Nga vëllai burgaxhi, tek e motra stiliste/ Ja sekretet e Leo Mesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 18:24

Nga vëllai burgaxhi, tek e motra stiliste/ Ja sekretet e Leo Mesit

Pakkush nuk e njeh Lionel Mesin. Madje, edhe ata që futbollin nuk e kanë fort për zemër. Kur flasim për sportdashësit apo për tifozët, akoma më tej historia ndryshon. Të shumtë janë ata që janë fiksuar me yllin argjentinas të PSG-së.

Mesi familja

Por, Mesi nuk është vetëm ai futbollisti që ka mahnitur botën me aftësitë e tij dhe me arritjet e panumërta. Lionel Mesi është dhe një njeri si gjithë të tjerët, i rrethuar nga një familje që e do. Këtu nuk po flasim për bashkëshorten dhe fëmijët, por atë pjesën tjetër po aq të rëndësishme: prindërit, motrat e vëllezërit. Nëse për të dihet gjithçka deri në imtësi, familjarët e tij janë më pak të dëgjuar, më pak të pranishëm në faqet e para të mediave botërore.

Ka qenë pikërisht ylli i PSG-së, i cili ka vendosur t’i “shfaqë” botës familjen e tij. Duke shfrytëzuar këto ditë “pushimi”, Mesi ka përdorur “Instagram”-in për të ndarë pjesëtarët e tjerë të familjes me 301 milionë ndjekësit në këtë medium social.

Natyrisht që ka mjaftuar një foto për t’u shkruar dhjetëra artikuj, ai i tabloidit britanik “The Sun”, i cili u ka bërë një përmbledhje të gjithë pjesëtarëve të familjes Mesi. Në fakt, bëhet fjalë për një familje mikse, që nga vëllai i burgosur për thyerje të ligjit e deri te motra si një stiliste e talentuar.

MATIAS MESI (VËLLAI) – Është vëllai i madh i Lionel Mesit, i cili ka qenë problematik me ligjin. Në vitin 2018 ai u dënua me dy vjet nga një gjykatë në Argjentinë për armëmbajtje pa leje. Pas shumë përpjekjesh, ai arriti të shmangte burgimin, por dënimi i tij u konvertua me punë sociale.

Sipas tabloidit argjentinas “La Capital”, vendimi u arrit mes një marrëveshjeje ndërmjet familjes Mesi dhe prokurorëve të çështjes. Asokohe u raportua se arma iu gjet atij në fundin e vitit 2017 në një varkë të braktisur prej tij gjatë një lundrimi në lumin Parana. Ky ishte një rast i përsëritur i problemeve të tij me ligjin, pasi ishte arrestuar për të njëjtën vepër penale edhe në vitet 2008 dhe 2015.

RODRIGO MESI (VËLLAI) – 41-vjeçari është vëllai i dytë i Leos. Në ndryshim nga vëllai i madh Rodrigo, është një milioner falë një agjencie biznesi. Ai menaxhon lojtarë të rëndësishëm mes të cilëve Andreas Kristensen apo mesfushorin e Mançester Sitit, Ilkaj Gyndogan.

MARIA MESI (MOTRA) – Është pjesëtarja më e vogël në familjen Mesi. Ajo është 28 vjeçe, por tepër e suksesshme në biznesin e saj. Ajo është stiliste dhe ka ngritur një linjë të brendshmesh që kanë pasur një sukses të madh në Argjentinë.

Motra e Mesit

Stilistja argjentinase ka bashkëpunuar dhe me “Bikinis Rio” për të krijuar veshje të tilla plazhi që janë bërë të famshme edhe në Brazil. Mes bashkëpunimeve të tjera është edhe me Virxhinia Hilfiger, motra e stilistit të famshëm Tomi Hilfiger.

SELIA MARIA KUÇITINI (MAMAJA) – Mamaja e Lionel Mesit ka qenë një punëtore e thjeshtë në një fabrikë prodhimi. Ajo zuri faqet e para të mediave në vitin 2017 kur djali i saj, Lionel Mesi, u martua me Antonela Rokucon. Ajo theu një traditë argjentinase duke u veshur me të bardha si dhe nusja në ceremoninë festive.

Madje, për këtë veprim të saj u fol se dy familjet u desh të ndaheshin në kate të ndryshme të hotelit ku u mbajt dasma, pasi ata nuk flisnin mes tyre. Në Argjentinë cilësohet si një ofendim i rëndë që në dasmë dikush tjetër, veç nuses, të vishet me të bardha.

Familjaret e Mesit

HORGE MESI (BABAI) – Më i njohuri nga të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, veç Leos, të paktën në Europë. Ka punuar më parë si punëtor në një fabrikë çeliku, teksa tani është menaxheri i Leo Mesit.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"