Nga Alegri te Spaleti, vendoset nga paga

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2014 | 19:14

Nga Alegri te Spaleti, vendoset nga paga

Alegri dhe SpaletiTanimë është e kotë ta fshehësh, zgjedhja e trajnerit të ri të Kombëtares së Italisë do të “luhet” edhe në tavolinat e politikës. Lutjet e lodhshme për të tentuar Çezare Prandelin që të rikthehet në postin e tij janë rikthyer mbrapsht, sepse trajneri i ka qëndruar strikt zgjedhjes së tij për t’u dorëhequr. Prandaj, e ardhmja e Italisë do të jetë një tjetër, një histori që pret për t’u shkruar, një kapitull që do të nisë në mënyrën më banale të mundshme, nga paratë. Pikërisht kështu, edhe pse në federatë duan me ngulm që t’i japin përfaqësueses një trajner me “stof” kampioni, duke listuar emra me eksperiencë të madhe si Masimilano Alegri, Roberto Mançini, Françesko Guidolin apo Luçiano Spaleti, drejtuesit e futbollit italian do bisedojnë pikësëpari çështjen financiare, përpara se të vlerësojnë planin e ringritjes së një përfaqësueseje që po mbytet në rangjet e turpshme, së bashku me Serinë A. Eliminatoret e Europianit 2016 fillojnë shpejt, por ndërkohë federata dhe kombëtarja janë lënë në mëshirë të fatit nga dy dorëheqje bombastike. Edhe pse në selinë e futbollit konfirmojnë se zëvendësimet e këtyre posteve do të bëhen shpejt, të gjithë po lëvizin pa busull, ndonëse një mbledhje e parë do të bëhet të hënën. Kandidaturat janë hedhur dhe tashmë i njohin të gjithë, por në pritje për të kuptuar se cila do të jetë zgjedhja e re teknike dhe njëkohësisht financiare, “Gazzetta dello Sport” bën një përmbledhje të përgjithshme të figurave sportive që mund të pranojnë stolin “axurr”. Pas një sondazhi të parë, Italia vendosi qartë se 51.5 për qind duan Mançinin; Spaletin 22.2 për qind, Guidolinin 20.1 për qind dhe Alegri i fundit me 4.2 për qind.
Alegri – Por le ta nisim nga i fundit i preferencave. Edhe pse nuk pëlqehet shumë prej sportdashësve, ish-trajneri i Milanit është një emër që ka shumë “tifozë” në federatë. Ndonëse kundrejt kandidaturave ka më pak eksperiencë, ajo që e favorizon zgjedhjen e tij është fakti se Masimiliano Alegri është gati që për stolin e Italisë të ulë në minimum (1.5 milionë euro, sa paga e Prandelit) kërkesat e tij financiare, duke kujtuar që te Milani paguhej 2.7 milionë në sezon. Një tjetër aspekt që mund të shtyjë në zgjedhjen e tij lidhet me faktin se ai njeh shumë prej grupit aktual të të rinjve, duke hedhur në vallen e kombëtares talente si El Sharaui, Rosi, apo edhe Poli, që Prandeli nuk kishte guxim t’i grumbullonte. Natyrisht që edhe mbi temën “Baloteli”, Alegri do të ishte një kurë pozitive për sulmuesin. Ai favorizon skemën 4-3-3, një model sulmues mbi të cilin ka punuar edhe Prandeli, por me sigurinë e madhe se me Alegrin në stolin e kombëtares, Andrea Pirlo do t’i jepte përfundimisht lamtumirë Italisë.
Mançini – Kundrejt Alegrit, Mançini nuk preferohet më kot edhe nga tifozët, duke parë dhe eksperiencën e tij ndërkombëtare, me klube si Mançester Siti dhe Gallatasaraji. Roberto është njëkohësisht edhe preferenca e presidentit të Komitetit Olimpik Italian, por në të njëjtën ai nuk është nga ata trajnerë që është gati të marrë një post të tillë, kaq të vështirë për më shumë, pas një pagë që ta kënaqë, minimalisht 4 milionë euro, ndonëse ai është mësuar edhe me shifra si 7 milionët që merrte te Siti. Gjithsesi, duke hyrë në detajet taktike edhe Mançinit i pëlqen të sulmojë dhe ashtu si Alegri preferon skemën 4-3-3, me Balotelin që do të jetë “basti” i tij, ashtu siç bëri edhe Prandeli, i bindur se do të nxjerrë nga “Super-Mario” talentin e vërtetë që ai po mbyt.
Guidolin – Nëse trajneri i ri do të vendoset fillimisht nga kushtet financiare, Françesko Guidolin mund të jetë zgjedhja e parë e federatës së re, sepse paga e tij është në nivelet e botës së dytë, duke mos i kaluar 500 mijë eurot vjetore. Natyrisht që eksperienca e tij e akumuluar ndër vite dhe fakti që me Udinezen ka bërë çdo sezon magjira, edhe pse skuadra i çmontohej pas çdo merkato vere, ai është një “partizan” i skemës 3-5-2, e përqendruar te shpejtësia e lojës në krahë. Por mbi të gjitha ai nuk sheh asnjëherë emrin e një futbollisti, sado i madh që të jetë ai, por i pëlqen të punojë me talentet dhe t’u japë një mundësi atyre, ndaj kandidatura e tij është ndër më seriozet.
Spaleti – Edhe ky ashtu si Mançini e nis nga radha e dytë për sa i përket pagës, sepse aktualisht, edhe pse i shkarkuar nga Zeniti, paguhet 5 milionë euro në sezon. Luçiano Spaleti ka në favor të tij modelin sulmues, të ndërtuar mbi një mbrojtje solide dhe me nevojën e të pasurit në ekip një fantazist alla Pirlo, në modulin (4-2-3-1), por ajo që i tremb drejtuesit është karakteri i tij, shpesh rebel, një person që di të tërheqë me vete kritikat. Gjithsesi, fakti i të kërkuarit për të qenë gjithmonë gjenerali i grupit, mund t’i bëjë mirë kësaj Italie të copëtuar tashmë. Por ndoshta të hënën, Spaleti dhe tre të tjerët mund të mësojnë diçka më shumë mbi të ardhmen e tyre…
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"