Mbështetja e KOKSH, jep 38 biçikleta me vlerë 20 mijë dollarë për FSHÇ

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2019 | 18:30

Mbështetja e KOKSH, jep 38 biçikleta me vlerë 20 mijë dollarë për FSHÇ

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar prej disa muajsh është bërë pjesë e skandaleve dhe akuzave të shumta që vijnë nga brenda këtij institucioni, aq sa ka përfunduar edhe në prokurori (presidenti Viron Bezhani ka denoncuar sekretarin Stavri Bello).

KOKSH

Megjithatë, përtej kësaj situate KOKSH dje ka akorduar një mbështetje në bazë materiale për Federatën e Çiklizmit, duke i dhuruar kësaj të fundit plot 38 biçikleta të reja me vlerë 20 mijë dollarë. Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare. Skënder Anxhaku, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit për këtë mbështetje u shpreh:

“FSHÇ ka përfituar një numër prej 38 biçikletash duke na zgjidhur një problem shumë të madh sidomos me ekipin kombëtar me 10 biçikleta karboni. Falënderoj në mënyrë të veçantë Komitetin Olimpik dhe sidomos sekretarin Stavri Bello për punën e madhe që ka bërë dhe për këtë fond që i dha federatës së çiklizmit, në një kohë ku kemi qenë në krizë të madhe në lidhje me biçikletat. Falënderoj gjithashtu të gjithë anëtarët e komitetit dhe mendojmë që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë”, deklaroi Anxhaku. Ndërsa sekretari Stavri Bello u shpreh kështu për mbështetjen që KOKSH i dha çiklizmit: “KOKSH në bashkëpunim me FSHÇ dhe me mbështetje të Komitetit Olimpik Europian si dhe të Federatës Botërore të Çiklizmit, mundësoi këtë bazë materiale, e cila do t’i shërbejë çiklizmit. Është viti i katërt që ne përfitojmë nga projekti i Komitetit Olimpik Europian për mbështetje në bazë materiale të federatave. Ne do të vazhdojmë t’i përkrahim federatat me bazë materiale si dhe kurse kualifikimi, për zhvillimin e sportit në vendin tonë”, tha Bello.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"