Loret Sadiku, me shtetësi shqiptare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2013 | 16:05

Loret Sadiku, me shtetësi shqiptare

Sadiku 2Loret Sadiku ka marrë nënshtetësinë shqiptare që prej datës 19 shtator. Dekreti përkatës është firmosur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Mbrojtësi i Helsingborgut, kësisoji, është gati për ngjyrat kuqezi, të cilat ka vendosur të përfaqësojë në vazhdim të karrierës së vet. 22-vjeçari kosovar ka luajtur më parë me ekipin Shpresa të Suedisë, por një ftesë e marrë nga trajneri De Biazi për të luajtur me Shqipërinë ndryshoi drejtimin e karrierës së lojtarit në fjalë. Ai tani duhet të presë nga FIFA edhe lejen për t’u aktivizuar në ndeshjet zyrtare me kombëtaren kuqezi. I pari që e ndërmori këtë veprim ishte Migjen Basha, mesfushori i Torinos, më pas precedentët vijuan me vëllain e tij, Vullnetin, Agon Mehmetin  dhe  Amir Abrashin. Aktualisht, në pritje të përgjigjeve të FIFA-s pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare, janë edhe Shkëlzen Gashi e Atdhe Nuhiu. Dekreti i Presidentit Bujar Nishani për Loret Sadikun është ky: “Në mbështetje të nenit 92, pika “c”, dhe nenit 93 të Kushtetutës, si dhe neneve 9 pika 7, dhe 20 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, bazuar edhe në propozimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i jepet shtetësia shqiptare Loret Fahri Sadikut”.

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"