Magani nuk kënaqet, gjen gabime edhe kur Besa fiton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2022 | 15:10

Magani nuk kënaqet, gjen gabime edhe kur Besa fiton

Para seancës së djeshme stërvitore, Besa i është drejtuar sallës së analizave. Në këtë analizë merrte pjesë dhe presidenti Nexhat Bizhdili, i cili ka përgëzuar ekipin për fitoren e fundit.

MAGANI

“Ju uroj për fitoren. Në atë ndeshje treguat forcën tuaj. Gjithnjë e kam thënë se te Besa do të përpiqem të afroj, aktivizoj e përkrah të rinjtë që kanë dëshirë të ecin përpara. Ju ndoshta si njihni, po futbollin te Besa e nisën 18-vjeçarë, duke nisur nga Arapi, Vrapi, Fagu, Berisha, Progni, Krasniqi, Fejzullai, pa folur për Carën, Deliun, Dajsinanin e të tjerë. Ata bënë karrierë të shkëlqyer si në Shqipëri edhe jashtë saj. E solla këtë shembull për t’jua bërë të qartë, se nëse ju e vlerësoni këtë moment te Besa duke dhënë shpirtin tuaj, me siguri në të ardhmen ndoshta te Besa apo diku tjetër do të bëni karrierë”, mësohet se i ka thënë presidenti lojtarëve.

Por me një gjuhë krejt tjetër foli trajneri Gugash Magani, që ka gjetur gabime edhe te fitorja në Orikum.

“U bënë disa javë që me ju ndodh diçka e habitshme. Luani prefekt në 45 minutat e para, krijoni raste, shënoni gola. Në shumë sfida, pas minutës së 30-të të pjesës së dytë, nuk e kuptoj përse tërhiqeni? Ua kam thënë 100 herë se i kemi sulmuesit, mesfushorët dhe grupi s’ka arsye të tërhiqet. Kështu keni rrezikuar fitoret duke u dribluar kundërshtarëve terren e raste golash. Ndeshja nis në minutën e parë dhe vazhdon nganjëherë përtej 90-minutëshit. Këtë nuk kam arsye t’ua mësoj unë. Vërtetë fituam, por si trajner nuk jam i kënaqur kur shoh se gatigati e lëshoni fitoren nga duart. Kemi shënuar në çdo takim, çfarë dëshmon forcën tonë. Vërtet nuk kemi pësuar shumë gola, por ka mjaftuar 1 gol për të na hequr 3 pikët. Ata që nuk kanë forcë apo kurajë të luajnë fort 90 minuta, ta kenë të sigurt se nuk mundet të qëndrojnë në fushë nëse nuk vrapojnë e luftojnë deri në minutën e 90-të. Përpara kemi Skënderbeun, i cili nuk të fal po gabove apo i jep terren. Megjithatë, për sfidën e së martës do të flasim në veçanti”, ka thënë mes të tjerash numri një i stolit të verdhezinjve.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"