“Ngrin” ardhja e Kontreras te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2016 | 9:57

“Ngrin” ardhja e Kontreras te Partizani

Rodrigo Kontreras ishte planifikuar si përforcimi i radhës i Partizanit në merkaton e janarit, por situata me lojtarin argjentinas ka hyrë në fazën e “ngrirjes”.

Rodrigo Kontreras

Sulmuesi 20-vjeçar pritej të mbërrinte dje në kryeqytet, por për momentin ka ngecur transferimi i tij te të kuqtë e kryeqytetit. Më herët, drejtuesit e Partizanit kishin gjetur akordin për transferimin e sulmuesit të Kombëtares së Argjentinë U-20 në formë huazimi nga skuadra e San Lorencos.

Por mësohet se lojtari nuk e ka me qejf largimin nga skuadra elitare argjentinase, kështu që kërkon një tjetër shans me San Lorencon në prag të fillimit të sezonit të ri.

Për momentin, afrimi i Rodrigo Kontreras te Partizani ka mbetur pezull, gjithsesi kryeqytetasit ende nuk i kanë humbur shpresat për ta afruar në ekip sulmuesin 20- vjeçar, i cili mund të plotësonte kërkesën e trajnerit Agostineli për majën e repartit ofensiv.

Pas ndeshjes me Laçin, drejtuesit e kuq kishin shumë shpresë në mbërritjen e Rodrigo Kontreras, madje, përveç tij, ata prisnin edhe një tjetër sulmues nga Argjentina.

Emri më i përfolur ishte ai i 22- vjeçarit Gustavo Goti, që është pjesë e skuadrës Instituto de Kordoba. Ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i klubit, Dritan Dervishi, i premtoi Agustin Torasos se shumë shpejt do të ketë në ekip një tjetër sulmues nga Argjentina. Rodrigo Kontreras ishte menduar si bomba e merkatos së Partizanit në janar, por për momentin ai mbetet më shumë si një “Mister X”. Sot pritet që të mësohet më qartë se cila do të jetë e ardhmja e sulmuesit argjentinas Rodrigo Kontreras te Partizani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"