Laze: Elbasanin do ta ndjek deri në Hënë, kthehemi shpejt në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2017 | 14:20

Laze: Elbasanin do ta ndjek deri në Hënë, kthehemi shpejt në Kategorinë e Parë

Klubin e Elbasanit e kanë blerë të huajt, por skuadrës vijon t’i qëndrojë pranë… Arben Laze. Edhe pse prej disa muajsh aksionet kanë kaluar te kompania “Mançester Group” dhe shpresa ishte që pronarët e rinj të ringrinin skuadrën me investimet që do bënin, një gjë e tillë nuk po ndodh.

laze

Jo vetëm që nuk po hedhin para, por mungon edhe mbështetja morale ndaj lojtarëve dhe stafit. I vetmi që po vijon t’i qëndrojë pranë skuadrës dhe t’i ndjekë ngado është ish-presidenti Arben Laze, i cili, në të gjitha takimet e Elbasanit, këtë sezon nuk ka munguar në asnjë sfidë, të paktën zyrtare.

LAZE

I kontaktuar nga “Panorama Sport” të flasë në lidhje me këtë çështje, Laze nuk kërkon të zgjatet shumë, por pohon se Elbasanin do ta ndjekë edhe sikur të luajë në hënë dhe gjithnjë do ta japë suportin e tij, si financiar edhe moral.

“Unë vazhdoj të jem tifozi numër një i skuadrës dhe sikur Elbasani të shkojë të luajë në hënë, do të shkoj ta ndjek. Nuk ka rëndësi nëse jam president, donator, tifoz apo ku di unë se çfarë, gjithnjë do të jem pranë kësaj skuadre”, u shpreh fillimisht Laze, i cili për më shumë se një dekadë ka qenë në krye të klubit elbasanas, duke ia dalë të fitojë edhe një titull kampion në vitin 2005-2006.

Më tej, në lidhje me shanset që do të ketë Elbasani për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, Laze pohon se janë të gjitha mundësitë, pavarësisht barazimit në ndeshjen e fundit me Butrintin në shtëpi.

“Normalisht, objektivi i Elbasanit do të jetë ngjitja në Kategorinë e Parë dhe i ka të gjitha mundësitë për një gjë të tillë. Janë luajtur vetëm tri ndeshje dhe ndodhet mes skuadrave që pretendojnë ngjitjen, edhe pse kampionati është shumë i gjatë. Barazimi në shtëpi me Butrintin ishte një aksident, por ka kohë për të rikuperuar.

Gara do të jetë e fortë, por Elbasani nuk mund të qëndrojë gjatë në këtë kategori”, u shpreh më tej Arben Laze, i cili është një nga personat që po e vuan më shumë luajtjen e Elbasanit në Kategorinë e Dytë. Verdheblutë aktualisht janë në vendin e dytë me 7 pikë, dy më pak se Këlcyra, ndërsa këtë javë do të udhëtojë në Skrapar, me synimin e vetëm për t’u rikthyer te fitorja.

SKUADRA

Brenda një dekade, Elbasani po i provon të gjitha. Verdheblutë fituan titullin kampion në 2006-ën, ndërsa tani në 20017-ën po luajnë në Kategorinë e Dytë. Një klub që ishte në elitë dhe ka lënë gjurmë në futbollin shqiptar, tashmë po luan në nivelin e tretë të futbollit tonë. Ndërkaq, edhe pse zyrtarisht 100% të aksioneve janë shitur tek anglezët, këta të fundit nuk po duken në klub.

Skuadrës do t’i duhet shumë punë për t’u rikthyer në Kategorinë e Parë ku dihet se luhet në fusha shumë të vështira dhe përgjithësisht një futboll i fortë. Ekipi këtë sezon i është besuar një trajneri të ri si Eriol Merxha, ndërsa përbërja e skuadrës është me futbollistë kryesisht të rinj.

Në ekip ka shumë optimizëm se në fund të këtij kampionati, do të jetë pikërisht Elbasani që do të ngjitet në Kategorinë e Parë. Këtë fundjavë, skuadra do të luajë në transfertën e Skraparit ku do të kërkojë të rikthehet te fitorja pas hapit fals që bëri një javë më parë në fushën e vet ndaj Butrintit. Gjithashtu, edhe tifozët kanë shumë besim te rikthimi i skuadrës në të Parën.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"