Më në fund një afrim, Elbasani prezanton mesfushorin brazilian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2019 | 14:27

Më në fund një afrim, Elbasani prezanton mesfushorin brazilian

Elbasani ka nisur punën për zyrtariz imin e lojtarëve për sezonin e ri futbollistik, duke firmosur kontratat përkatëse. I pari që ka marrë dakordësinë për të qenë pjesë e verdhebluve është mesfushori brazilian, Abner Leao Dos Santos, i cili ka luajtur edhe me Korinthiansin dhe Flamengon në kampionatin brazilian.

Dos Santos2

Mesfushori i datëlindjes 06.06.1995 e ka bindur stafin teknik në miqësoren që elbasanasit zhvilluan me Sopotin të shtunën. Braziliani luajti një ndeshje të mirë dhe ra në sy për aftësitë e mira teknike. Në prezencën e menaxherit të tij, Anxhelo Suta, 24-vjeçari ka bërë prezantimin me fanellën e Elbasanit.

Përveç tij, elbasanasit kanë arritur marrëveshjen edhe me dy brazilianët e tjerë që u stërviten këto ditë me skuadrën, por nuk mund t’i zyrtarizojnë për aq kohë sa nuk ka mbërritur ende dokumentacioni i nevojshëm. Pritet që në ditët në vijim të përfundojnë edhe procedurat me letrat dhe në ekip të ketë sadopak aromë “samba”.

Bëhet fjalë për Luis Ribeiron, i datëlindjes 13.08.1990, i cili gjithashtu luan në mesfushë dhe Meteus Rosa Fernandes, i datëlindjes 10.12.1997, që luan në rolin e mesfushorit të qendrës. Më parë ky futbollist ka luajtur në Kategorinë e Parë të kampionatit sllovak.

Dos Santos

TË TJERËT – Sa u përket të tjerëve, ende klubi nuk ka bërë lëvizje konkrete, por kjo periudhë do të shërbejë për të zyrtarizuar lojtarët, pasi faza e seleksionimeve mund të konsiderohet e mbyllur.

Gjatë këtyre ditëve verdheblutë kanë qenë një kantier i hapur, ku një pjesë e mirë e lojtarëve që u provuan lanë për të dëshiruar, duke mos qenë në pritshmëritë që kishte klubi. Përveç skarcimeve që do të bëhen, mësohet se në klub kanë nisur bisedimet me lojtarët që shpresonin të luanin në Superiore, por nuk ia dolën dhe që aktualisht janë të lirë.

Shpresohet që deri në startin e kampionatit pas dy javësh, Elbasani të jetë i kompletuar dhe të hyjë në garë për të qenë të paktën në katër vendet e para.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"