Ndarje me gjyq, talenti 21-vjeçar nuk kthehet më te Luftëtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2020 | 20:35

Ndarje me gjyq, talenti 21-vjeçar nuk kthehet më te Luftëtari

Kanë kaluar gati tri javë nga starti i përgatitjeve për sezonin e ardhshëm dhe te skuadra gjirokastrite flitet për kthimin në elitën e futbollit shqiptar, por grupi i futbollistëve ende nuk është plotësuar.

Griseld Lika

Për më tepër, vazhdon rrjedhja nga kontingjenti i sezonit të fundit. Një nga lojtarët më të mirë të atij sezoni, sulmuesi Gresild Lika, nuk dëshiron të kthehet në Gjirokastër dhe për këtë ai ka hapur një gjyq me Luftëtarin për të shkëputur marrëdhëniet zyrtarisht. Lika ishte golashënuesi më i mirë i Luftëtarit në Superiore dhe largimi i tij do t’i prishë shumë punë stafit teknik.

Për “Panorama Sport”, vetë Lika sqaron situatën që po kalon, duke pohuar se pret vendimin e gjyqit për të qenë i lirë. “Pres shumë shpejt të mësoj vendimin e gjyqit që kam hapur ndaj Luftëtarit. Kërkesa ime është që të dal lojtar i lirë dhe më tej të vendos për të ardhmen time”, tha 21-vjeçari kryeqytetas, produkt i shkollës së Partizanit.

LARGIMET – Një goditje e rëndë kjo për gjirokastritët, të cilët deri tani kanë humbur shumë nga futbollistët titullarë të sezonit të kaluar. Nga Luftëtari janë larguar tashmë emra si: Franc Lala, Arlis Shala, Rimal Haxhiu, Arbër Mehmetllari, Arbër Duka, Enes Isufi, Amer Duka, Regild Zenelaj, Jurgen Dushkaj, Donald Açka dhe Armenis Kukaj.

HYSENI – Përveç Likës, te Luftëtari nuk është paraqitur në stërvitje edhe mesfushori Erald Hyseni, i cili, i kontaktuar nga gazeta, u shpreh se kërkon të shkëputet nga Luftëtari, por me mirëkuptimin e klubit: “Mbetem në pritje për të mësuar si do rrjedhin ngjarjet.

Nga drejtuesit e Luftëtarit kërkoj të dal lojtar i lirë dhe ky ngërç po më mban ‘peng’ për të ardhmen, pasi ofertat nga ekipet shqiptare dhe jashtë vendit nuk më kanë munguar. Për respekt të presidentëve, nuk dua t’i përmend emrat e ekipeve që më kanë kërkuar. Nëse nuk dal lojtar i lirë, do të diskutoj me klubin për të gjetur gjuhën e përbashkët. Kam bindjen se do të mirëkuptohemi”.

T. SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"