Nehar Sadiki: Të menaxhojmë emocionet, rëndësi ka që Erzeni të mos pësojë ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2024 | 10:06

Nehar Sadiki: Të menaxhojmë emocionet, rëndësi ka që Erzeni të mos pësojë ndaj Dinamos

Pas fitores së “ringjalljes” kundër Egnatias kryesuese, Erzenit përballet të dielën, në 18:00, me Dinamon në “Air Albania”. Kjo ndeshje, e vlefshme për javën e 31-të të Superiores, ka shumë rëndësi për shijakasit, të cilët kërkojnë të mbijetojnë në elitën e futbollit shqiptar. Trajneri Alfred Deliallisie ka të plotë skuadrën për këtë transfertë.

sadiki erzeni

SADIKI – Mbrojtësi Nehar Sadiki, një nga titullarët më të rëndësishëm të Erzenit, për “Panorama Sport” ka theksuar se është momenti për të marrë të tjera pikë, ndërkohë që ka edhe një mesazh për tifozët shijakas. “Sigurisht, na pret një ndeshje mjaft e vështirë dhe këtu kam parasysh tri përballjet që kemi pasur me Dinamon në këtë kampionat. Kemi humbur 2 ndeshje dhe fituar vetëm 1. Forma e mirë e kundërshtarit është një sfidë më vete, por stafi teknik dhe ne lojtarët po mundohemi ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje, ku na duhet të marrim pikë për objektivin tonë. Shumë e rëndësishme, në gjykimin tim, është që të mos pësojmë gol. Kështu do të jemi edhe më efikasë para portës kundërshtare.

Duhet të menaxhojmë drejt emocionet në këtë sfidë, është thelbësore të bëjmë ashtu si me Egnatian në ndeshjen e fundit. Skuadra është e plotë, nuk kemi dëmtime apo skualifikime. Ky është një plus i madh për fazën ku jemi. Kam edhe një mesazh për tifozët, të cilët janë shtysa jonë më e madhe: dua të jenë sa më të shumtë në numër në këtë ndeshje”, ka thënë mbrojtësi i Erzenit.

erz

ERALD DERVISHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"