“Luajmë për fitore ndaj Teutës”, Kamarata: E vështirë, por Apolonia e di çfarë duhet të bëjë në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2021 | 13:13

“Luajmë për fitore ndaj Teutës”, Kamarata: E vështirë, por Apolonia e di çfarë duhet të bëjë në Durrës

Apolonia shkon në transfertën e Durrësit e motivuar për rezultat pozitiv. Ndaj “djemve të detit” nuk kanë se çfarë të humbasin të besuarit e trajnerit Kamaratës, ndaj janë të vendosur për të luajtur çlirët dhe pa ngarkesa. Është vetë trajneri i Apolonisë, që shpreh mobilizimin dhe frymën e besimit te skuadra e tij, duke shpalosur gjithçka në një intervistë enkas për “Panorama Sport”.

Kamarata Apolonia

Çfarë gjendjeje ka treguar skuadra juaj pas humbjes me Tiranën?

Pozitive, sigurisht. Ne kemi analizuar lojën tonë, shkaqet e humbjes me Tiranën dhe kemi nxjerrë konkluzionet tona. E dimë çfarë duhet të përmirësojmë dhe kemi punuar me skuadrën gjithë javës në këtë aspekt. Brenda ekipit ka qetësi, besim dhe optimizëm.

Ju pret Teuta, një nga ekipet më të mira të Superiores, që nuk e njeh humbjen në fushën e vet. Si e keni përgatitur ekipin për këtë sfidë?

Apolonia është e përgatitur siç duhet përpara çdo ndeshjeje sepse lojtarët e kanë të qartë që çdo kundërshtar duhet vlerësuar në maksimum. Në këtë aspekt, edhe Teuta ka respektin dhe vlerësimin tonë, aq më tepër që është skuadër e zonës së pretendimeve. Transfertë e vështirë, por e dimë se çfarë duhet të bëjmë në fushë.

Në 5 ndeshjet që keni drejtuar Apoloninë, nuk keni pasur një formacion stabël titullarësh. Pse?

Duke lënë mënjanë mungesat nga dëmtimet, po ju them se unë nuk e vuaj këtë pjesë dhe nuk ndihem i kapur “mat” për faktin që përmendët ju. Parimi im ka qenë dhe do të mbetet përherë, në fushë do të luajnë futbollistët që e meritojnë, ata që janë në formë, pa u ndikuar nga emri, mosha apo cilësia. Kështu do të vazhdojmë, gjithmonë do të luajnë ata që e meritojnë.

Jeni i kënaqur me punën tuaj dhe rendimentin e skuadrës deri tani dhe a ka marrë Apolonia rezultatet që ju mendonit në këto 5 javë me ju?

E mira nuk ka fund, ajo është gjithmonë relative. Dëshira dhe mundësitë janë dy gjëra të ndryshme. Në këtë kuptim, dëshira ime ka qenë për më tepër pikë, por, duke parë mundësitë dhe gjendjen e skuadrës, duhet ta vlerësoj si ecuri përgjithësisht të pranueshme, pse jo të mirë.kamarata

Besoni realisht te mbijetesa e Apolonisë apo ka më tepër “dozë” për të rritur motivimin e skuadrës?

Absolutisht që besoj, ndaj e them gjithmonë dhe besimin tim e përdor edhe për pjesën tjetër, pra edhe për rritjen e motivimit te lojtarët, sepse janë elemente të lidhura. Vetë fakti që skuadra ka lënë dy ekipe pas vetes brenda ndeshjeve të janarit, tregon mundësitë tona, por, vetëm 1 pikë jemi mbi Bylisin dhe Skënderbeun. Kjo është pak për ne, pasi mbetemi thellësisht të përfshirë nga rreziku. Si cilësi sportive brenda grupit dhe si forcë, Apolonia i ka të gjitha mundësitë për të dalë nga zona e rrezikut dhe për këtë po punojmë me të gjitha forcat.

Parashikimi juaj për ndeshjen e kësaj jave me Teutën?

Ne do të luajmë për fitore, por le të shohim se çfarë do të prodhojnë të dyja skuadrat në fushë.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"