Nga Luftëtari, Pogradeci, Gramshi, Tërbuni dhe Naftëtari. Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 21:11

Nga Luftëtari, Pogradeci, Gramshi, Tërbuni dhe Naftëtari. Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Kapiteni i Luftëtarit, Nazmi Gaba, kërkon që të harrohet barazimi në Peqin dhe menjëherë ekipi të rikthehet te fitorja. “Maliqi është në pozita të vështira në renditje dhe ka uri për pikë.

kategoria-e-dyte

E vlerësojmë në maksimum Maliqin, por fitorja është detyrim për Luftëtarin të dielën. Nuk ka vend për alarm pas barazimit me Shkumbinin, këtë e tregojnë rezultatet e fazës së dytë. Përpos barazimi, jemi në rrugën e duhur”, u shpreh Gaba. TOMOR SHEHU

 Gramshi

Në prag të transfertës së Kuçovës, mesfushori i Gramshit, Arbër Baku, u shpreh: “Bëmë një takim shumë të mirë me Ilirinë, por nuk fituam dot. Kemi ngërç te shënimi i golit dhe kjo gjë na ka dëmtuar shumë. Shpresojmë të çlirohemi në transfertën e Kuçovës, ku na pret një sfidë e fortë. Udhëtojmë vetëm për fitore dhe kam besim se do ta arrijmë qëllimin. Dëshiroj të shënojnë në këtë takim dhe t’i jap fitoren ekipit”. MARIGLEN MIRAKA

Tërbuni

Pas fitores me Murlanin, Tërbuni siguroi vendin e katërt. Autori i dy golave ndaj Murlanit, Jurgen Gjini për “Panorama Sport” tha: “Ishte kënaqësi që shënova dy gola ndaj Murlanit. Gjithsesi, Tërbuni nuk e meriton të jetë në këtë pozicion, pasi në fillim të sezonit ekipi u ndërtua për të qenë në vendet e para. Kemi gabuar rrugës duke lënë pikë, gjë që nuk na falet. Duhet të ishim më të kujdesshëm, si brenda dhe jashtë fushe”. GANI PEMA

Pogradeci

Të dielën në stadiumin e Delvinës do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të Kategorisë së Dytë. Sfida me Delvinën mendohet të jetë disi vendimtare për Pogradecin, pasi në rast fitore hedh një hap më të sigurt drejt titullit. Pas kësaj ndeshje, pogradecarët kanë vetëm një transfertë për të luajtur dhe më të rëndësishmen, atë kundër Luftëtarit. Në këtë ndeshje në Delvinë pritet që të ketë interes të lartë nga tifozët. REDI DANDALLAKU

Naftëtari

Naftëtari do të kërkojë fitoren në ndeshjen e radhës ndaj Gramshit. Duhet thënë, se për kuçovarët fitorja mbetet “tabu”. Gjatë fazës së dytë ekipi ka regjistruar vetëm humbje dhe barazime. Në përballjen e nesërme me Gramshin në stadiumin “Bashkim Sulejmani”, padyshim do të kërkohet maksimumi. Një rezultat pozitiv i qetëson kuçovarët në drejtim të renditjes, në të kundërt, pozitat ndërlikohen jo pak për pjesën e mbetur. ARBEN ÇEPANI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"