Murinjo “kërcënon”: Po më shkarkuan do t’u kushtojë shtrenjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 9:35

Murinjo “kërcënon”: Po më shkarkuan do t’u kushtojë shtrenjtë

Zhoze Murinjo nuk ka frikë nga shkarkimi i mundshëm nga stoli i Junajtid dhe thotë me humor se klubit do t’i kushtonte shumë para nëse do të vendosnin që ta hiqnin qafe. Trajneri portugez iu afrua shumë shkarkimit pas humbjeve me Brajtonin dhe Totenhemit dhe ishte në rrezik serioz nëse do të kishte humbur të dielën ndaj Bërnlejt.

murinjo

Por, ai dukej në humor pas dopietës së Lukakut, e cila i siguroi një fitore 2-0 dhe tha gjatë një interviste për “La Repubblica” se nuk mendonte se ishte në rrezik për të humbur vendin e punës. “Ata thonë se jam në rrezik, por unë nuk mendoj kështu”, deklaroi 55-vjeçari në stilin e tij. “Nëse ata do të më shkarkojnë, a e keni idenë se sa shumë para do të më duhet të më japin”? Mou, i cili fiton rreth 15 milionë paund në vit, i ka të acaruara marrëdhëniet me administratorin e deleguar, Ed Uduard, për shkak të pasivitetit në merkaton e verës.

Luzitani kërkoi publikisht transferimin e një qendërmbrojtësi, por Uduard nuk ishte i gatshëm që të ofronte më shumë fonde për përforcimin e skuadrës, për të cilën ka hedhur 400 milionë paund që prej vitit 2016. Merkatoja e fundit u mbyll vetëm me një goditje kryesore, transferimin e mesfushorit Fred për 50 milionë paund, ndërkohë që problemet në mbrojtjen e Junajtid në 3 javët e para të Premier Ligës shërbyen për të justifikuar kërkesën e trajnerit. Për këtë arsye, shumë prej tifozëve të “djajve” janë në anën e Murinjos.

Murinjo

Një nga grupimet e ultrasve e bëri të qartë mendimin e tyre, duke paguar një avion që të ngrinte banderolën mbi “Turf Moor” me diçiturën: “Ed Uduard: Një specialist në dështim”. I pyetur pas ndeshjes nëse ai kishte paguar personalisht për të, Murinjo u përgjigj me humor, duke nënkuptuar shumë: “Jo… por mund ta kisha bërë!” Pozicioni i tij në “Old Trafford” është dobësuar edhe prej marrëdhënies së tensionuar me yllin francez, Pol Pogba. Mesfushori francez është një figurë kyçe për markën globale të klubit dhe paaftësia e Murinjos për të nxjerrë më të mirën nga ai duket se është bërë një problem për zyrtarët.

JUVENTUS – Në fund edhe një mendim për Juventusin, rivalen e “djajve” në Champions: “Pas Liverpulit janë skuadra që shpenzuan më shumë. Mendoj se investuan të fitojnë Champions-in, por më parë duhet të përballen me ne”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"