Ndalesa penalizon Kukësin, verilindorëve iu duhen 5 fitore për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 13:01

Ndalesa penalizon Kukësin, verilindorëve iu duhen 5 fitore për mbijetesën

Nëse për shumë skuadra pushimet apo ndalesat në momente të caktuara mund të bëjnë mirë, duket se për Kukësin nuk vlen kjo gjë. Për më tepër në këto momente kur po bënin vërtetë mirë.

FOTO: F. Hazisllari

FOTO: F. Hazisllari

Verilindorët janë skuadra më e penalizuar sa i përket ndalesës së kampionatit për shkak të miqësoreve të Kombëtares. Thuhet kështu, pasi blutë vinin nga një moment mjaft i mirë, ku siguruan dy fitore radhazi në kampionat dhe një në kupë, ku shkuan edhe në gjysmëfinale. Mirëpo, duket se i gjithë ky vrull do të duhet të ndalë për momentin, teksa skuadra vjen me një moral të lartë, sepse së fundmi ndalën edhe Vlazninë, që konsiderohej si e pathyeshme në javët e fundit.

KUKËSI SHPRESON – Një moment pozitiv, që mesa duket rilindi verilindorët dhe i mban gjallë shpresat për mbijetesë, ndonëse janë gjashtë pikë larg vendit të tetë kur ndërkohë kanë mbetur edhe tetë sfida deri në fund. Nëse kur Devolli mori drejtimin askush nuk besonte se Kukësi do të gjente forca të merrte pikët për të shpresuar deri në fund për mbijetesë, tani situata duket se është kthyer përmbys. Tekniku ia ka dalë të gjejë ekuilibrat e duhura në skuadër dhe të injektojë te lojtarët shpirtin e sakrificës. Mirëpo, e rëndësishme për momentin është fakti që Kukësi merr pushimet e shkurtra jo me mendjen e fjetur si i rënë nga kategoria, por me besimin se mund t’ia dalë.

LLOGARITË E MBIJETESËS – Në situatën ku ndodhen të gjithë kanë nisur të bëjnë llogaritë. Kukësi, jo vetëm që është në lojë matematikisht, por ka ende shanse reale për të mbijetuar. Në lojë janë ende 24 pikë për t’u marrë dhe nëse në Kukës i marrin të gjitha shkojnë 49 dhe nuk vihet më në diskutim qëndresa. Zakonisht kufiri për të mbijetuar ose arritur “play-offin” është diku tek 40 pikët dhe Kukësit i duhen së paku pesë fitore për të shkuar në këtë kuotë. Nëse blutë bëjnë të njëjtat paraqitje si këto të javëve të fundit, asgjë nuk duket e pamundur për t’u arritur. Megjithatë, për momentin e rëndësishme është që Kukësi rifutet në garë për të shpëtuar sezonin. Nëse ia arrin në fund të bëjë mrekullinë ose jo, kjo mbetet për t’u parë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"