Mbrojtja e hekurt e Kastriotit, Ramin e ndal vetëm numri i kartonëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2022 | 16:57

Mbrojtja e hekurt e Kastriotit, Ramin e ndal vetëm numri i kartonëve

Kastrioti doli me një pikë nga ndeshja e fundit me Erzenin, edhe pse krutanët kaluan të parët në avantazh. Ecuria e skuadrës së Emiljano Çelës është pozitive, ku në pesë ndeshjet e fundit kanë humbur vetëm një.

ARMANDO RAMI

Edhe pse renditen në vendin e shtatë, ata janë në kuotën e 14 pikëve, 4-5 pikë larg zonës së Europës. Ajo që ka rënë në sy te Kastriotit është kompaktësia në repartin e mbrojtjes, ku bashkë me Egnatian, janë dy ekipet që kanë pësuar më pak në kampionat, nga shtatë gola. Tregues ky i një mbrojtje të hekurt, e cila nuk iu lë shumë hapësirë sulmuesve.

Ndërkohë diçka që duhet të përmirësohet te krutanët është goli, pasi nuk kanë marrëdhënie edhe aq të mirë me të, ku deri tani kanë shënuar vetëm 8 të tillë, dhe shtatë ndeshje nga 11 që janë zhvilluar në kampionat, krutanët nuk kanë tundur rrjetën, ndërsa në katër ndeshjet e tjera kanë shënuar tetë gola.

RAMI- Armando Rami është një nga lojtarët që është aktivizuar më shumë te Kastrioti, bashkë me portierin Edmir Sali. Pjesë e krutanëve që prej 2019-ës, mbrojtësi i majtë këtë sezon ka luajtur në të gjitha ndeshjet, por ajo që e ndal në takimin e radhës ndaj Kukësit do të jenë numri i plotësuar i kartonëve të verdhë. Kësisoj, Rami do të jetë mungesë e sigurtë për trajnerin Çela.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"