Një pikë në 4 javë, presidenti i klubit të Kategorisë së Parë i vendos 5 milionë lekë gjobë ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2019 | 9:39

Një pikë në 4 javë, presidenti i klubit të Kategorisë së Parë i vendos 5 milionë lekë gjobë ekipit

Turbina ka harruar të fitojë. Pas tri humbjeve radhazi, nuk shkuan më larg se barazimi përballë Shënkollit në “Nexhip Trungu”. Vetëm 1 pikë e marrë në 360 minuta ia ka sosur durimin presidentit. I indinjuar dhe i mërzitur nga kjo ecuri, Gentjan Gjoka ka vendosur që të gjobisë ekipin me 5 milionë lekë (të vjetër).Turbina-Tomori

 Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai e ka konfirmuar këtë lajm, ndërsa qartëson se nuk ka më në plan që të rrijë duarkryq. “Jam tepër i revoltuar dhe i indinjuar për rezultatet jo të mira që lojtarët kanë arritur në javët e fundit. Më vjen keq që skuadra nuk po arrin dot të dalë nga kriza e rezultateve negative. Barazimi me Shënkollin më zhgënjeu shumë, por edhe tri humbjet e njëpasnjëshme.

Nuk mund të rri duarkryq ndaj ekipit, që nuk më ka ngrohur fare. Kam vendosur që të marr masë disiplinore ndaj gjithë skuadrës, që nuk ka bërë asnjë fitore në 4 javët e fundit të Kategorisë së Parë. Do të ketë gjobë 5 milionë lekë (të vjetër) për të gjithë ekipin, për të gjitha rezultatet zhgënjyese. Në rast se Turbina fiton në Fier, do t’i lahet kjo gjobë dhe unë kam besim të madh te të gjithë djemtë. Shpresojmë ta mbyllim pozitivisht këtë vit dhe në 2020-ën do të bëjmë një merkato cilësore”, përfundoi kreu i klubit cërrikas, Gentjan Gjoka.

Mariglen Miraka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"