Lushnja, ndaj himarjotëve për të blinduar kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2012 | 13:44

Lushnja, ndaj himarjotëve për të blinduar kreun

Verdhejeshilët e kanë lënë pas barazimin me Gramshin e po mendojnë për takimin që kanë me Himarën. Në një njoftim të FSHF-së është konfirmuar se sfida e së shtunës do të luhet në qytetin e Kavajës në stadiumin “Besa”. Afërsia e këtyre dy qyteteve do të bëjë që tifozët të jenë më të shumtë në numër në mbështetje të ekipin të tyre për të fituar, e njëherësh për të ruajtur kryesimin. Ndërkohë pas barazimit 1-1, Bano e Çuko kanë kërkuar që ekipi të kthehet tek loja e mirë, po kështu edhe te fitorja, pasi ndeshja e fundit ishte një zhgënjim total si në fushë edhe në rezultat. Mbrojtësi lezhjan, Arben Prela, në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur rreth përgatitjeve për takimin e fundjavës kundër Himarës. “Është një ndeshje e fortë, pasi edhe kundërshtari ka treguar se di të bëjë surpriza në këtë sezon. Ne kemi punuar shumë me gabimet që u evidentuan gjatë përballjes së parë me qëllim që të mos përsëriten më, sepse ne duhet të tregojmë vlerat tona. Duhet të kthehemi si në lojë dhe në rezultat, pasi Lushnja e ka të gjithë potencialin e nevojshëm”, – u shpreh Prela. Myzeqarët kanë lënë shumë pikë në javët e fundit, duke bërë që edhe ndjekësit të afrohen në renditje duke i shqetësuar sadopak djemtë e Banos. Kësisoj, në ndeshjen me himarjotët do të kërkohet fitorja me çdo kusht, sepse kjo është e vetmja alternativë. Çdo pikë e lënë do të ishte një hap tjetër fals, e po kështu do të rriteshin dyshimet nëse kjo skuadër është e aftë të ngjitet në Superiore. “Pa dyshim që ne kemi një ekip shumë të mirë dhe këtë e kemi treguar në këto javë të kampionatit. Jemi në vendin e parë, të cilin nuk na e ka falur kush, por e kemi merituar. Çdo gabim për ne do të ishte i pafalshëm, për më tepër që nëse gabojmë do të afroheshin edhe më shumë ekipet ndjekëse. Gjithsesi, ne nuk do të lejojmë që rivalët të na afrohen. Do ta mbyllim me fitore përballjen me Himarën”, – përfundoi Prela.
ARMAND NEZHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"