Nga Railej tek Atkinson! Gjykon një “tifoz” anglez, shqiptarëve nuk u sjellin fat por… polemika

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2023 | 10:34

Nga Railej tek Atkinson! Gjykon një “tifoz” anglez, shqiptarëve nuk u sjellin fat por… polemika

UEFA ka vendosur gjyqtarët që do të vendosin drejtësi në sfidën Republikë Çeke-Shqipëri. Një emër i madh i arbitrimit është zgjedhur që do të gjykojë këtë sfidë të rëndësishme për Kombëtaren kuqezi dhe bëhet fjalë për Entoni Tejlorin.

murinjo tejlor

44-vjeçari anglez cilësohet si një prej arbitrave më të mirë të Premier Ligës për momentin, por kontestimet ndaj tij kanë qenë gjithnjë të shumta, ashtu siç ndodhi së fundmi në finalen e Ligës së Europës midis Seviljës dhe Romës, që bëri Zhoze Murinjon të tërbohej dhe ta priste në parking për t’u ballafaquar. Së bashku me Tejlorin, tre asistentët e tjerë të tij do të jenë anglezë. Bëhet fjalë për Geri Besuik, Li Bets dhe Kreig Pousën, të cilët formojnë katërshen e gjyqtarëve, ndërsa sa u përket dy arbitrave që do të jenë në VAR, ata do të jenë Darren Ingland dhe asistent Majkëll Salisbëri.

HERA E PARË – Për arbitrin nga Mançesteri, kjo do të jetë hera e parë që ai do të gjykojë Kombëtaren kuqezi, por edhe atë çeke. Atij iu besua edhe kryendeshja e javës së fundit të Premier Ligës, mes Arsenalit dhe Mançester Junajtidit (3-1) në “Emirates”, takim në të cilin ai nuk u shpëtoi polemikave, siç ishte rasti i penalltisë për “topçinjtë” që ai akordoi pas ndërhyrjes së Bisakës ndaj Havercit, e cila më pas u anulua nga VAR-i. Gjithashtu, në minutën e 88-të, “djajtë” menduan se fituan ndeshjen me Garnaçon, por goli i argjentinasit u anulua për pozicion jashtë loje pas kontrollit të VAR-it. Tejlor, i cili është një ultras i skuadrës së Olltrinçamit, klubit që militon në Kategorinë e Pestë në kampionatin anglez, nuk ka frikë ta shfaqë hapur mbështetjen e tij për klubin lokal të Mançesterit, madje presidenti i tyre zbulon se 44-vjeçari blen çdo sezon abonimin për të mbështetur skuadrën e zemrës, pavarësisht se ai nuk mund t’i ndjekë ndeshjet në stadium.

SHQIPËRIA E PAFAT – Por historia ka treguar se Shqipërisë nuk i ka sjellë shumë fat gjykimi i bilbilave të Premier Ligës. Po të ishte për arbitrin e famshëm të SerbiShqipëri në Beograd në kualifikueset e “Euro 2016”, Martin Atkinson, i cili në raportin e tij të ndeshjes shkroi se kuqezinjtë refuzuan që të dilnin në fushë pas incidenteve, kombëtarja nuk kishte për t’i fituar kurrë ato tri pikë në KAS, nëse nuk do të ishte rrëzuar pretendimi i gjyqtarit, i cili ra si fakt edhe pas dëshmisë së trajnerit Xhani de Biazi. Italiani e kontestoi pretendimin e Atkinsonit, se si mund t’u kërkohej njerëzve të ktheheshin në fushë të trembur, duke e paralelizuar situatën ekstreme me një cirk, pasi luani kishte dalë nga kafazi.

INCIDENTI ME RAILEJN – Por, një tjetër incident i bujshëm në histori që ka pasur Majk Railejn në gjykim, i ndodhi Shqipërisë edhe në një tjetër kualifikuese Europiani, humbjen me Holandën në “Qemal Stafa” në 12 shtator 2007, pas një goli në minutën e 91-të të Rud van Nistelroit. Shkak ishte anulimi i një goli të rregullt të Erjon Bogdanit në fundin e pjesës së parë, i cili do të zemëronte edhe trajnerin Oto Bariç në atë kohë. “Është me të vërtetë një fatkeqësi që e humbëm këtë ndeshje. Nuk e meritonim një fat të tillë. Skuadra i zbatoi me përpikëri detyrat taktike që ndamë në analizën para ndeshjes. Luajtëm 87 minuta lojë të përkryera, duke e bërë të vuajë Holandën, një nga skuadrat më të mira të Europës. Personalisht nuk e kuptoj veprimin e gjyqtarit të ndeshjes, i cili na anuloi golin në fundin e pjesës së parë. E çuditshme kjo, kur ishte autogol”.

Por kuqezinjtë shpresojnë që të mos kenë vendime si ai i njeriut që do të bëhej më pas disenjatori i arbitrave të Premier Ligës në “Fortuna Arena” të Pragës nesër. Tejlor, i cili ka gjykuar mbi 300 ndeshje në Premier Ligë, mbetet një nga arbitrat më të mirë në qarkullim sot në Europë dhe e vetmja gjë që mund të bëjë Shqipëria të enjten, është të kryqëzojë gishtat që vetëm ai të mos bëhet protagonisti negativ i 90 minutave, të cilat mund të afrojnë më shumë kuqezinjtë me ëndrrën europiane.

aktinon

Martin Atkinson duke gjykuar Serbi-Shqipëri në 14 tetor 2014

Majk Railej i anuloi një gol të rregullt Bogdanit ndaj Holandës në 12 shtator 2007 në Tiranë

Majk Railej i anuloi një gol të rregullt Bogdanit ndaj Holandës në 12 shtator 2007 në Tiranë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"