Mesfushori i Besës kërkon ndjesë për disfatën e thellë në Burrel, Tafili: Vuajmë “sëmundjen” e rasteve të humbura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2021 | 17:28

Mesfushori i Besës kërkon ndjesë për disfatën e thellë në Burrel, Tafili: Vuajmë “sëmundjen” e rasteve të humbura

Pas një humbjeje 5-1, të kritikosh është gjëja më e thjeshtë që mund të bësh. E megjithatë, Alsid Tafili mendon se rezultati nuk i përgjigjet aspak lojës që u zhvillua në “Liri Ballabani”.

tafili

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori, pasi kërkon ndjesë, evidenton se Besa vuajti vetëm prej “sëmundjes” së rasteve të humbura dhe jo prej lojës së dobët apo gabimeve të prapavijës.

“Sigurisht, pas një rezultati 5-1, fjalia e parë e secilit prej nesh është ndjesa dhe autokritika. Këtë e bëmë edhe para presidentit Nexhat Bizhdili, që me të drejtë ishte i revoltuar, por jo me argumentet e atyre që nuk e kanë parë ndeshjen. E them këtë, pasi ne udhëtuam me bindje për ta fituar atë transfertë. E përsëris edhe sot. Nisëm lojën si favoritë dhe ishim të parët që duhet të kishim shënuar. Pa nënvlerësuar Burrelin, jua them nga përvoja se golat e tyre i realizuan jo me aksione të rregullta apo me ide, por thjesht ec përpara pa ide.

Pas 1-0 kishim përsëri një rast flagrant goli vetëm 4 metra përballë portierit vendës dhe nuk shënuam dot. Thënë thjesht, ne luanim e krijonim raste dhe ata gjuaj e bëj gola. Kjo është e vërteta. Shpërdoruam pa masë, e përsëris këtë. Nëse nuk citoj emra publikisht, këtë e kemi bërë në analizën që bëmë rast pas rasti e me përgjegjësi të secilit. Nuk është se po justifikohem, por kjo është e vërteta. Që ai rezultat nuk na nderon, këtë e pranoj dhe kërkoj ndjesë publikisht në emër të ekipit”, u shpreh fillimisht shkodrani.

GRUPI

Mesfushori nuk tërhiqet asnjë milimetër nga ideja se Besa ka një ndër ekipet më të mira në Kategorinë e Parë dhe se këtë do ta pasqyrojë në javët që vijnë. “Do të isha vërtet i pashpresë nëse ajo humbje do vinte falë nivelit të ekipit, por kam bindjen se Besa ka ndër ekipet me përbërje më cilësore të së Parës. Kam konstatuar në këto 4 javë se ndaj nesh çdo ekip motivohet dyfish pasi na çmon, por edhe na kanë frikë njëkohësisht.

Mbetet detyrimi ynë që ta ndajmë mendjen për të qenë pragmatistë në lojë dhe të mbyllim ndeshjet shumë më herët, pa pritur fundin e 90 minutave. Nuk nënvlerësoj askënd, por është fakt se në të katër takimet kemi krijuar raste pa fund e po kaq kemi shpërdoruar. Fundi fare, pas ndeshjeve askush nuk pyet sa raste humbët, por sa doli rezultati. Në këtë pikë jemi vërtet fajtorë”, theksoi 34- vjeçari

NDALESA

Për një lojtar me përvojë si Tafili ndërprerja e kampionatit ka ardhur në një moment që i duhej Besës dhe se ndërrimi i trajnerit do të ketë efektin e vet. “Ndërrimi i trajnerit kudo sjell një tjetër natyrë përgjegjësie, pasi secili prej nesh duhet tashmë ta bindë se kjo humbje nuk kishte lidhje me gjendjen e grupit. Bubeqi ka shumë përvojë mbi shpatulla në drejtim, por mbi të gjitha si futbollist e golashënues dhe si deklaroi ditën e parë, nuk do të falë askënd që do gabojë. Ndeshja në Burrel ishte testi i fundit ku bëmë përsëritje të të njëjtave gabime. Ndërprerja erdhi pikërisht në momentin që psikologjikisht vërtet na duhej”, përfundoi mesfushori, duke premtuar reagim të menjëhershëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"