mend nga ai diskutim?

Pasi Birçe shpalli formacionin, unë, Lame dhe Arjani u larguam. Iliri (Lame) u nis për te stacioni i trenit, unë me Ahmetajn takuam Eduard Gjokën, prestigjatorin e njohur shkodran. Qëndruam për drekë me të, të sigurt që nuk do të luanim.

Dy minuta para fillimit të lojës, futemi në stadium kur ekipet ishin në korridor, bashkë me arbitrin Dhori Prifti. Zura një vend te shkallët poshtë tribunës. Sapo pjesa e parë mbaroi 3-1 për Vllazninë, pas dy-tri minutash më vjen Besnik Çela e më thotë: “Zhvishu se do luash”. U befasova.

Dhe si reaguat ju?

“Unë jam i dënuar, – i them, – nuk luaj”. Erdhi edhe Estrefi, shoferi i paharruar dhe m’u lut: “Aman, bëje për mua”. “Kur të vijë Birçja të më thotë e besoj”, vazhdoja unë me kokën time. Nuk kisha as uniformë pas çantën time ia kisha dhënë një miku, Vasit, që ishte në sektorin përballë. Më pas ndërhyri Arjan Ahmetaj: “Merr këpucët dhe mbathjet e mia të zeza”. Mora edhe një kanotiere që e sajuam disi dhe u futa në lojë.

Musta, pas kaq vitesh, një titull i humbur në të tilla rrethana, për faj të kujt ndodhi?

Të gjithë ishim fajtorë. Do ta konsideroja një kapriço të përbashkët. Ai trofe i humbur nuk rikthehet më për ne lojtarët, klubin dhe tifozërinë. E vërtetë është se edhe sot tifozë të atij brezi më pyesin: “Perlat, si e humbët atë titull?”, edhe pse kanë kaluar 40 vite.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

GJITHASHTU MUND TË LEXONI EDHE: 

Flet ish-trajneri Birçe: Po të ndodhte sot, do t’i falja “të pabindurit”

Kur Partizani humbiste titullin për një… kapriço

Çela: Ju tregoj bisedën e Bejkushit me ish-ministrin Kiço Mustaqin para “finales” në Shkodër

“Një telefonatë ndryshoi gjithçka”, Ilir Lame: Ish-shefi i degës ushtarake zbuti Birçen, por…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"